Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË SHFAQIN KEQARDHJE PËR DORËHEQJEN E HOLKERIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dorëheqja e zotit Holkeri nga posti i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, e bërë e ditur në Helsinki, nuk ka befasuar aq shumë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e të cilave duke e vlerësuar si të mirë punën dhjetëmuajshe të Harri Holkerit në Kosovë, kanë shprehur keqardhjen për dorëheqjen e tij, duke shpresuar njëkohësisht që në këtë post të emërohet sa më shpejt një person me kondicion politik dhe fizik për t’u përballur me sfidat e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili sot pasdite u takua me zëvendëskryeadministratorin Charles Brayshow, i cili përkohësisht do të kryejë punët e kryeadministratorit, tha se ishte ndier keq kur kishte marrë lajmin për dorëheqjen e zotit Holkeri:
"Mund të them se nuk e ndjeva veten mirë, pasi Holkeri ishte një njeri mjaft i përkushtuar që të kontribuojë për Kosovën. Tek ai kam gjetur një sinqeritet i cili ka qenë i domosdoshëm për të ndërtuar një mirëbesim, mirëpo edhe si mjek e di se ai nuk ishte as në situatë fizike që ta përballojë këtë lodhje."
Zoti Rexhepi tha se Kosova do të ketë një humbje kohe deri në emërimin e kryeadministratorit të ri.
Ndërkaq, zoti Brayshow e vlerësoi lart punën e bërë nga zoti Holkeri:
"Mendoj se të gjithë ne e çmojmë përkushtimin e tij për jetësimin e rezolutës 1244 gjatë gjithë kohës sa ishte në Kosovë," tha zoti Brayshow, duke vlerësuar se do respektuar vendimi i Holkerit që t’i përkushtohet tani kujdesit mjekësor.
Ndërkaq, Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, në një prononcim për Evropën e Lirë tha:
"President i Kosovës Ibrahim Rugova i shpreh mirënjohje zoti Holkeri për punën që ka bërë në vendin tonë gjatë mandatit të tij si PSSP. Njëherësh presidenti Rugova shpreh keqardhje që Holkeri u detyrua të japë dorëheqje nga posti i tij për arsye shëndetësore,"
Duke e çmuar zotin Holkeri si politikan të karrierës, këshillari politik i kryeparlamentarit Nexhat Daci, zoti Ramush Tahiri tha se shpresonte që kryeadministratori i ardhshëm i Kosovës të emërohej shpejt:
"Unë shpresoj që ky kryeadministrator të jetë nga vendet e fuqishme, të jetë person edhe me kondicion politik edhe fizik dhe që të mund ta përfundojë misionin, pasi të gjitha parametrat kanë qenë që ne kemi llogaritur se me Holkerin, një diplomat karriere të përfundojë misioni në Kosovë, por arsyet madhore të shëndetit janë të tjera."
Sidoqoftë, ai e ka vlerësuar punën e Holkerit, por jo edhe të misionit që ai ka drejtuar:
"Kishte vullnet për punë, ishte diplomat i karrierës, mirëpo dukej se nuk ishte i njohur shumë me politikat ballkanike dhe nuk mundi të bëjë gjë dhe të ndërrojë stafin e tij që është byrokratik dhe ndonjëherë nuk ka sens për ta kaluar vetveten apo për të kuptuar kërkesat e drejta të institucioneve kosovare."
Ndërkaq, anëtari serb i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviç, ngjarjet e 17 marsit i ka parë si sfidë të cilën Holkerri nuk ka arritur ta përballojë:
"Tragjedia e 17 marsit dëshmoi edhe paaftësinë e UNMIK-ut, por edhe të zotit Holkeri për ta udhëhequr një situatë të tillë," tha Ivanoviç, sipas të cilit duke pasur parasysh mundësinë e përsëritjes së gjërave, vendimi i zotit Holkeri është i kuptueshëm, në mënyrë që në Kosovë të mund të vijë një njeri që do të mund të udhëhiqte situatat e tilla.
Holkeri është kryeadministratori i dytë i Kosovës, pas, danezit Hans Haekkerup që dorëheqjen e tij e shpall jashtë Kosovës. Ramush Tahiri tha se nuk shihte këtu ndonjë simbolikë, por fatkeqësinë e këtij lloji të administrimit që po eksperimentohet në Kosovë, e që nga fillimi nuk ka strategji dalëse.

XS
SM
MD
LG