Ndërlidhjet

OJQ-TË KUNDËRSHTOJNË MARRËVESHJEN E QEVERISË NANO


Alma Çupi, Tiranë

Qeveria shqiptare ka përgatitur një projekt marrëveshje, ku thuhet se në Shqipëri mund të groposen plehrat nga Italia, në këmbim të përpunimit të katër milionë ton plehrave të ndodhura në Shqipëri. Ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatat ambjentaliste, kanë kundërshtuar fuqishëm dhe kanë paralajmëruar protesta publike, nëse qeveria nuk heq dorë nga kjo projekt marrëveshje. Si argument përdoret fakti se kjo do të shkaktojë një bombë ekologjike, do të pengojë zhvillimin turistik të vendit dhe mbi të gjitha dhunon ligjin aktual që ndalon importimin e mbetjeve urbane.
Sot në Tiranë të gjithë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, të mediave dhe ekspertë, ftuan përfaqësues të shtatë ministrive, por ata nuk u paraqitën për t’u ballafaquar.
Në takim u hodh ideja që ministrat, të cilët kanë propozuar këtë projekt, të shkarkohen nga detyra, si dhe krahas protestave, t’u drejtohen me një notë proteste Komisionit Evropian dhe parlamentit italian etj. Intelektuali dhe analisti Ardian Klosi, tha se prapa kësaj projekt marrëveshjeje për të sjellë në Shqipëri plehrat nga Italia, fshihen afera më të ngushta.
"Më mjafton fakti që nuk është bërë kurrfarë transparence nga qeveria për të informuar publikun shqiptar në përgjithësi. Më mjafton fakti që përfaqësuesi i kësaj firme italiane qënkësh këshilltari ekonomik i vetë kryeministrit Fatos Nano, gjë që është shumë skandaloze. Duke patur parasysh gjithë këto fakte, së pari protestën tonë ta masivizojmë".
Kryetarja e Organizatës për Demokraci dhe për të Drejtat e Njeriut Kozara Kati, tha se kjo çështje është një çështje mbarë kombëtare dhe indinjatën për këtë projekt marrëveshje ja kanë drejtuar si organizatë vetë kryeministrit Fatos Nano.
"Para disa ditësh ne i kemi drejtuar një letër kryeministrit të Shqipërisë z. Fatos Nano, ku shprehim indinjatën tonë lidhur me procedurën që po ndiqet për të iniciuar një investim të tillë në Shqipëri, i cili do të shkaktojë dhimbje akoma më të mëdha një populli, që akoma nuk ka arritur të marrë veten nga dhimbjet e të kaluarës".
Ndërsa kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve Kreshnik Spahiu, i drejtohet kryeministrit Fatos Nano me disa kërkesa dhe paralajmëroi një protestë qytetarë në fillim të javës tjetër.
"Zyra për mbrojtjen e qytetarëve kërkon publikisht që kryeministri shqiptar të sqarojë akuzat në lidhje me pozicionin e këshilltarit të tij. Nëse kemi të bëjmë me konflikt interesash, dhe nëse ka vërtet lidhje mes akuzave që ka ngritur media shqiptare për këshilltarin e tij dhe nëse ai ka vërtet lidhje me shoqërinë tregtare italiane, e cila kërkon të lidhë marrëveshje koncesioni me qeverinë shqiptare për përpunimin e këtyre mbetjeve".
Sipas legjislacionit Shqiptar është i ndaluar importimi i çdo lloj mbetjeje urbane në Shqipëri. Sipas ekspertëve edhe legjislacioni i BE-së ndalon eksportimin e mbeturinave në vendet fqinje me vendet e tij anëtare. Javën e ardhshme priten protesta masive të të gjithë shoqërisë civile, studentëve, intelektualëve, qytetarëve dhe medias, për të bërë të mundur që qeveria të tërhiqet nga kjo projekt marrëveshje.


XS
SM
MD
LG