Ndërlidhjet

ADMINISTRATORI I KOSOVËS JEP DORËHEQJE, KB KËRKOJNË PASARDHËSIN E TIJ


INDEPENDENT

Ngjarjet e marsit i diskredituan Kombet e Bashkuara dhe e treguan pikën e dobët të Holkerit. Pasi fillimisht dhunën e quajti të parëndësishme, ai në mënyrë dramatike e ndryshoi zërin, duke i kategorizuar sulmet si "krime kundër njerëzimit".
Kthesa e ngathtë i konfirmoi opinionet për Holkerin se ai nuk ishtë në rrjedhë të ngjarjeve dhe se ato lehtë e çorientonin. Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ishte i ashpër në vlerësimet e shefit të tij, të cilin privatisht e quajti "jokompetent dhe tejet të painteresuar". "Ai asnjëherë nuk i ka lexuar raportet si duhet, por vetëm kryetitujt", ka thënë ai.
"Neve në mënyrë dëshpëruese na duhet Chriss Patteni apo Lordi George Robertson. Me njerëz të kalibrit të këtillë, nuk mund të shkojmë përpara", ka thënë zyrtari i Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i tillë nga brendia e organizatës është i kuptueshëm. Pas fillimit të suksesshëm të kujdestarisë së NATO-s në Kosovë, prej nga forcat serbe u zbrapsën në vitin 1999, misioni i Kombeve të Bashkuara e ka humbur rrugën e vet nën drejtimin e liderëve joinspirues apo arrogantë.
Derisa Bernard Kouchner nga Franca shihej si tepër i butë ndaj akteve hakmarrëse të shqiptarëve kundër pakicës serbe në Kosovë, pasardhësi i tij, Hans Haekkerup nga Danimarka shihej si anti-shqiptar.
Pasardhësin e Haekkerupit, Michael Steinerin nga Gjermania, pothuajse askush nuk e pëlqente shkaku i stilit të tij autokrat.
Zoti Holkeri u përpoq të paraqesë një virtyt të përvojës së tij kur në muajin gusht arriti në Kosovë. "Përparësia ime ndaj të tjerëve është se asnjëherë më parë nuk kam qenë në Kosovë", tha ai.
Por pak kohë mas marrjes së detyrës, ekonomia vazhdoi tatëpjetën, pjesërisht shkaku i prishjes së planit të privatizimit. Shërbimet publike mbetën kaotike, me ndërprerje të shpeshta të ujit dhe energjisë elektrike. Ndërkohë, bisedimet politike për statusin final të Kosovës nuk janë askund, ndërsa Beogradi e ka ndjerë dobësinë e Prishtinës për ta thënë fjalën e vet në çështjen e lartpërmendur.
Qarqet e Kombeve të Bashkuara thonë se kur të zgjidhet shefi i ri, do të ketë më pak tolerancë për mospërvojën e tij. Ata duan një ekspert të rajonit, i cili mund të presë respekt si nga shqiptarët, ashtu dhe nga serbët, dhe parapëlqejnë që ai të jetë nga vendet e Bashkimit Evropian.
"Ne do të dëshironim një britanik", ka thënë zyrtari i Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG