Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"KOHA PËR NJË PAMJE TË RE TË UNMIK-ut"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, dorëheqja e Harri Holkerit është arsyetuar me shkaqet shëndetësore. Por pavarësisht nga shkaku, çfarë do të thotë ajo për rrethanat e tanishme në Kosovë?

PATRICK MOORE
Mendoj se nga 17-18 marsi u bë e qartë nevoja për një rivlerësim, që diçka kishte marrë fund dhe që erdhi koha për një pamje të re të UNMIK-ut. Ndoshta kjo ishte koha më e mirë për Holkerin që të largohej, para se të vinte më tej në rrezik shëndetin, por edhe mënyrë që të paraqitet një program i ri, një njeri i ri?? Po lexoja tek gazeta londineze Guardian, që disa nga njerëzit në UNMIK shpresojnë që pasardhësi i zotit Holkeri të mos jetë një politikan - pensionist, por dikush që vërtet është ekspert për Ballkanin dhe mendoj që ky do të ishte një fillim mjaft i mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se shefi i ri i UNMIK-ut do të emërohet pas transformimit të Misionit Civil të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Si i komentoni ju këto paralajmërime?

PATRICK MOORE
Sapo e diskutuam se ka ardhur koha për ndryshim. Dhe ndoshta mund të ketë një lloj ri-struktuimi të UNMIK-ut, mund të quhet edhe ndryshe, mund të ketë ndryshime të roleve. Ata që kanë në dorë këto gjëra mund të bëjnë ç'të duan. Por gjëja më e rëndësishme është që pavarësisht se si e quajnë, pavarësisht se si do ta strukturojnë, më shumë pushtet t'u jepet zyrtarëve vendorë të zgjedhur në mënyrë demokratike, ndërkaq ngjarjet e 17 dhe 18 Marsit të mos përdoren si justifikim për krijimin e strukturave të reja të tipit kolonialist, për zgjatjen e pranisë së të huajve dhe për shtimin e numrit të tyre, por t'i transferohet pushteti strukturave të zgjedhura në mënyrë demokratike. E vetmja mënyrë që njerëzit të mund të ndërtojnë demokracinë, është që ta mësojnë atë duke e praktikuar, gjë që nuk mund të realizohet nëse ka një strukturë kolonialiste të drejtuar nga të huajt që merr vendimet në vendin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kohëve të fundit gjithnjë e më shumë flitet për transformimin e UNMIK-ut, por edhe për një rol më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë. Kosovarët nuk i kundërvihen kësaj, por thonë se në të gjitha proceset e ardhshme të pranishme duhet të jenë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilave u besojnë më së shumti. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Sigurisht që duhet të ketë një prani amerikane aty, kjo është mëse e qartë. Nëse kosovarët këtë e duan dhe nëse qeveria jonë është e gatshme për të qenë e pranishme në Kosovë, atëhere kjo është çështje dhe vendim i kosovarëve dhe amerikanëve dhe fare jo e Brukselit. Kemi parë kohët e fundit në Bosnje për shembull, që disa përfaqësues në Bashkimin Evropian u zemruan dhe u nevrikosën shumë me faktin që disa udhëheqës boshnjak donin që prania amerikane të vazhdonte në këtë vend edhe pas transformimit të SFOR-it në një projekt evropian. Njerëzit në Bosnje kanë të drejtë të marrin vetë vendimet se kë duan në vendin e tyre, dhe Shtetet e Bashkuara kanë politikën e tyre, pavarësisht nga ajo që mendohet në Bashkimin Evropian. Ajo që dua të nxjerr në pah si në rastin e Bosnjes ashtu edhe në rastin e Kosovës është që modeli i cili u diskutua 3-4 vjet më parë, në bazë të të cilit Shtetet e Bashkuara do largoheshin nga Ballkani dhe do ti'a linin prezencën ndërkombëtare Bashkimit Evropian, nuk mendoj që është ende i vlefshëm. Së pari Shtetet e Bashkuara kanë rishikuar interesat e tyre pas 11 shtatorit dhe zbuluan se në Ballkan ende kanë disa interesa reale që lidhen me terrorizmin dhe kriminelët e luftës. Pra do të ketë një vazhdimësi të një lloj pranie amerikane. Ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen më baza të mëdha apo një numër të madh ushtarësh, por do të ketë një prani amerikane aty. Në këtë rast do të isha jo i ndershëm nëse nuk do të thoja se ka shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që tash shtrojnë disa pyetje për Bashkimin Evropian. Ne shohim për shembull që udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian shprehen që BE-ja duhet ta përkufizojë veten në anën e kundërt me Shtetet e Bashkuara, se BE-së i pëlqen të hapi çështje gjyqësore ndaj kompanive amerikane, ose të dëgjojmë njerëz në BE të flasin si një herë e një kohë sovjetikët. Gjithë kjo bëhet për t'ua marrë epërsinë ekonomike amerikanëve deri në vitin 2010. Shohim gjithashtu që BE-ja, e udhëhequr nga francezët dhe gjermanët, kundërshton Amerikën në disa çështje jetësore të luftës dhe paqes. Këto gjëra do të ngrenë pyetje në mediat amerikane, në diskutimet amerikane dhe mendoj se duhet të arrijmë të kuptojmë dhe të pranojmë që këto diskutime do të vazhdojnë. Ajo që po them është që 2 gjëra kanë ndryshuar këto vite: së pari shumë amerikanë shohin një nevojë për një rol afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, dhe së dyti se tash kemi disa çështje shumë serioze për t'i shtruar dhe diskutuar rreth angazhimeve tona afatgjata dhe përputhshmërisë së interesave tona me ato të Bashkimit Evropian.

Intervistoi: Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG