Ndërlidhjet

logo-print

SA (NUK) ËSHTË I LIRË SHTYPI NË SHQIPËRI?


Lutfi Dervishi

Vendimi i gjykatës së Tiranës që botuesi i gazetës së përditshme Koha Jonë, të paguajë 20 milionë lekë dëmshpërblim për fyerje ndaj kryeministrit dhe dy këshilltarëve të tij, ka rihapur debatin për lirinë e shtypit në Shqipëri, raportet media- politikë dhe pavarësinë e shtypit. Shoqatat e gazetarëve kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatës dhe kanë theksuar se kjo çështje nxorri edhe njëherë në pah dobësinë e gjyqësorit në Shqipëri. Kryeministri dhe dy këshilltarë të tij hodhën në gjyq botuesin e gazetës Koha Jonë, pas publikimit të një artikulli kritik për një vendim të marrë nga qeveria, që shpërblente me pesë rroga shtesë kryeministrin dhe dy këshilltarët për privatizimin e suksesshëm të Bankës së Kursimeve. Detyra kryesore e shtypit në një vend demokratik është të kritikojë dhe të mbajë nën vëzhgim të përhershëm aktivitetin punën dhe aktivitetin e zyrtarëve të lartë, përfshi edhe vetë kreun e ekzekutivit. Të gjobitesh kur thua një të vërtetë është një paradoks që vë në pikëpyetje
pavarësinë e gjykatave. Vendimi i gjykatës së Tiranës dhe rruga që kryeministri ndoqi për të paditur një gazetë ngre pikëpyetje për lirinë e shtypit. Situata bëhet akoma më komplekse, sepse botuesi i të
përditshmes Koha Jonë është njëkohësisht deputet dhe kryetar i një partie politike. Megjithatë është rasti dhe koha e duhur për të ngritur një sërë pikëpyetjesh për pavarësinë e medias. Deri në momentin e kësaj padie besohej gjerësisht se liria e shtypit është e
kërcënuar nga grupe të ndryshme të interesit të biznesit. Për arsye të kuptueshme historike media në Shqipëri ka qenë ngushtësisht e lidhur me politikën. Në fillim të vitit 90 peshën kryesore e zinin gazetat e reja partiake që i përkisnin forcave të reja politike, të krijuar pas përmbysjes së regjimit komunist. Gazeta e parë private u krijua më 1994, ndërsa televizioni i parë privat më 1998. Pas vitit
1998, biznesmenë të ndryshëm filluan krijimin e gazetave dhe televizioneve. Rruga e tyre shpesh nuk ka asgjë të përbashkët me profesionin e medias. Numri i shumtë i televizioneve private dhe gazetave të përditshme (mbi 50 televizione dhe 20 gazeta ditore),
nuk do të thotë se Shqipëria ka një treg që mbështet këtë lulëzim. Fenomen shqetësues është fakti se shumë botues vazhdojnë të punojnë me humbje në këtë treg. Të humbësh para nuk do të thotë se po vepron kundër ligjit. Madje në një rast tjetër mund të thonim se kemi të bëjmë me idealistë. Por në terrenin konkret pyetja është: cila është arsyeja dhe motivet që kanë çuar në krijimin e këtyre mediave? Politikanë dhe biznesmenë që synojnë postet politike kanë ose po
shtien në duar media me ndikim. Një tjetër fenomen shqetësues është dhe përqëndrimi i mediave në pak duar dhe tendenca për të pasur Berluskonë të vegjël. Kështu nëse deri vonë thuhej se media është në simbiozë me politikën, tashmë kemi një sipërfaqe ku takohet media,
politika dhe biznesi. Mungesa e distancës së medias nga dy të fundit vë në pikëpyetje besueshmërinë e saj. Nëse shikon me vëmendje kushtet e punës së gazetarëve, afër 90% e tyre punojnë pa kontrata pune. Puna pa kontratë e minon që në shtrat pavarësinë e gazetarit. Nëse studion mjedisin ku ata punojnë nuk është e vështirë të dalësh në përfundimin se shtypin e komandojnë botuesit, që mund të jenë parti politike,
politikanë ose njerëz të lidhur me politikën. Në anën tjetër qëndrojnë gazetarët, të cilëve aktualisht u mungon një sindikatë dhe përfaqësohen në shoqata të dobëta, që janë aktive vetëm për t’i mbrojtur nga sulmet që vijnë nga qeveria. Në këto rrethana pavarësia në kuptimin perëndimor mbetet një iluzion kryesisht në kokën e donatorëve. Ndërsa rasti i vendimit të gjykatës që dënon me gjobë
një gazetë për shpifje është tregues i nivelit të pavarësisë dhe profesionalizmit të gjykatave.

XS
SM
MD
LG