Ndërlidhjet

GAJTANAS: LARGIMI I HOLKERIT NUK DO KOMPLIKOJË SITUATËN


Ari Gajtanas, zëdhënës i OKB-së në Nju Jork

EVROPA E LIRË
Cili është reagimi i parë i OKB-së pas dorëheqjes së zotit Holkeri?

ARI GAJTANAS
Është për të ardhur keq që ai po largohet, për arsye shëndetësore, por do doja të theksoja se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në ecjen përpara të Kosovës. Dhe tani që ai bëri të ditur se po largohet, ne duam të theksojmë vlerësimin për punën që ai ka bërë në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Kur planifikoni të emëroni shefin e ri të UNMIK-ut dhe sa kohë do marrë kjo procedurë?

ARI GAJTANAS
Për momentin nuk ka ndonjë afat kohor të vendosur për emërimin e pasardhësit të zotit Holkeri, që do të mund ta bënim publik tani. Por do të thosha se sa më shpejt aq më mirë do të ishte. Megjithatë do të doja të nënvizoja se ekipi i UNMIK-ut në terren është efikas dhe në të njëjtën kohë do të mund të përballet me gjithë sasinë e punës që kërkohet prej tyre edhe në këto kushte.

EVROPA E LIRË
Pas zhvillimeve të fundit, duke pasur parasysh, dhunën e marsit dhe planet për zbatimin sa më të shpejtë të planit "Standardet për Kosovën", a mendoni se kjo dorëheqje do komplikojë gjendjen në terren.?

ARI GAJTANAS
Nuk besoj se do të kemi dicka të tillë, pasi pavarësisht largimit të zotit Holkeri zhvillimet në Kosovë varen nga puna e gjithë ekipit të UNMIK-ut si dhe drejtuesve kosovarë, të cilët janë në gjendje t ëpërballen me sfida të tilla.

EVROPA E LIRË
A ka informacione paraprake se nga cili rajon do të jetë i dërguari i ardhshëm i zotit Anan dhe kriteret që duhet të plotësojë?

ARI GAJTANAS
Më vjen keq por nuk mund të them asgjë konkrete në këtë drejtim, derisa nuk kemi emra konkretë.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG