Ndërlidhjet

logo-print

DECENTRALIZIMI I PUSHTETIT VENDOR KA NGECUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Si shumë procese të tjera edhe decentralizimi i pushtetit në Kosovë ka ngecur qoftë për shkak të trazirave të marsit, qoftë për shkak të varianteve të shumta që janë prezantuar kohët e fundit për modelet e decentralizimit. Përfaqësuesit shqiptarë dhe ata serbë të komunave të Kosovës, kanë qasje të ndryshme sa i përket modelit të decentralizimit që duhet zbatuar në Kosovë.
Lutfi Haziri, kryetar i Shoqërisë së Komunave të Kosovës tha se decentralizimi duhet të bëhet sipas nevojave të komunave.
"Tanimë është vendosur dhe komunat janë mbështetëse të mëdha të reformave në administratën lokale përmes një grupi të ekspertëve, i cili do ta punonte këtë dokument mbi bazën e nevojave që kanë komunat e Kosovës, duke përfshirë edhe zgjidhjen e problemeve të komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë", tha zoti Haziri, sipas të cilit ligji për qeverisjen lokale do të ishte rruga më e sigurt, më afatgjatë dhe më e qartë për vendosjen e institucioneve të qëndrueshme lokale. Mirëpo nënkryetari i komunës së Leposaviçit, Nebojsha Radulloviç tha se për serbët është i pranueshëm vetëm plani i qeverisë së Serbisë.
"Ajo që presin serbët është që të pranohet plani i qeverisë së Serbisë dhe të hiqet dorë nga projekti i Kosovës multietnike", tha Radulloviç, pasi sipas tij gjatë 5 vjetësh administrimi ndërkombëtar Kosova po bëhet etnikisht e pastër. Prandaj thotë ai duhen formuar më shumë komuna të vogla ku serbët do të kishin shumicën. Ndërkohë sipas tij plani i qeverisë së Serbisë nuk parasheh kurrfarë ndarjeje të Kosovës prandaj nuk është i rrezikshëm.
Mirëpo zoti Haziri, që është edhe kryetar i komunës së Gjilanit tha se është kundër zbatimit të parimit etnik me rastin e decentralizimit.
"Parimi etnik është i papranueshëm në Kosovë, sepse hap dilema të zgjidhjeve të problemeve etnike në rajon, jo vetëm në Kosovë".
Zoti Haziri tha se aplikimi i decentralizimit sipas Marrëveshjes së Ohrit për Maqedoninë, një tezë kjo e lancuar nga përfaqësues të grupit të përbashkët punues të UNMIK-ut dhe qeverisë, nuk është adekuat për rastin e Kosovës. Në kuptimin e zgjidhjes së problemeve etnike, Marrëveshja e Ohrit mund të ketë një kuptim në zgjidhjen e përfaqësimit numerik, por ajo është marrëveshje e luftës, ndërsa në Kosovë kemi të bëjmë me një politike multi etnike, tha zoti Haziri. Ndërkohë nënkryetari i komunës më veriore të Kosovës me shumicë serbe, Nebojsha Radulloviç tha se ishte skeptik sa i përket angazhimit të institucioneve të Kosovës për decentralizimin.
"Institucionet e Kosovës deri tani kanë bërë gjithshka që Kosova të jetë njëetnike, pasi multietniciteti nuk është në interesin e tyre praktik", tha Radulloviç.
Mirëpo zoti Lutfi Haziri tha se jo vetëm që beson se administrata lokale shumëetnike është e mundshme, por i sheh si mundësi të vetme për rajonet e përziera, pasi sipas tij, "rruga tjetër e legalizimit të sistemit paralel në Kosovë përmes çfarëdo forme të reformës do të jetë atak në politikën dhe në investimet e mëdha që janë bërë në Kosovë në ndërtimin e kësaj shoqërie.
E kundërta do të çojë në deintegrimin e komuniteteve, në ndarje të vrazhdë të komuniteteve dhe do të mbetet hapur problemi i bashkëjetesës në Kosovë dhe i normalizimit të jetës në përgjithësi", tha zoti Haziri, duke e marrë si shembull të keq të funksionimit administratat njëkombëshe në pjesët veriore të Kosovës.


XS
SM
MD
LG