Ndërlidhjet

logo-print

MOSMARRËVESHJE LIDHUR ME SANIMIN E DËMEVE


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Rindërtimi i shtëpive serbe të shkatërruara gjatë trazirave të marsit shumë shpejt do të fillojë në disa komuna të Kosovës, ka thënë Behxhet Brajshori, udhëheqës i komisionit qëndror ndërministror për koordinim. Ai tha se për një numër të shtëpive të shkatërruara, ky komision gjendet në fazën e parë të përgatitjeve të tenderëve nga pikëpamja teknike. Ndërsa për kategorinë e katërt dhe të pestë zoti Brajshori tha se do të kërkojnë ndihmë nga organizatat ndërkombëtare për përshpejtimin e këtij procesi.
“Fjalën e kam gjithmonë për realizimin e atyre dëmeve ose sanimin e dëmeve në objektet e banimit, e jo në objektet e tjera përcjellëse ose në objeket e kultit në këtë fazë, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore dhe fondit që ka ndarë Qeveria e Kosovës.”
Nenad Radosaljeviç, zyrtar për çështjen e kthimit në zyrën e kryeadministraorit të Kosovës, vlerëson se institucionet e përkohshme tentojnë që renovimin e shtëpive serbe të shkatërruara gjatë protestave të marsit të shtyjnë për vitin e ardhshëm.
“Bazë për një deklaratë të tillë është deklarata e Oliver Ivanoviçit, që kinse çdo gjë është në rregull sa i përket renovimit të shtëpive dhe që janë ndërtuar dhjetë shtëpi në Fushë Kosovë dhe tetë në Vushtri që nuk është e vërtetë. Unë nuk dëshiroj që institucioneve të përkohshme në Kosovë t’u jepet rasti që për punën që nuk bëjnë të fitojnë vlerësim pozitiv tek bashkësia ndërkombëtare dhe të krijohet përshtypja se sa i përket kësaj çështjeje gjithshka është në rregull," tha zoti Radosaljeviç. Por, zoti Brajshori mohon pohimet e zotit Radosavljeviç, duke thënë se komisioni të cilin e udhëheq ai, po mundohet që renovimi i shtëpive të përfundojë në fund të këtij viti.
“Prandaj ato qëndrime vërtetë janë të paqendrueshme dhe ne do t'i përmbahemi afatit tonë. Pra, po ftoj komunitetin serb që të jetë më konstruktiv dhe të bashkëpunojë me institucionet qeveritare në Kosovë”.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Mathild Heneke, ka thënë se nuk mund të spekulojë mbi atë se kush çka thotë, por mund të paraqesë atë që po punohet në drejtim të përfundimit të punëve. Varësisht nga shkalla e shkatërrimit të shtëpive dhe objekteve të banimit, tenderët janë kategorizuar për rindërtimin e tyre, tha zonja Heneke.
“Në kategorinë e parë deri në të tretën, janë përfshirë shtëpitë që nuk janë shkatërruar shumë, një pjesë e tenderëve janë kompletuar, një përfundon sot, kurse tjetri skadon më 30 maj. Kurse se i përket kategorive pesë dhe gjashtë afati ka skaduar më 17 maj, por sipas informatave ende ka diskutime rreth këtyre tenderëve,” tha zonja Heneke.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka krijuar një fond emergjent prej 5 milionë eurosh menjëherë pas trazirave për merementimin e të gjitha objekteve private, fetare dhe kulturore, të shkatërruara gjatë protestave të marsit në Kosovë.


XS
SM
MD
LG