Ndërlidhjet

ULET NUMRI I FËMIJËVE TË BRAKTISUR DHE RRITET NUMRI I BIRËSIMEVE


Nadije Ahmeti, Prishtinë

"Mami, mami.." Ky është zëri i Blerinës trevjeçare, e cila është strehuar në qendrën tranzite SOS Kinderdorf, në pritje të birësimit të saj. Aktualisht në Kosovë egzistojnë 45 fëmijë që janë braktisur nga prindërit. 37 prej tyre gjenden në qendrën tranzite,nëdrsa 8 të tjerë gjenden në Klinikën Obstetriko-Gjinekologjike në Prishtinë.Sejdullah Hoxha, drejtor i kësaj klinike thotë se që nga viti 2000, 269 foshnje janë braktisur në këtë klinikë.
" Në vitin 2000 kanë qenë 96 fëmijë të braktisur, në vitin 2001 67 fëmijë të braktisur, në vitin 2002 50 fëmijë të braktisur, në vitin 2003 43 fëmijë, ndërsa nga 1 janari deri në 20 maj të këtij viti janë lënë tek ne 13 fëmijë".
Doktor Hoxha thotë se numri i fëmijëve të braktisur është zvogëluar në vitet e fundit dhe sipas tij arsyet janë nga më të ndryshmet.
"Në çdo vend në kohën e tranzicionit zakonisht kemi kështu dukuri. Arsyeja tjetër është se ka arsimim më të madh të femrës, u bëmë 5 vjet pas luftës, kështu që ma merr mendja këtu ka ndikuar propaganda, mediat etj. Me një fjalë nuk vijnë direkte tek lindja meqë funksionojnë të gjitha institucionet shëndetësore dhe aty supozimi im është që përveç kësaj ndërpritet me kohë shtatzania, gjë që nuk ka qenë dukuri në të kaluarën."
Edhe Teuta Mulliqi, udhëheqëse e qendrës tranzite SOS Kinderdorf në Prishtinë është e këtij mendimi. Ajo thotë se në bazë të të dhënave të deritanishme, mosha mesatare e nënave që braktisin fëmijët është nga 18-25 vjeç, dhe ato zakonisht vijnë nga rajonet rurale.
"Duke u nisur prej faktit që shumica, nuk po them të gjitha, por shumica e vajzave, apo nënave të cilat braktisin fëmijët vijnë nga mjediset rurale, jetojnë në vise rurale, nën ndikimin e tradicionalizmit, patriarkalizmit, ku më vështirë depërton ndonjë informatë apo ndonjë aksion i shoqërisë në përgjithësi. Është komunitet më i mbyllur, jo aq i hapur".
Qendra tranzite SOS Kinderdorf përbëhet nga 4 shtëpi. Në secilën shtëpi mund të strehohen nga 12 fëmijë.
"Këto muajt e fundit, gjashtë muajt e fundit është ulur dukshëm numri i fëmijëve që pranohen dhe që vendosen në shtëpitë tona. Kjo sigurisht e ka një lloj lidhshmërie edhe me uljen e numrit të braktisjeve të fëmijëve". Zonja Muniqi thotë se disa prej fëmijëve të braktisur tashmë janë birësuar.
"Për fat të mirë adoptimi i fëmijëve ka marë përmasa, por kjo shifër është e ndryshueshme. Prej organizatës sonë ne e llogarisim si numër fluktues, hyrjet daljet dhe fëmijët që janë këtu, i cili sillet rreth 170 fëmijë, të cilët momentalisht nuk gjenden këtu, por po llogarit të gjitha vendosjet zhvendosjet e fëmijëve", thotë zonja Muniqi.
Ministria për Punë dhe Mirëqënie Sociale e ka për obligim që fëmijëve të braktisur t'u gjejë një formë mbrojtjeje. Të paktën kështu thotë Makbule Koci, koordinatore për adoptim dhe strehim familjar.
" Në bazë të disa hulumtimeve që janë bërë prej Institutit të Politikës sociale, janë adaptuar në vitin 2001- 30 fëmijë, në vitin 2002- 101 fëmijë, ndërsa në vitin 2003 sipas të dhënave që kam dhe që kanë ardhur prej qëndrave për punë sociale, janë 61 fëmijë. Sivjet janë 12 fëmijë", thotë zonja Koci.
Sidoqoftë sipas një hulumtimi nga Instituti i Politikës Sociale, në kuadër të kësaj ministrie, braktisja e fëmijëve mund të shihet edhe si rezultat i ndeshjeve mes normave tradicionale dhe mënyrës si jetojnë të rinjtë. Në hulumtim thuhet se shumë familje vendosin ta refuzojnë fëmijën e lindur jashtë martese, për arsye të frikës nga presioni dhe të gjykuarit e shoqërisë.


XS
SM
MD
LG