Ndërlidhjet

PRITET URDHËRESA E UNMIK-UT PËR HAPJEN E ZYRAVE TË REJA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Deri në fund të këtij muaji qeveria e Kosovës do ta ketë shefin e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë pasi procedura e konkursit ka mbaruar dhe tani pritet vetëm zgjedhja e tij. Zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari tha se rruga që është ndjekur për zgjedhjen e shefit të Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë është bërë sipas procedurës civile dhe nuk është bërë përmes emërimit të ndonjë personi nga qeveria e Kosovës, ndërkohë që po vazhdojnë përpjekjet për hapjen edhe të katër zyrave të tjera në kuadër të qeverisë, tha zëdhënësja Kusari.
" Sa i përket katër zyrave të tjera që kryeministri i kërkoi edhe njëherë nga zoti Holkeri, varet nga vendimi për secilën zyrë. Domethënë që në vendimin nga zoti Holkeri për Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë thuhet qartë se udhëheqësi i kësaj zyre do të jetë me procedurë të stafit civil, ndërsa për këto katër të tjerat ndodh që mund të ketë specifika, të cilat nuk janë të njëjta për Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë", tha zëdhënësja Kusari.
Procedura civile do të thotë emërim me konkurs ndërsa procedura tjetër mundëson edhe emërimin politik të udhëheqësve të zyrave të veçanta. Kryeministri Bajram Rexhepi ka kërkuar dje nga shefi i UNMIK-ut Holkeri Zyrën për Planifikim Strategjik, për Integrime Evropiane, për Sigurinë Publike dhe atë për Energji dhe Burime Natyrore dhe është arritur marrëveshja për themelimin e tyre, por tani nevojitet vetëm urdhëresa ekzekutive e UNMIK-ut për fillimin e procedurës së themelimit të tyre. Ndërkohë pas informatave se BPK-ja po përgatitet të nënshkruajë marrëveshjen me Bankën Qëndrore të Serbisë për përdorimin e swift kodit të Serbisë nga bankat komerciale të Kosovës, qeveria e Kosovës është drejtuar me një reagim drejtorit të autoritetit bankar të Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të UNMIK-ut.
"Qeveria shpreh reagimin e vet ndaj një iniciative të tillë dhe kërkon që e njëjta menjëherë të ndërpritet. Lidhja e një marrëveshjeje të tillë që në shikim të parë mund të duket teknike, paraqet një tendencë të rrezikshme që bie ndesh me synimet e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës", tha zëdhënësja Kusari, duke theksuar se kjo do të pengonte dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe theksoi kërkesën e qeverisë që deri në zgjidhjen e problemit bankat e Kosovës të vazhdojnë përdorimin e kodeve të bankave partnere nëpër botë. Qeveria gjithashtu ka ripërsëritur kërkesën për vazhdimin e procesit të privatizimit, i cili ende po mbahet i bllokuar me gjithë shkarkimin Marie Fuccit nga posti i drejtoreshës ekzekutive të AKM-së. Qeveria e Kosovës prandaj mendon se duhen përmbushur edhe kërkesat e saj të tjera lidhur me privatizimin, përfshirë edhe miratimin e politikave operacionale, që do të mundësonin vazhdimin e këtij procesi. Zëdhënësja Kusari tha se shkarkimi i Marie Fuccit ka qenë kërkesë minimale për të mundësuar vazhdimin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve vendorë në Agjencionin Kosovar të Mirëbesimit. Qeveria ende është e vendosur që fundi i majit duhet të jetë koha kur të rifillohet përfundimisht procesi i privatizimit, i cili është ndërprerë që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa po bëhet një vit që kur është shpallur tenderi i fundit i privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë.

XS
SM
MD
LG