Ndërlidhjet

logo-print

THEMELOHET FONDI KOSOVARO-AMERIKAN PËR ARSIM


Bekim Bislimi, Prishtinë

Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar sonte ka promovuar fondin Kosovaro-Amerikan për Arsim në vlerë prej 8.7 milion dollarësh, i cili do të shërbejë si donacion i përhershëm për bursat për studimet postdiplomike të studentëve kosovarë. Dale Pfeiffer drejtor i misionit të USAID-it, ka thënë se një nga arsyet kryesore për themelimin e këtij fondi është edhe synimi i qeverisë amerikane që të ndihmojë në vendosjen e një ekonomie të tregut në mënyrë që kosovarët të kenë një të ardhme të begatë, në të cilën të gjithë kanë mundësi që ta realizojnë potencialin e tyre. Sipas tij, për të arritur këtë kosovarët duhet të aftësohen për të vepruar në një ekonomi moderne me biznese efikase, të cilat mund të konkurrojnë me bizneset më të mira në botë.
“Ne duhet t’i japim rinisë së Kosovës sot si dhe nesër qasje në aftësimet të cilat i nevojiten për të kryer këtë detyrë. Ky fond është pjesë e kësaj përpjekjeje dhe ne besojmë të jetë pjesë e rëndësishme”, tha zoti Pfeiffer. Ai shtoi se arsye tjetër për vendimin e USAID-it që të krijojë këtë fond është edhe raporti miqësor në mes popullit të Kosovës dhe atij amerikan.
“Populli i Kosovës dhe amerikanët kanë një marrëdhënie unike të bazuar në miqësi. Ne të dy e kuptojmë se e ardhmja e juaj çon kah Evropa, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mundemi dhe nuk do të mbajmë miqësinë tonë”, tha zoti Pfeiffer dhe shtoi se ky fond do të ndërtojë ura të përhershme në mes shoqërive kosovare dhe amerikane.
Fondi Kosovaro-Amerikan për Arsim është themeluar nga të ardhurat e programit të USAID-it, të gjeneruara nga shitja e Bankës Amerikane në Kosovë në vitin e kaluar. Fondi do të menaxhohet nga Këshillat Amerikanë për Arsim Ndërkombëtar në Washington, ndërkohë që këto Këshilla do ta hapin një zyrë në Prishtinë për t'u marrë me procesin e konkurrimit dhe përzgjedhjes. Një nga përfaqësuesit e këshillave amerikanë, David Patton ka bërë të ditur se konkuruesit e parë që do të gëzojnë bursat nga ky fond do të zgjedhen vitin e ardhshëm, ndërkaq që në këtë përzgjedhje nuk do të marrin pjesë Zyra Amerikane në Prishtinë dhe USAID-i.

XS
SM
MD
LG