Ndërlidhjet

KRASNIQI: ADMINISTRATA LOKALE KA NEVOJË PËR REFORMË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe qeveria e Kosovës, kanë formuar një grup të përbashkët, i cili do të ketë për detyrë të propozojë plane konkrete për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë. Ky grup drejtohet nga Ministri i Shërbimeve Publike në qeverinë e Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili tha se në përbërje të tij janë dhe përfaqësues të UNMIK-ut, Këshillit të Evropës, USAID-it dhe përfaqësues të pakicave. Takimi i parë zyrtar i këtij grupi është caktuar për të martën e ardhshme, kurse propozimet konkrete rreth reformave që do të zbatohen në administratën lokale, ky grup do t’i paraqesë në fund të muajit korrik. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ministri Krasniqi tha se si qeveria ashtu dhe UNMIK-u, kanë konstatuar se administrate lokale ka nevojë për reforma, kurse si një prej projekteve bazë do të merret dhe ligji për pushtetin lokal i Maqedonisë, i dalë si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, për shkak të nevojave të ngjashme që kanë Kosova dhe Maqedonia me decentralizimin e pushtetit, i cili ndërlidhet dhe me pozitën e pakicave:
“Si dokument themelor ne do të marrim Kartën Evropiane për decentralizimin e administratës lokale, e kemi një projekligj në të cilin kemi punuar, pastaj do të merret si bazë dhe ligji i pushtetit lokal që është duke u punuar në Maqedoni ku kanë marrë pjesë dhe ekspertë nga Këshilli i Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kështu ne mendojmë që ky grup, pasi t’i ketë analizuar të gjitha ato dokumente, t’i ndajë detyrat e veta. Do të ketë disa ligje apo do të jetë një ligj, këtë do ta vendosin ekspertët”, tha Krasniqi.

Më pas ministri Krasniqi, tha po ashtu se pushteti lokal ka nevojë për definimin e disa fushave, përfshirë këtu çështjen e financave, rritjen e funksionalitetit të administratës lokale dhe në fund të bëhet decentralizimi apo reformimi i këtij pushteti, pasi kjo administratë sipas tij, po funksionon ende mbi kornizat e pushtetit të kaluar dhe përshkruhet me një burokraci të panevojshme:
“Ne kërkojmë që ky reformim i pushtetit të bëhet në rend të parë për qytetarin, për të drejtat dhe obligimet e tij dhe nëse në fund ky reformim mund të qetë krijimin e njësive pak sa më të vogla komunale dhe dikund të jenë mbi baza etnike, kjo neve nuk do të na pengojë, por kryesorja është se qytetarët e Kosovës, pa përjashtim kanë nevojë për shërbime më të mira”, vlerësoi Krasniqi.
Në vazhdim, ministri Krasniqi përmend si nevojë dhe kyçjen e qytetarëve në procesin e reformave që do të zbatohen në pushtetin lokal, duke i ftuar edhe serbët e Kosovës që të luajnë rol aktiv në këtë proces. Reformat në pushtetin lokal, apo decentralizimi, po bëhen për qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, kështu që edhe serbët duhet të marrin një rol më aktiv, sepse kjo do të jetë në interesin e tyre, thekson Krasniqi.
“Ne si shumicë jemi të gatshëm të bisedojmë haptas për kërkesat e serbëve, për të drejtat e tyre, por natyrisht që në çdo shoqëri demokratike, qytetarët kanë të drejta por kanë dhe obligime. Ne si institucione të Kosovës nuk do të komunikojmë me qytetarët e Kosovës siç ka komunikuar me dekada të tëra regjimi i Beogradit në Kosovë, që gjithnjë i ka pasur veshët e shurdhër. Ne që punojmë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, për proceset positive që janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe për Kosovën si shtet të pavarur, ne duhet thjesht ta gjejmë gjuhën e komunikimit edhe me serbët edhe me turqit edhe më të tjerët”, tha ministri Jakup Krasniqi.
Përndryshe, decentralizimi është një prej tetë standardeve të vëna Kosovës për t’i plotësuar sipas një afati deri në mesin e vitit 2005, në mënyrë që me plotësimin e tyre, sipas premtimeve ndërkombëtare, të mund të hapej më pas çështja e definimit të statusit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG