Ndërlidhjet

logo-print

MALOKU:MODELI I OHRIT-OFERTË SERIOZE PËR SERBËT


Fadil Maloku, kryetar i Institutit Demokratik për Relacione Etnike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, cila është sipas jush gjendja aktuale e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë?

FADIL MALOKU
Mendoj që 17 marsi gjithsesi komunitetit serb i ka krijuar një pretekst të ri për të krijuar këtë distancë ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve. Raportet janë të ngrira, në kuptimin që nuk ka komunikim institucional. Serbët, në njëfarë mënyre kanë bojkotuar të gjitha institucionet dhe në këtë gjendje, unë mendoj që diskursi politik shqiptar do duhej të bënte një ofertë të re në kuptimin e integrimit, apo të shqyrtimit të mundësive të integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët ndërkohë kanë vazhduar të bojkotojnë institucionet e Kosovës dhe ky bojkot ka filluar edhe para 17 marsit për shkak të pikturave në Kuvendin e Kosovës. Cila sipas jush është rruga për rikthimin e tyre edhe në institucione, por edhe në proceset e tjera të përgjithshme?

FADIL MALOKU
Unë konsideroj vetë faktin që as nga ana e institucioneve të Kosovës, as nga administrata e UNMIK-ut, e as nga diskursi politik kosovar, nuk ka patur ndonjë ofertë serioze. Unë mendoj që oferta për integrimin e serbëve duhet të jetë një ofertë serioze, e cila dosido do t'u mundësonte integrimin në këtë konfiguracionin e ri i cili është projektuar përmes standardeve. Mirëpo ne kohëve të fundit kemi dhe një ofertë, e cila unë mendoj se është oferta e parë serioze e dalë nga diskursi politik i PDK-së, konkretisht nga lidershipi i saj zoti Hashim Thaçi.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendët këtë propozim të fundit, në disa raste është përmendur rregullimi i raporteve sipas modelit të Marrëveshjes së Ohrit. Cili është mendimi juaj për këtë?

FADIL MALOKU
Sikur nga ky aspekt, projekti apo ideja e integrimit të brendshëm të grupimeve nacionale sipas modelit të Ohrit, nuk do të mund të ishte jashtëkohor dhe i pandryshuar në përputhje me cilësitë apo kriteret të ashtuquajtura kulturore, besimeve, vlerave, normave, simboleve, gjuhës, etj, që unë mendoj në këtë fazë nuk ka të bëjë me autonominë kulturore, ashtu siç trumbeton establishmenti politik i Koshtunicës dhe disa mediume serbe. Nëse analizohet ky projekt, unë mendoj se është projekt serioz, jo në kuptimin e imitimit të çdo paragrafi të kësaj marrëveshjeje, por në kuptimin e ofertës. Aty unë mendoj që qëndron madhështia e këtij propozimi. Marrëveshja e Ohrit nëse bëhet një analogji me Kosovën, unë mendoj se së pari, tërësisht dhe pakushte pretendon ta hedhë dhunën për realizimin e qëllimeve politike, që në rrethanat tona i eleminon ato paradispozitat të një klime dhe situate të pasigurisë, jostabilitetit dhe kthimit kah vetvetja që i ka përcjellë shqiptarët, qytetarët e Kosovës gjatë kësaj periudhe pas luftës. Së dyti mendoj argumentin e diskriminimit pozitiv etnik që favorizoi korniza kushtetuese, tani sa vjen do të mund ta minimizonte deri në ato masa që përfaqësimi i grupimit etnik serb më nuk mund të prejudikohet përmes llogjikës së diskriminimit pozitiv, por tani do të vijnë shprehjet një votë një qytetar.
Së treti favori i Marrëveshjes së Ohrit në rastin e Kosovës për mendimin tim do ta zhbënte apo eleminonte praktikën e deritanishme të emërimeve dhe shkarkimeve të anëtarëve të asamblesë komunale, jashtë dhe pavarësisht protokollit të institucionit apo mekanizmit të zgjedhjeve. Së katërti ofertën për kantonizim nga ana e serbëve do ta bënte të padiskutueshme, edhe me vetë faktin se administrata qëndrore dhe jo ajo periferike, do të ishte alfa dhe omega e zhvillimeve të mëtejme demokratike të Kosovës. Së pesti konsideroj që sovraniteti, i cili në periudha të ardhshme të integrimeve globale dhe kompaktësia territoriale së bashku me tërësinë etnike, do të mund të konservoheshin edhe për një kohë të gjatë, domethënë është fjala për anën e diskursit politik kosovar. Së gjashti mendoj aplikimi i formulës së shtetit qytetar, sundimit të ligjit dhe rendit demokratik, do të afronte Kosovën shumë më afër derës së integrimeve rajonale dhe sidomos atij synimit të përgjithshëm që e kanë të gjitha shtetet postkomuniste, integrimit në bashkësinë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, po sipas jush sa do të mund të ishte e pranueshme një ofertë e tillë për serbët e Kosovës dhe cilat janë favoret që ata mund të nxjerrin nga kjo?

FADIL MALOKU
Unë konsideroj reagimet e opinionit publik me vetë faktin që ata konsiderojnë edhe mediumet, edhe diskursi politik serb konsiderojnë që oferta e Marrëveshjes së Ohrit është një ofertë që është shumë serioze. Unë mendoj që kjo është një ofertë e mirë. Jo ofertë që të merret çdo paragraf i Marrëveshjes së Ohrit edhe të vendoset këtu në Kosovë. Por mendoj se deri tani është oferta më serioze që është bërë nga ana e palës shqiptare në raport edhe me administratën e UNMIK-ut, edhe me faktorin ndërkombëtar, edhe me establishmentin politik të serbëve lokalë. Serbët insistojnë, kanë projektin e decentralizimit, e kishin më herët dhe të kantonizimit. Decentralizimi unë mendoj është një derë e vogël që është de fakto mos them dhe de jure autonomi territoriale. Autonomia territoriale është një koncept tjetër, një projekt tjetër, që nuk u ofron të njëjtin trajtim dhe status, as politik, as juridik, as ekonomik, serbëve lokal në integrimet e ardhshme në identitetin shtetëror, të cilin po e pretendojmë ta ndërtojmë ne të gjithë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojnë sipas jush marrëdhëniet aktuale ndërmjet serbëve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, për përmbushjen e standardeve si rrugë drejt statusit përfundimtar?

FADIL MALOKU
Unë kam thënë disa herë që çështja e standardeve është vetëm blerja e kohës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare për mendimin tim nuk e ka të qartë ende, por unë konsideroj që definitivisht çështja e standardeve para statusit është një blerje kohe për ta arritur integrimin. Konkretisht unë mendoj që ky është aludimi tek integrimi i serbëve, për shkak se në kuadër të standardeve, të tetë standardeve, pjesa më e rëndësishme është integrimi i serbëve në identitetin e ri, të cilin do ta ndërtojë Kosova.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG