Ndërlidhjet

I.BERISHA: NDËRKOMBËTARËT BARTIN PËRGJEGJËSINË, POR JO EDHE PASOJAT


Ibrahim Berisha, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha cilat sipas jush janë pasojat e ngjarjeve të marsit, shikuar nga perspektiva e më se dy muajve?

IBRAHIM BERISHA
Nga pozita e një qytetari, që jeton në Kosovë është vështirë të pranohet pasoja e ngjarjeve të marsit. Mundi dhe realiteti i gjatë shqiptar për të mos prekur në objektet e kultit, është rrënuar dhe ky është burim i dëmit më të madh dhe më afatgjatë të ngjarjeve të marsit. Pastaj, mundësia e reformimit është zvogëluar, pasi të gjithë ata që ishin për një proces më të shpejtë të zgjidhjes së statusit më të mirë të mundshëm të Kosovës, janë me më shumë probleme, pasi e kanë më vështirë të mbrojnë pikëpamjet e shoqërisë së Kosovës se është e fortë dhe e përgjegjshme të mbrojë vlerat themelore të civilizimit dhe pluralizmit kulturor.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se me trazirat e marsit janë goditur edhe përpjekjet për shoqëri demokratike. A mund ta analizoni këtë tezë tuajën?

IBRAHIM BERISHA
Po. Projekti demokratik i Kosovës është zbrapsur seriozisht dhe këtë ende nuk e kanë konceptuar drejt qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, madje edhe pjesa dërrmuese e elitës intelektuale, e cila në esencë vazhdon të mbetet tradicionaliste dhe konservatore, duke mos kapërcyer reprodukimet politike populiste. Ka arsye për shqetësim, sepse të gjitha investimet që u bënë për një kohë të gjatë, janë vënë në pikëpyetje dhe kjo shihet edhe me disa nga propozimet e reja, të cilat në vend të pavarësisë ofrojnë zgjidhje kalimtare afatgjata pa afatizim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, si e vlerësoni ju retorikën e shqiptarëve, serbëve dhe ndërkombëtarëve gjatë dhe pas trazirave dhe pasojat dhe ndikimet që ka pasur kjo retorikë?

IBRAHIM BERISHA
Retorika ishte e tillë e dyanshme e një strukture. Reagimet e para për ngjarjet e marsit nga zyrtarët e institucioneve ndërkombëtare, pastaj nga institucionet vendore dhe nga mediat, nuk linin përshtypjen e qartë se cili ishte dimensioni real i asaj që ndodhte, jo në objketin, por në esencë të subjektit qytetar dhe demokratik të Kosovës. Për ngjarjet ka pasur reagime dhe vlerësime, të cilat varësisht se nga cili janë bërë, ndërtuan nuanca dhe referenca të diferencuara dhe konfliktuoze vendorë-ndërkombëtarë, por ka shumë arsye të gjykohet se rrethi i tyre ende edhe sot e kësaj dite ende nuk ka marrë një përgjigje të plotë. Përgjigjet janë kryesisht politikaneske. Në fillim kishim një tendencë që ndërkombëtarët të akuzonin vendorët në tipin shoqëria kosovare pastaj kosovarët, ndërkohë që kryesisht politikanët shqiptarë funksiononin me pasazhin folkloriko-patriotik, duke pretenduar që në këtë krizë të përfitonin sa më shumë ithtarë dhe të zhgënjyer politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e keni kritikuar edhe establishmentin politik të Kosovës, duke thënë se pavarësisht nga kompetencat, përgjegjësitë u takojnë vendorëve, bashkë me pasojat. A mund ta elaboroni këtë tezë tuajën?

IBRAHIM BERISHA
Unë e shikoj këtë në një kontekst edhe historik por edhe praktik. Gjithmonë ka pasur një tendencë nga shqiptarët dhe këtë e kë vërejtur edhe një nga intelektualët e njohur në Amerikë, Çekrezi, që për të gjitha çështjet të akuzohen të tjerët. Natyrisht se ndërkombëtarët kanë përgjegjësi, edhe normative, edhe profesionale edhe teknologjike, por kjo përgjegjësi nuk nënkupton që ata do t’i bartin pasojat. Pasojat do t’i bartin shqiptarët dhe në këtë kontekst, unë them që pjesë e përgjegjësisë dhe pasojave do të jenë vetëm shqiptarët. Nuk ka ndodhur deri më sot që një ndërkombëtar të sanksionohet për përgjegjësinë për bërjen apo mosbërjen e diçkaje. Holkeri ishte, shkoi dhe vendi i tij as fitoi dhe as humbi gjë. Në këtë kontekst mendoj që akuzat dhe energjia që shpenzohet duke akuzuar ndërkombëtarët nga vendorët duhet kthyer në punë, në punë dhe përgjegjësi konkrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, nëse pasojat gjithëherë do t’i bartin shqiptarët, cila atëherë është përgjegjësia e ndërkombëtarëve, pasi ata e kanë rolin kryesor për zhvillimet në Kosovë dhe për ndërtimin e shoqërisë në Kosovë?

IBRAHIM BERISHA
Çështja është se ndërkombëtarët kanë ardhur me një mandate të caktuar dhe natyrisht që nëse ka pasur një inferioritet të madh nga politika shqiptare ndaj ndërkombëtarëve, kjo është pasojë e vetë qasjes së politikës shqiptare. Politika shqiptare duhet të ndërtojë koncepte dhe vizione të qarta realizuese. Unë mendoj që hapi i parë për një Kosovë të bashkuar do të ishte parimi themelor që gjithkush të kthehet në pronën e vet të ligjshme. Kjo në një mënyrë e pamundëson që dikush të mbetet në pronën e tjetrit. Mitrovica mund të bashkohet vetëm mbi këtë parim dhe enklavat të shpërbëhen vetëm mbi këtë parim. Këtë nuk e ka bërë as parlamenti dhe as qeveria. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë pastaj për ata që kanë probleme me vendosjen, por qeveria duhet ta marrë iniciativën në këtë plan.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, trazirat e marsit kanë shkaktuar edhe vlerësime që i kanë akuzuar shqiptarët për spastrim etnik. Si i vlerësoni ju këto akuza?

IBRAHIM BERISHA
Këto janë të pabaza. Mendoj se kjo është filozofia shtetërore e serbëve dhe koncepti i tillë është dëshmuar si i mundshëm për t’u zbatuar thuajse tash e 200 vjet nga serbët. Mirëpo, ky ishte një incident dhe incidentizëm shqiptar, i cili mundohet të barazohet me një politikë zyrtare dhe filozofi shtetërore serbe. Nuk kanë asgjë të përbashkët. Kjo ishte një revoltë, shkaqet e së cilës do të hetohen, por mendoj se nuk ka të bëjë aspak me një politikë zyrtare të dikujt. Asnjë parti politike dhe asnjë institucion nuk qëndron prapa kësaj politike dhe nesër po të vazhdojë kjo gjendje ekonomike dhe ky proces degradues social, nesër në fokus të demonstruesve mund të jenë edhe objektet e shqiptarëve dhe institucionet vendore.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI



XS
SM
MD
LG