Ndërlidhjet

logo-print

HASANI: STRUKTURA AKTUALE E UNMIK-UT NUK ËSHTË PERSPEKTIVE PËR KOSOVËN


Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, ditëve të fundit është ngritur sërisht çështja e rifillimit të bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Duke patur parasysh faktin se dialogu është një nga tetë standardet që duhen përmbushur, kur mendoni se është koha reale për rifillimin e tyre?

ENVER HASANI
Po të shikohet realisht mendoj se dialogu ka gjasa të zvarritet për shkak se tani jemi në fazën e ndërmjetme para zgjedhjeve dhe në një farë mënyre në ethet e zgjedhjeve, ku secili pret ripozicionimin e ri të secilës palë. Ky është faktor dhe mendoj se është vështirësuar ndërkohë edhe nga pala serbe, nga e cila shihet se ka një mungesë gadishmërie dhe ka hapa të cilat shkojnë në kundërshtim me frymën e dialogut. Faktor tjetër që është rëndues dhe që flet në favor të zvarritjes janë dhe ngjarjet e fundit të marsit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj për propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për zbatimin e modelit të marrëveshjes së Ohrit në rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike?

ENVER HASANI
Mendoj se Marrëveshja e Ohrit po të shikohet si tekst, por edhe si frymë, është mjaft civilizuese. Problemi tek Marrëveshja e Ohrit është se çfarë merret si pikë referimi. Ju e dini se kjo marrëveshje ka për pikë referimi shtetin maqedon, i cili ka probleme me pakicën shqiptare atje dhe komuniteti shqiptar përmes asaj marrëveshjeje synoi të riintegrohet në strukturat e shtetit maqedon, në një afat shumë të gjatë dhe që atë shtet ta ndiejë si të vetin.
Mbi të gjitha, ajo është një marrëveshje, e cila bazohet jo në territor, por bazohet në vlera liberale të multietnicitetit dhe multikulturalizmit. Tani realizimi i asaj marrëveshjeje në Kosovë, në parim unë do të isha shumë pro saj, sikur ajo të nënkuptonte Kosovën si shtet dhe integrimin e e popullsive që janë komunitete pakicë në strukturat e shtetit të ri në Kosovë. Megjithatë, unë nuk besoj që është e realizueshme, në kontekstin kosovar një marrëveshje e tillë, por po ashtu nuk besoj se territorializimi i çështjes së komuniteteve pakicë në Kosovë është zgjidhje. Këto janë dy ekstreme. Rruga e ndërmjetme, pra as Marrëveshja e Ohrit në këtë këndvështrim dhe as territorializimi është rruga, e cila i përgjigjet realitetit kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të synimeve për fuqizimin e institucioneve vendore, kohët e fundit është folur edhe për reformimin organizativ të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Sipas jush, cili duhet të jetë që sot e tutje roli i këtij misioni?

ENVER HASANI
Unë mendoj se ajo që është thënë edhe në fjalimin e zotit Holkeri, për një ristrukturim, është një hap që duhet mirëpritur, sepse UNMIK-u siç është në këtë format, është treguar i paaftë për të menaxhuar problemet e ndjeshme të shoqërisë kosovare, politike, ekonomike, sociale dhe të gjitha. Megjithatë, problemi do të jetë jo në ristrukturimin e UNMIK-ut si strukturë, por mendoj se problem është ndërrimi i mandatit, do të thotë, me çfarë mandati ato struktura të reja do ta qeverisin Kosovën. A do të jetë ai madat i këshillimit nga distanca dhe i ndihmës për t’i fuqizuar kosovarët që ata, pas një trajnimi intenziv, të marrin fatin e këtij vendi në duar, kjo administratë e re, apo do të jetë vetëm një ristrukturim, reduktim i stafit dhe i shpenzimeve të misionit ndërkombëtar me mandat të njëjtë. Nëse është kjo e dyta, unë besoj se ristrukturimi nuk do të ketë sukses. Edhe nëse ristrukturohet apo nëse ndërrohet tërë mandati, është sërisht problem, sepse ne deri në vitin tjetër kemi edhe pak muaj, 6-7 muaj dhe mendoj se është një kohë shumë e shkurtër, në të cilën duhet të lëvizen këmbët shumë shpejt, nëse mendojmë që të arrijmë diçka, për të penguar degjenerimin e procesit vitin që vjen. Koha është mjaft e shkurtër dhe është humbur shumë kohë gjatë këtyre viteve, për të kuptuar se menaxhimi i shkriftë, siç ka qenë nga ana e UNMIK-ut dhe pushtetit të tij, nuk mund të hapë horizonte dhe perspektiva të reja për Kosovën.

Intervistoi Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG