Ndërlidhjet

MOORE: FITORJA E NIKOLIÇIT E BËN SERBINË 'VRIMË TË ZEZË' TË EVROPËS


PATRICK MOORE, ANALIST I RADIOS EVROPA E LIRË

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, hulumimet e fundi dëshmojnë se kandidati i Partisë Radikale serbe, Tomisllav Nikoliç kryeson në garën për president të ri të Serbisë. Çdo të thotë fitorja e tij e mundshme për Serbinë dhe rajonin?

PATRICK MOORE
Do filloja duke thënë se nuk duhet t'i kushtojmë shumë vëmendje sondazheve të opinionit publik të bëra në Serbi, pasi shpesh herë kanë dalë si të pasakta. Zakonisht kur ka ndonjë sondazh të opinionit publik në Serbi, 1/3 e njerëzve thonë se nuk janë të vendosur apo nuk dinë, gjë që nënkupton se ka shumë hapësirë për ndryshime midis kohës kur kryhet sondazhi dhe periudhës së zgjedhjeve. Ajo që po përpiqem të them është se këto sondazhe nuk janë fjala e fundit. Por nëse Nikoliç do të fitonte, mendoj që kjo ngjarje me të vërtetë do ta bënte Serbinë të ishte një lloj vrimë e zezë në rajon, sepse përveç faktit se do të kishin një njeri të Sheshelit si kryetar shteti, egziston dhe një qeveri e drejtuar nga një nacionalist tjetër kokëfortë, i cili është i varur nga votat e socialistëve të Millosheviçit në parlament, gjë që është shumë e rëndësishme. Prandaj kjo do të thoshte se për dallim nga çdokush tjetër në rajon, të cilët të paktën me fjalë e thonë që e pranojnë integrimin euroatlantik dhe bëjnë përpjekje të ecin përpara në këtë drejtim, edhe pse ndoshta nuk janë të përkryer, por po përpiqen, në Serbi do të kishim një qeveri që do të ishte tërësisht e ndryshme. Mund të ndodhë që Nikoliç, nëse bëhet kryetar shteti do ta moderojë gjuhën e tij, në mënyrë që të kënaqë disa veshë të huaj, por dyshoj që toni i përgjithshëm i një shteti të kryesuar nga Nikoliç dhe i një qeverie të kryesuar nga Koshtunica, që varet nga socialistët, toni i administratës së tij dhe veprat, të cilave u kushtojnë rëndësi të huajt, do të jetë mjaft nacionalist dhe jashtë trendeve të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, çfarë ka ndikuar që kandidati i Partisë Radikale serbe siç është Tomisllav Nikoliç, të ketë numër kaq të madh të mbështetësve në Serbi?

PATRICK MOORE
Një interpretim i mundshëm është që ky është një kandidat nacionalist që u bën thirrje ndjenjave nacionaliste. Por nacionalistë ka në të gjithë spektrin politik në Serbi, kështu që mendoj se duhet ta shohim pak më në thellësi. Ajo që mendoj se ndoshta është arsyeja për suksesin e radikalëve në sondazhet e opinionit publik muajt e fundit, është një lloj proteste e njerëzve, të cilët duan të shprehin se janë të pakënaqur me udhëheqësit që kanë patur dhe mendoj që shqetësimet kryesore nuk janë çështjet nacionale, por çështjet sociale dhe ekonomike si ushqimi, shërbimi shëndetësor, arsimi dhe pensionet. Për fat të keq, as zoti Nikoliç, e as të tjerët nuk duken të kenë shumë zgjidhje për këto probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Tomisllav Nikoliç para disa ditësh ka thën se policët dhe ushtarët serbë duhet të khehen në Kosovë. Është kjo retorikë parazgjedhore apo Beogradi me Koshtunicën dhe eventualisht edhe Nikoliçin, mund të provojnë të bëjnë një gjë të tillë?

PATRICK MOORE
Ata po përdorin këtë lloj retorike. Tani dhe pas zgjedhjeve sepse nuk u kushton asgjë. Duke folur kështu ata mund të përpiqen të tërheqin vëmendjen e njerëzve nga çështjet sociale dhe ekonomike, të cilave sapo ju referuam, dhe këtë e dimë që është një hile shumë e vjetër në politikë. Ajo që më habit më tepër është sasia e këtyre deklaratave. Sa shumë deklarata të tilla bëjnë. Pothuajse çdo dy-tre ditë dikush nga zyrtarët e lartë apo politikanët serbë, flet për Kosovën, për aspekte të ndryshme të politikës së Beogradit, për planet e Beogradit për Kosovën, dhe kjo duket se është diçka që ata e kanë vënë shumënë qendër të vëmendjes.Arsyeja përse e bëjnë këtë përveç faktit se ka zgjedhje, është gjithashtu rezultat i dështimit të komunitetit ndërkombëtar në bërjen mjaft të qartë Serbisë se në vitin 1999 e humbën një luftë dhe se nuk ka një të ardhme për Beogradin në Kosovë. Nuk jam i sigurt se ku do të çojnë gjithë këto fjalime. Nuk mendoj që do të shohim një rikthim të ushtrisë serbe në Kosovë por dyshoj ashtu si shumë njerëz që e gjithë kjo strategji i përket ndërtimit të kapitalit politik, të cilin do përpiqen ta përdorin në këmbim të ndonjë lloj ndarjeje.

Intervistoi Melazim Koci.

XS
SM
MD
LG