Ndërlidhjet

UNMIK-U PUBLIKON RAPORTIN MBI TRAFIKUN E QËNIEVE NJERËZORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia e Kombeve të Bashkuara, ka publikuar një raport në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore në Kosovë. Raporti synon të sqarojë dhe vërë drejtpeshimin midis të dhënave që janë në duart e policisë ndërkombëtare në Kosovë dhe një raporti të publikuar nga organizata Amnesty International, e cila fajëson në një masë dhe pjesëtarët e policisë ndërkombëtare për përfshirjen e tyre në trafiqe dhe në prostitucion.
Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, Neeraj Sing, tha se raporti i Amnesty International është shqyrtuar me kujdes nga UNMIK-u:
“Fatkeqësisht këto të dhëna janë bazuar në statistikat dhe informatat që janë grumbulluar gjatë ditëve të para të Misionit, atëherë kur UNMIK-ut nuk ishte i angazhuar plotësisht që të adresonte këtë problem, siç po e bën këtë tani”, tha Sing, duke iu përgjigjur raportit të Amnesty International.
Sipas raportit të policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore, thuhet se 98 për qind e viktimave të trafikimit vijnë nga pjesa Juglindore apo ajo Lindore e Evropës, kurse 2 për qind janë nga Kosova. Viktimat e trafiqeve, janë femra dhe në Kosovë sillen përmes Serbisë, thuhet në raport. Në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, ekzistojnë tregjet e organizuara ku strehohen për shitje gratë dhe vajzat, një numër prej të cilave sillet edhe në Kosovë dhe kryesisht ato shërbëjnë për prostitucion, vazhdon ky raport. Çmimi për një grua apo vajzë që shitet në këto tregje, sillet nga 750 deri në 2500 euro, përderisa pronari i ri, thuhet se i vë ato në prostitucion dhe vë më pas çmime për klientët, që kryesisht sillet në 75 euro për një orë.
Duke iu përgjigjur raportit të Amnesty International, se pjesëtarë të policisë ndërkombëtare në Kosovë janë të përfshirë në prostitucion dhe trafikim, zëdhënësi Sing thotë të kundërtën:
“Përfshirja e policisë, bazohet në parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore në Kosovë dhe mendoj se ne këtë punë e kemi kryer mjaft me sukses”, tha zëdhënësi Sing.
Nga viktimat e trafikuara në Kosovë, sipas raportit të policisë, 53 për qind e tyre vijnë nga Moldavia, 23 për qind nga Rumania, kurse pasojnë dhe viktimat nga Ukraina, Bullgaria, Shqipëria dhe Rusia. 2 për qind e këtyre viktimave, janë nga Kosova. Lidhur me moshën e tyre, sipas policisë, rastet më të shpeshta janë femrat, mosha e të cilave sillet nga 14 deri në 30 vjet. Mënyrat që shërbejnë për mashtrimit të këtyre viktimave, thuhet se janë premtimet e rreme për punësim jashtë vendit, rrëmbimet e tyre, lidhjet e kurorave të rreme të martesave e mënyra tjera. Kurse metodat se si sillen ato në Kosovë, thuhet se realizohen kryesisht përmes kontrabandimit të tyre nëpër makina, trena apo edhe duke e kaluar kufirin më këmbë. Gjatë gjithë kësaj kohe që këto qënie njerëzore trafikohen apo mbahen nëpër lokale të posaçme, ato u nënshtrohen torturave, dhunimeve dhe izolimit të plotë, thuhet në këtë raport. Ndërsa në rastet kur këto viktima identifikohen dhe kapen nga policia, ato vihen nën përkujdesjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim dhe organizatave tjera joqeveritare, para se të riatdhesohen.

XS
SM
MD
LG