Ndërlidhjet

RIFILLIMI I PRIVATIZIMIT ENDE I PAQARTË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, pjesë e shtyllës së katërt të UNMIK-ut, shpresat për rifillimin e privatizimit i kanë mbështetur në konsultimet e delegacionit të UNMIK-ut me Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Mirëpo, edhe pse shpresojnë se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të rifilluar privatizimin, zëdhënësja e shtyllës së katërt Monique De Groot, tha se ende nuk dihej data e saktë e takimit në Nju Jork, që llogaritet vendimtar për fatin e vazhdimit të privatizimit, ndërkohë që qeveria ka përsëritur dje se qëndron pas kërkesave të dy muajve më parë që janë dhënë në formë ultimative, për zhbllokimin e procesit deri në fund të majit.
Zëdhënësja De Groot tha se e kishte lexuar deklaratën e qeverisë, mirëpo ende nuk kishte një përgjigje lidhur me kërkesat e ultimatumit, ndërkohë që është realizuar vetëm një nga pesë kërkesat e qeverisë drejtuar UNMIK-ut lidhur me privatizimin:
"Si të gjitha palët, edhe shtylla e katërt shpreson se problemet aktuale do të zgjidhen shpejt, por se sa shpejt do të bëhet kjo, varet nga shumë çështje, ndër të cilat edhe vizita në Nju Jork," tha Monique de Groot.
Mirëpo, eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, njëkohësisht nënkryetar i Riinvestit se problemi është se UNMIK-u asnjëherë nuk i ka bërë të ditura arsyet e vërteta të bllokimit të procesit të privatizimit, duke u thirrur në imunitetin para gjyqeve ndërkombëtare dhe duke komplikuar procedurat:
"Me rezolutën 1244 administrata ndërkombëtare ka mision dhe mandat që ta bëjë procesin e privatizimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve publike, prandaj nga ky sfond mund të them se administrata ndërkombëtare vetvetiu vetes ia ka cenuar mandatin që ta bëjë privatizmin".
Prandaj, zoti Sadiku mendon se nuk ka asnjë arsye reale për ndërprerjen kaq të gjatë të privatizimit. Që nga tetori i vitit të kaluar privatizimi është bllokuar, ndërsa tenderi i fundit është shpallur një vit më parë.
Zëdhënësja e shyllës së katërt, Monique de Groot thotë ndërkohë se nuk ka ndonjë lëvizje domethënëse për ristartimin e privatizimit:
"Në këtë moment, OKB në Nju Jork i kanë dërguar një kërkesë UNMIK-ut që të dërgojë një delegacion në Nju Jork, në mënyrë që të diskutohen detajisht çështjet që kanë të bëjnë me privatizimin dhe me AKM-në," tha Monique de Groot.
Mirëpo, eksperti Sadiku thotë se diskutimet për kushtet ligjore të privatizimit që pritet të bëhen tani edhe një Nju Jork janë të panevojshme, pasi mandati i UNMIK-ut është shumë i qartë. Ai mendon se vazhdimi i bllokimit edhe pas shkuarjes së Marie Fuccit dëshmon se nuk është problemi vetëm te një person:
"Vërtet këtu kemi të bëjmë me pengesa që vijnë nga administrata ndërkombëtare apo nga politikat e larta dhe nuk kërkohet art i madh që të vazhdohet privatizimi-vetëm duhet të lejohet që të zhvillohet procesi- dhe të shpallet raundi i tretë i tenderëve."
Zoti Sadiku tha se Kosova ka shumë arsye për brengosje, pasi po humbet hapi i risktrukturimit ekonomik dhe Kosova po bëhet më pak tërheqëse për investitorët.
Prandaj, mendon zoti Sadiku, raportet ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës duhet të jenë raporte partneriteti.
Por, UNMIK-u ende nuk ka vendosur nëse edhe përfaqësuesit vendor do të jenë pjesë e grupit që do të diskutojë në Nju Jork lidhur me fatin e mëtejshëm të privatizimit:
"Aktualisht ende nuk dihet përbërja përfundimtare e grupit, ndërsa kërkesa thotë që në delegacion duhet të ketë zyrtarë të UNMIK-ut dhe të shtyllës së katërt, të Bashkimit Evropian," tha Monique de Groot, sipas të cilës, i mbetet vetë shefit të UNMIK-ut Holkeri që të vendosë për përbërjen e grupit, si dhe për faktin nëse edhe përfaqësuesit vendorë do të jenë pjesë e këtij delegacioni.




XS
SM
MD
LG