Ndërlidhjet

SCHEFFER: NATO NUK LARGOHET NGA BALLKANI PA PËRFUNDUAR PUNËN


Sefer Tahiri, Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jaap de Hoop Scheffer tha se NATO-ja do të vazhdojë me angazhimin e saj në Kosovë.
"Veçanërisht pas ngjarjeve të marsit është përforcuar vendosmëria jonë që ta përfundojmë me sukses misionin tonë atje. Tani jemi shumë thellë të inkuadruar në procesin politik në Kosovë. NATO-ja nuk do të largohet nga Ballkani pa e përfunduar punën e saj," tha duke folur para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Scheffer tha se dera e Aleancës Veri-Atlantike do të mbetet e hapur për vendet e Ballkanit edhe pas Samitit të Stambollit.
“Pres që në Samitin e NATO-s që do të mbahet muajin e ardhshëm në Stamboll, shefat e qeverive apo të vendeve anëtare të NATO-s të japin një sinjal pozitiv për vendet nënshkruese të Kartës së Adriatikut, ndërsa Maqedonia është në rrugën e vërtetë për anëtarësim”,tha Scheffer.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se jetësimi i përfaqësimit të drejtë të të gjitha bashkësive etnike në administratën shtetërore mbetet qëllim kyç.
"Gjithashtu duhet të përforcohet sundimi i së drejtës,duhet të vazhdojë luftimi i krimit të organizuar duke përfshirë tregëtinë me njerëz dhe larjen e parave, si dhe lufta kundër korrupsionit. Për realizimin e këtij qëllimi është i nevojshëm sistemi i fortë gjyqësor ndërsa zbardhja e rastit Vreshtat e Rashtakut është sinjal i rëndësishëm në këtë drejtim," tha Scheffer.
Ndërkohë kryetari i Maqedonisë, Branko Cervenkovski shprehu bindjen se mbështetja e NATO-s për integrimin e vendit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Pritjet tona nga Samiti i Stambollit nuk janë spektakulare, megjithatë presim mesazh të qartë politik se në raundin e ardhshëm zgjerues Maqedonia së bashku me anëtaret e tjera të Kartës së Adriatikut do të ftohet për t’u anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike”, tha Cervenkovski.
Ndërkohë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, duke e komentuar vizitën e Schefferit në Shkup, deklaroi se: “Zoti Scheffer ishte shumë i drejtpërdrejtë që duhet të ketë reforma të thella në gjyqësi dhe përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve në administratën shtetërore”.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Ilinka Mitreva tha se Republika e Maqedonisë është partner i sigurtë i NATO-s.
“Së bashku konstatuam se bëhet fjalë për arritjen e rezultateve të rëndësishme në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit, jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit e parasëgjithash në përpjekjet e Maqedonisë për t’i plotësuar kriteret e NATO-s për t'u bërë anëtare e barabartë e saj," tha Mitreva.

XS
SM
MD
LG