Ndërlidhjet

REXHEPI: PJESËMARRJA E SERBËVE NË INSTITUCIONE E DOMOSDOSHME PËR KRIJIMIN E BESIMIT NDËRETNIK


Rrahman Paçarizi, Kastriot, ish-Obiliq

Që nga e hëna disa familje serbe nga Kastrioti përkatësisht Obiliqi do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre të rindërtuara, është thënë sot në kuvendin komunal të kësaj qyteze pas një bashkëbisedimi disa orësh të qytetarëve serbë me strukturat komunale dhe me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi, me shefen e zyrës amerikane Marcie Ries, kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi dhe përfaqësuesin e Javier Solanës në Kosovë, Fernando Gentilini.
Shefja e zyrës amerikane Marcie Ries tha se dëshironte ta bënte të qartë qëndrimin amerikan lidhur me Kosovën:
"Bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht po punojmë shumë për të ndërtuar shoqëri shumetnike, ndërsa dialogu i këtillë është një nga elementet vendimtare," tha zonja Ries, duke e quajtur një tragjedi atë që ka ndodhur gjatë marsit, mirëpo, shpresojmë se përmes dialogut ndëretnik do të arrihen të tejkalohen pasojat e marsit.
Ndërsa kryeministri Bajram Rexhepi tha se dialogu i brendshëm dhe pjesëmarrja e serbëve në institucione janë të domosdoshme për të ndërtuar besimin ndërmjet komuniteteve:
"Ne konsistojmë në atë se pa bashkëbisedim, pa dialog të brendshëm dhe pa pjesëmarrjen e tyre aktive në struktura komunale dhe të tjera, është vështirë të ndërtohet besimi, prandaj kjo është e domosdoshme".
Një nga pjesëmarrësit e takimit, Milorad Jakshiç tha se nga kryeministri i Kosovës kishin kërkuar më shumë siguri për t’u kthyer në shtëpitë e tyre:
"Kemi folur me kryeministrin dhe kemi kërkuar siguri për t’u kthyer në vatrat dhe shtëpitë tona".
Duke iu përgjigjur, kryeministri Rexhepi tha:
"Ne morëm kërkesat për siguri, mirëpo ne ato kërkesa do t’ua përcjellim KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut që kanë kompetenca në këto fusha".
Sidoqoftë, kryetari i komunës së Kastriotit, përkatësisht Obiliqit, Ismet Hashani tha se ishte i inkurajuar nga pjesëmarrja e serbëve në takim dhe gatishmëria e tyre:
"Ajo që impresionon ështëse takimi ishte edhe me qytetarë të komunitetit serb, të cilët edhe deklarativisht thanë se janë qytetarë të Kosovës dhe këtu kemi edhe një obligim më të madh dhe që nga e hëna do të kemi disa objekte në të cilat mund të kthehen qytetarët."
Përfaqësuesi i Javier Solanës në Kosovë, Fernando Gentilini tha se rindërtimi i shtëpive të shkatërruara dhe dialogu ndëretnik janë prioritetet më të larta, ndërsa kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se dialogu ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është i domosdoshëm për të jetësuar një varg procesesh prioritare:
"Mendoj se takimet e tilla duhet të ndodhin në gjithë Kosovën të mënyrë që të sanohen pasojat e zhvillimeve të marsit, të vazhdojë procesi i rindërtimit, të vazhdojë dialogu i brendshëm dhe të vazhdojë procesi i kthimit të njerëzve në shtëpitë e tyre."
Serbët që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pas trazirave të marsit, shprehen të gatshëm për t’u kthyer:
"Të gjithë ne që jemi shpërngulur dhe përzënë duam që të kthehemi dhe të jetojmë normalisht në shtëpitë tona," tha Milorad Jakshiç, mirëpo, Snezhana Karaxhiç, qytetare e Kastriotit, drejtoreshë e zyrës për komunitete në UNMIK, tha se agjenda e punës duket paksa e mbrapshtë:
"Po flasim për sanimin e dëmeve, bëjmë kategorizimin e shtëpive e të tjera, por nuk po flasim për sigurinë e njerëzve dhe për faktin se sa do të jenë ata të sigurt nëse kthehen në shtëpitë e tyre," tha Snezhana Karaxhiç, sipas të cilës së pari është dashur të krijohet siguria e pastaj të flitet për rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e të zhvendosurve.


XS
SM
MD
LG