Ndërlidhjet

logo-print

NË KËSHILLIN E NATO-S U DISKUTUA PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Kosova sot ka qenë tema kryesore e takimit të Këshillit të NATO-s, organit më të lartë politik të kësaj Aleance.
Para ambasadorëve të 26 vendeve anëtare sot ka folur admirali Gregory Johnson, komandanti i krahut jugor të NATO-s, i cili ka dhënë sqarimet e tij për masat që ka ndërmarrë KFOR-i për të tejkaluar mangësitë e treguara gjatë dhunës së muajit mars. Mësohet se Johnson në raportin e tij para ambasadorëve të NATO-s ka folur dhe për mësimet që janë nxjerrë nga ngjarjet e marsit dhe u ka treguar atyre se çfarë ndryshimesh janë bërë, në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e një dhune të tillë me përmasat që janë parë në muajin mars në Kosovë. Një prej ndryshimeve që janë bërë mësohet të jetë edhe mundësia e dislokimit më fleksibil dhe më të shpejtë të trupave të KFOR-it në terren në rast të nevojës. Burimet ushtarake të NATO-s kanë pohuar se situata e tanishme në Kosovë është nën kontroll dhe KFOR-i është duke tërhequr forcat rezervë shtesë, që i kishte dërguar në mars si masë e jashtëzakonshme. Por vendet anëtare të NATO-s mësohet se i kanë dhënë sot mbështetje komandantit të krahut jugor të NATO-s admiralit Gregory Johnson, që në Kosovë të ketë gjithmonë në pozicion aq forca sa të jetë e domosdoshme për të kryer detyrat që egzistojnë atje. Burimet e NATO-s thonë se të gjithë aleatët në NATO, edhe pse NATO-ja po angazhohet gjetiu jashtë Evropës, e konsiderojnë misionin në Kosovë si prioritar. Pos aspektit të sigurisë dhe atij ushtarak në Kosovë, NATO-ja thotë se është duke ndjekur për së afërmi edhe situatën politike, dhe mbështet punën e ambasadorit Robert Feri, që është përfaqësues i NATO-s në të ashtuquajturin grupin mbështetës për Kosovën, ku pos NATO-s janë edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu burime të NATO-s pohojnë se janë duke pritur të shohin se kush do të jetë pasardhësi i Harri Holkerit, në postin e kryeadministratorit të ri të Kosovës, por thonë se kushdo që të jetë do të ketë edhe ndihmën e NATO-s dhe të KFOR-it në Kosovë, pohojnë burimet e NATO-s në Bruksel.


XS
SM
MD
LG