Ndërlidhjet

logo-print

BE ZËVENDËSON OKB- PO APO JO?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit kosovarë e kanë vlerësuar pjesërisht të pranueshëm propozimin e liberalëve gjerman, për shqyrtimin e një strategjie përmes së cilës do të bartej sovraniteti i Kosovës te Bashkimi Evropian. Kjo strategji është prezantuar sot në Prishtinë në një tryezë të organizuar nga fondacioni “Fredrih Nauman”, dhe elaboruar nga Michael Linke, anëtar i Partisë Liberale Gjermane, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të shoqërisë civile.
Michael Linke tha se ka shumë opcione për Kosovën, por tre prej tyre duken të parealizueshme, prandaj sipas tij, është e domosdoshme që në funksion të lëvizjes së proceseve përpara, Kosova të dorëzojë sovranitetin e vet te BE-ja:
"Sipas vështrimit tonë, aktualisht janë tre opcione të pamundshme. E para, kthimi i Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, e dyta pavarësia e plotë e Kosovës si dhe e treta, vazhdimi me gjendjen aktuale”, tha Linke, duke shtuar se që të tre këto opcione, janë të pamundshme të realizohen. Prandaj, si zgjidhje, Linke propozoi që përmes nxjerrjes së një Rezolutë të re, Këshilli i Sigurimit t'ia marrë sovranitetin mbi Kosovën, Unionit Serbi e Mali i Zi, dhe ta bartë këtë sovranitet te Bashkimi Evropian. “Kosova ndoshta nuk mund të jetë një anëtare e ardhshme e Kombeve të Bashkuara, por ajo mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Linke.
Çështja e Kosovës, tha ai, nuk i përket vetëm Kosovës, vetëm Serbisë apo vetëm një vendi të caktuar. Për këto arsye, ai tha se strategjia e propozuar parasheh që duke e pamundësuar pavarësinë e Kosovës, por edhe kthimin e sovranitetit të Serbisë në Kosovë, të kënaqen të dy palët, si Prishtina ashtu edhe Beogradi, e njëkohësisht dhe palët dhe interesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe rajoni.
Duke u ndërlidhur në këtë propozim, Halit Muharremi, këshilltar i presidentit të Kosovës, tha se nuk sheh kurrëfarë justifikimi që kosovarët të largohen nga përcaktimi i tyre i shprehur me anë të referendumit për pavarësinë e Kosovës.
“Mendoj se është “non-sens”i llojit të vet që të hulumtohen modele tjera të statusit të Kosovës, vetëm e vetëm se këtë e kërkon një shtet fqinj, i cili siç po duket akoma nuk e ka kuptuar se koha e kolonive dhe kolonizimeve ka mbaruar”, tha Muharremi.
Ndërkohë, Ministri i Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës, Jakup Krasniqi nuk e hodhi poshtë idenë e propozuar, por kërkoi që aty të përfshihen dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që opcioni në fjalë të jetë më i pranueshëm dhe për popullin e Kosovës. “Bashkimi Evropian, të mos ndahet shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për faktin se kontributi amerikan për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë ka qenë i madh dhe mendoj se shumë procese në Kosovë do të kalonin më shpejt dhe me më pak dhimbje me inkuadrimin e SHBA-ve”, tha ministri Krasniqi.
Po ashtu edhe, Ramush Tahiri, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se strategjia e propozuar është ide e mirë, dhe se sipas tij zbatimi i saj nuk e pengon pavarësinë e Kosovës për një periudhë më të gjatë kohore:
“Pasi synimi ynë është integrimi në Bashkimin Evropian duket e pranueshme që me kërkesën legale të ndërrohet Rezoluta 1244 dhe që Kosova të kalon nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian”, tha Tahiri.
Strategjia e propozuar nga liberalët gjermanë, sipas Michael Linke, është një dokument në përfundim e sipër që do t’i prezantohet për miratim Bundestagut gjerman, në mënyrë që më pas, Gjermania të shtronte këtë çështje në Këshillin e Sigurimit. Përmes kësaj ideje, parashihet që BE-ja do të merrte përsipër punët e jashtme dhe mbrojtjen e Kosovës, përderisa kosovarët në aspektin afatmesëm në mënyrë progresive do t’i marrin përgjegjësitë për të gjitha aspektet e administrimit vendor. Strategjia parasheh fundin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, kurse vazhdimin e misionit të NATO, respektivisht KFOR-it me qëllimin e njëjtë që ka sot, ruajtjes së paqes dhe krijimin e ambjentit të sigurtë për të gjithë në Kosovë.


XS
SM
MD
LG