Ndërlidhjet

UNMIK-U KËSHILLOHET ME KB PËR VETËREFORMIMIN


RRAHMAN PAÇARRIZI, PRISHTINË

UNMIK-u planifikon të vetëreformohet dhe po zhvillon konsultime me Nju Jorkun, ka deklaruar sot për Evropën e Lirë zëdhënësi i këtij misioni, Sunil Narula, sipas të cilit këto ndryshime kanë të bëjnë me çështje buxhetore, ndërkohë që konsultimet po vazhdojnë edhe për reformimin në raport me institucionet vendore, në kuptim të fuqizimit të tyre, përmes bartjes së kompetencave.
"Unë mund t’ju them se ne po konsultohemi me Nju Jork, përpara qarkut të ri buxhetor për vitet 2005-2006 dhe ndikimit që krejt kjo çështje mund të ketë në strukturimin e UNMIK-ut", tha zëdhënësi Narula, sipas të cilit UNMIK-u po e shfrytëzon edhe të drejtën e tij për të ristrukturuar strukturën e tij të brendshme, në raport me rrethanat aktuale.
"UNMIK-u vazhdimisht e ka ndryshuar misionin e tij sipas nevojave dhe sfidave me të cilat është ndeshur", tha Narula, duke komentuar njoftimet jozyrtare se UNMIK-u u ka propozuar Kombeve të Bashkuar ristrukturimin e misionit, përfshirë reduktimin e katër shtyllave. Sipas njoftimeve, do të mbetej siç është vetëm shtylla e parë që ka të bëjë me policinë dhe drejtësinë, ndërsa shtylla e dytë e administrimit civil nuk do të ekzistonte. Shtylla e tretë do t’i mbetej OSBE-së, por jashtë UNMIK-ut, ndërsa shtylla e katërt e BE-ë do të ndryshohej.
Duke mos dashur të flasë konkretisht lidhur me këto ndryshime, pasi sipas tij është ende herët që detajet teknike të dalin në media, zëdhënësi Narula tha se UNMIK-u vazhdimisht ka qenë në kërkim të mënyrave më efikase të përmbushjes së misionit.
"Siç ka thënë kryeadministratori Holkeri, UNMIK-u ka filluar të shqyrtojë konfiguracionin e ardhshëm që përfshin edhe riorganizimin e mundshëm të strukturës sonë", tha Narula.
Disa javë më herët, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pati kërkuar nga UNMIK-u që të fuqizojë institucionet vendore, duke bartur më shumë kompetenca tek ato, dhe duke zbehur pushtetin e UNMIK-ut.
Zëdhënësi Narula tha se UNMIK-u vazhdimisht ka bartur kompetencat për fushat e parezervuara tek institucionet vendore, mirëpo kur është fjala për kompetencat e rezervuara, atëherë bartja do të bëhet përmes këshillimit me Këshillin e Sigurimit.
"Ideja jonë është përgatitja dhë ndërtimi i institucioneve vetanake të Kosovës dhe këtë po përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha zëdhënësi Sunil Narula.
Zbehja e pushtetit të UNMIK-ut përmes forcimit të njëkohshëm të institucionet vendore është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës, para së gjithash për shkak të standardeve, afati i përmbushjes së të cilave është mesi i vitit të ardhshëm.
Të gjithë procese janë intensifikuar edhe më shumë në kërkim të shkaqeve që çuan në traizrat e marsit, të cilat pas vetes lanë të vrarë e të plagosur. Ndërkohë, duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, për vëzhguesit është e natyrshme të priten zhvillime që përfundimisht do të çonin kah fuqimi i institucioneve vendore me më shumë pushtet ekzekutiv.
XS
SM
MD
LG