Ndërlidhjet

logo-print

ISLAMI/ KRISHTËRIMI: VATIKANI SINJALIZON KUNDËR MARTESAVE MUSLIMANO-KATOLIKE


Briffni O'Rourke

Papa Gjon Pali gjatë papatit të tij të gjatë ka bërë shumë për të arritur mirëkuptim mes feve më të mëdha, duke hyrë në histori si kreu i parë i Kishës Katolike që është lutur në një xhami. Ai ka kërkuar që të shërohën plagët e vjetra mes të krishterëve dhe hebrenjve.
Por, pavarësisht nga dashamirësia e tij ndaj feve, Vatikani është ende i shqetësuar rreth martesave të përziera.
Kjo ilustrohet me një dokument të publikuar nga Vatikani, në të cilin paralajmërohen gratë në vendet tradicionale katolike rreth rrezikut nga martesat me burrat myslimanë.
Duke iu referuar grave si "anëtaret më të pambrojtura në familjet myslimane", raporti thotë se "përvojat e hidhura" tregojnë vështirësitë, me të cilat ballafaqohen gratë evropiane të martuara me burrat myslimanë. Veçanërisht, kur çiftet shkojnë të jetojnë në vendet myslimane.
Raporti shtyn myslimanët që, siç thuhet, të "ndërgjegjësohen për të drejtat thelbësore, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore e parimet demokratike të qeverisjes".
Studiuesit myslimanë janë të befasuar me tonin e ashpër të Vatikanit. Një zyrtar i Institutit për Arsim të Lartë Markfield në Britani, Nazim Mohammed, thotë se duhet bërë dallim mes fesë dhe zakoneve sociale.
"Islami predikon të kundërtën; në Islam gruaja ka të gjitha dinjitetet, ndoshta më shumë sesa në shoqëritë perëndimore, dhe atyre nuk u jepet një status dytësor. Ato kanë të drejtë në trashëgimi, kanë liri, në të vërtetë ato janë kreu i familjes, kështu që fatkeqësisht deklarata e Vatikanit lë përshtypjen se ato gjëra predikohen nga Islami, që nuk është e vërtetë", tha Nazim Mohammed.
Ghayasuddin Siddiqui nga Instituti Islam i Universitetit të Londrës, gjithashtu leksionet e Vatikanit për të drejtat e njeriut i sheh si një predominim i katolikëve ndaj myslimanëve.
"Mendoj se kjo është vazhdimësi e islamofobisë ekzistuese, që po shtrëngon shoqërinë tonë. Kjo islamofobi, lufta kundër terrorizmit, ka ardhur si rezultat i veprimeve politike," tha Siddiqui.
Mohammed, thotë se me gruan e tij katolike, ka përvojë personale të një jete në harmoni me katolicizmin.
"Unë jam një mysliman. Jam martuar me katolike. Asnjëherë nuk kam provuar ta konvertoj gruan time, as ajo s'e ka kërkuar këtë nga unë. Fatkeqësisht nuk kemi fëmijë, po nëse do kishim do t'i lejoja që të shkonin edhe në xhami edhe në kishë e pastaj të vendosnin se cilën fe dëshirojnë ta kenë", thotë Mohammed.
Edhe besimi katolik edhe ai mysliman duan që fëmijët nga martesat e përziera t'i takojnë besimeve të tyre.
Teologu katolik Richard Puzza nga Universiteti i Tuebingenit në Gjermani thotë se dokumenti i Vatikanit nuk duhet të shihet si kritikë ndaj Islamit, por si masë kujdesi për gratë katolike.
"Është e qartë për mua se në shumë vende islamike, të drejtat dhe drejtësia janë po aq të rëndësishme sa tek ne në Evropë", tha Puzza.
Sidoqoftë, duke marrë parasysh trendin në rritje të globalizimit dhe udhëtimeve botërore, praktika e martesave të përziera duket se do të vazhdojë e rritet, pavarësisht çfarë thonë liderët fetarë.


XS
SM
MD
LG