Ndërlidhjet

ISUFI: VARFËRIA NË KOSOVË DUHET T'I ALARMOJË TË GJITHË


Ahmet Isufi, Ministër për Punë dhe Mirëqenie Sociale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, Banka Botërore ka dalë me të dhënat e fundit mbi varfërinë në Kosovë. Sipas një hulumtimi të kësaj banke del se varfëria është duke u rritur në të gjitha segmentet e saj. Si i përgjigjeni ju si ministri këtij hulumtimi?

AHMET ISUFI
Ne si ministri e kemi vënë alarmin për gjendjen edhe më herët. Qytetarët e Kosovës gjenden në gjendje të vështirë dhe kjo ndodh për shkak të ngecjes së proceseve në të gjitha fushat. Konsiderojmë se në të ardhmen, duke marrë parasysh këtë gjendje, ne do të kemi vështirësi edhe më të mëdha dhe nuk e di se si do të dalim nga ky proces. Këtë e them për arsye se hulumtimet brenda ministrisë kanë dhënë shenja se ka ngritje të asistencës sociale, të familjeve që lajmërohen për asistencë sociale për shkak të gjëndjes shumë të vështirë. Shifrat prej 52 për qind të varfërisë dhe 15 për qind të varfërisë ekstreme tregojnë një ngritje të varfërisë në Kosovë, gjë që nuk duhet të jetë alarmante vetëm për opinionin kosovar dhe institucionet e Kosovës, por veçanërisht për ato ndërkombëtare, sepse nga gjendja socio- ekonomike kemi edhe ngatërrime të proceseve në përmasa të Kosovës, por këto reflektohen dhe në përmasa të rajonit dhe në përgjithësi të Evropës.
Kjo ka ndodhur për shkak se është bërë një shkatërrim ekonomik. Ne edhe ashtu kemi dalë të varfër nga lufta, ndërsa është shtuar varfëria për arsye se kemi kontigjente të reja të rinisë të papunë. Ndërsa në të njëjtën kohë kemi një stagnim të plotë ekonomik, pasi as procesi i privatizimit, as proceset e tjera, të cilat kanë qenë në një shkallë të duhur për të ecur përpara, nuk kanë ecur. Prandaj, kjo duhet të jetë shqetësim edhe për UNMIK-un, që në këtë rast administron në Kosovë. Në të njëjtën kohë kemi një gjendje të vështirë të përgjithshme, pasi nuk ka hapësira të mjaftueshme ekonomike për t'u zhvilluar vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë rrugët që duhen ndjekur për zbutjen e kësaj varfërie, veçanërisht asaj ekstreme, e cila ka arritur deri në 15 për qind?

AHMET ISUFI
Rruga e vetme që do të duhej të ishte janë investimet e reja, qoftë investimet vendore, apo nga ato të huajat, që do të mund të rikëmbin këtë ekonomi. Po ashtu problem tjetër që duhet theksuar është se duhet të jetë një hapje më të madhe të Kosovës ndaj vendeve tjera, por kjo nuk mundësohet për shkak të mungesës së statusit të Kosovës. Ne kemi bërë kërkesa që një numër i të rinjve kosovarë të kenë mundësi dhe të shkojnë në vende të tjera dhe të punojnë në mënyrë sezonale, vetëm që të krijojnë hapësira dhe mundësi për të punuar në botën e jashtme. Kjo nuk është avansuar për arsye se mungon statusi i Kosovës dhe ne nuk po mundemi të nënshkruajmë asnjë marrëveshje bilaterale me vendet e tjera. Edhe kjo është e pakuptueshme për ne, për arsye se ne kemi nevojë për një hapje të mirëfilltë ndaj Evropës dhe Evropa duhet të na pranojë si qytetarë të saj, vend i cili duhet të jetë i zhvilluar dhe jo me kriza.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas të dhënave të ministrisë suaj, sa është shporta mujore e kosovarëve dhe sa është paga e tyre mesatare?

AHMET ISUFI
Vlera e një shporte mujore arrin 37-38 euro, ndërsa paga mesatare arrin deri në 120 euro, që është një nivel shumë i ulët i asaj që quhet vlerë e plotë. Për të pasur një mirëqënie më të madhe, me krizën që ka Kosova, ky nivel është shumë i ulët në krahasim me shumë vende të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa familje janë në përkujdesje sociale të ministrisë suaj dhe cilat janë kriteret që duhet të përmbushen për të siguruar ndihmën sociale?

AHMET ISUFI
Tani kemi rreth 52 mijë familje, të cilat mbahen nga asistenca sociale në Kosovë. Kemi edhe kategori të veçanta të cilat mbulohen me ligje që janë nxjerrë në Parlametin e Kosovës, siç janë pensionistët në këtë rast dhe kategoria më një rregullore që ka egzistuar deri tani, për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe kategori të tjera. Ndërsa, tani ka kaluar në qeveri ligji për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, po ashtu ne kemi qasje tek kategori të veçanta, të cilat kanë nevojë për ndihmë, sidomos përmes shoqatave dhe organizatave joqeveritare, të cilat në ndonjë rast i ndihmojmë për aktivitete të ndryshme.
Kriteret, të cilat kërkohen nga ligji i aprovuar nga Parlameti i Kosovë janë: së pari familja, e cila kërkon ndihmë sociale nuk duhet të këtë të punësuar, çdo fëmijë nën moshën pesë vjet, i cili nuk i ka prindërit e punësuar ka të drejtën e ndihmës socile. Kjo është një qasje jo e mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha kategoritë dhe të gjithë njerëzit që kanë nevojë në Kosovë, mirëpo duke marrë parasysh buxhetin e Kosovës, që një e pesta shkon në ndihma dhe pensione kjo është një barrë e rëndë për një vend të pazhvilluar. Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik, për investime në shëndetësi, arsim, në segmente, të cilat janë të nevojshme për Kosovën, por nuk mundemi t'i lemë njerëzit pa një përkujdesje shoqërore.

Intervistoi Nadie Ahmeti
XS
SM
MD
LG