Ndërlidhjet

KROACIA,MAQEDONIA DHE SHQIPERIA ZOTOHEN PËR THELLIMIN E BASHKËPUNIMIT PËR ANËTARËSIM NË NATO


Sefer Tahiri, Shkup

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë,Shqipërisë dhe Kroacisë në takimin e tyre të sotëm në Shkup së bashku me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shprehën dëshirën për t'u bërë
pjesë e NATO-s dhe shpresojnë se këtyre vendeve-anëtare të Kartës së Adriatikut në Samitin e Stambollit do t'u jepet mesazh i qartë se gjatë zgjerimit të ardhshëm të NATO-s do të merret parasysh përparimi i bërë në këto vende për plotësimin e kritereve të Aleancës Veriatlantike.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Ilinka Mitreva tha se në planin aksional për jetësimin e Kartës së Adriatikut në gjashtë muajt e ardhshëm kujdes i veçantë do t'i kushtohet bashkëpunimit në
planin e sigurisë dhe atë ushtarak, por nuk është për t'u nënçmuar as bashkëpunimi midis parlamenteve të këtyre shteteve, bashkëpunimi ekonomik, por edhe ai në sektorin joqeveritar:
"Qëllimi ynë më i fuqishëm është që në mënyrë intenzive të bashkëpunojmë në luftën kundër kërcënimeve transnacionale të krimit të organizuar, larjes së parave, tregtisë së palejuar me njerëz dhe kundër armëve për shkatërrim masiv," tha Mitreva duke shtuar se është arritur marrëveshje për dërgimin e një ekipi të përbashkët mjekësor në misionin paqësor të NATO-s në Afganistan.
Ndërsa zëvendësja e ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Ketlin Stivens tha:
"Kjo është një periudhë e rëndësishme kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shprehin bindjen e tyre se dyert e NATO-s janë të hapura për vendet-anëtare të Kartës së Adriaikut," tha Stivens.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami tha se tre ministrat edhe njëherë kanë konfirmuar angazhimin për të vazhduar së bashku që në Samitin e ardhshëm të Stambollit të arrijmë të marrim një mesazh më të qartë ku direkt pas atij ndoshta do të vijë
faza përfundimtare për t'u bërë anëtare me të drejta të plota të kësaj strukture euro-atllantike.
Në deklaratat dhe në fjalimet e ministrave është afirmuar mbështetja e anëtarëve të Kartës së Adriatikut për përpjekjet e Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë e Malit të Zi për t'iu afruar programit të Partneritetit për paqe të NATO-s.
Në këtë kontekst ishte edhe pjesëmarrja në këtë takim e Ministrit të Punëve të Jashtme të Bosnjes dhe Hercegovinës, Mlladen Ivaniç dhe atij të Serbisë e Malit të Zi, Vuk Drashkoviç. Ky i fundit në një
deklaratë për mediat duke e komentuar qëndrimin e qeverisë serbo-malazeze rreth statusit të Kosovës theksoi:
"Ne duhet të flasim për statusin e të drejtave njerëzore dhe atë evropian të Kosovës. Tani topi është tek shqiptarët dhe ata duhet të dëshmojnë se çfarë shumice janë: a janë shumicë, e cila i respekton
standardet evropiane dhe e cila maksimalisht i mbron të drejtat e pakicës, apo janë shumicë, e cila e shfrytëzon dominimin etnik dhe religjioz që fizikisht ta zhdukë pakicën serbe dhe joshqiptarët e tjerë," tha Drashkoviç duke konstatuar se për shënimin e kufirit
midis Maqedonisë dhe Kosovës duhet të bisedojnë përfaqësuesit e Serbisë dhe Malit të Zi në kuadër të së cilës është edhe Kosova, Përfaqësuesit e Kosovës, ata ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG