Ndërlidhjet

BUSHI VIZITON EVROPËN: UDHËTIM ME SIMBOLIKË TË NGATËRRUAR


Breffni O'Rourke

Java e parë e qershorit e vitit 1944 ka qenë e mbushur me zhvillime negative për nazistët. Mëngjesin e 4 qershorit gjenerali amerikan Mark Klark ka drejtuar trupat aleate drejt Romës për t'i dhënë fund pushtimit nazist të Italisë. Për fat të mirë qyteti u ruajt nga shkatërrimi pas një marrëveshje të mëhershme me gjermanët për t'u tërhequr pa e prishur kryeqendrën italiane. Dy ditë më pas aleatët zbarkuan në plazhet e Normandisë në Francë, që vazhdoi me pushtimin tokësor përgjatë lumit Rin.
Presidenti amerikan Bush do vizitojë nesër Romën në 60 vjetorin e çlirimit, por atmosfera në kryeqytetin italian është e ndryshme, madje edhe e paparashikueshme. Rreziku për sulme terroriste është më i pranishëm se kurrë; mbi 10 mijë ushtarë e policë janë shpërndarë në qytet, derisa aeroplanët kontrollojnë hapësirën ajrore. Padyshim Bush do të pritet tepër miqësisht nga kryeministri Berluskoni, i cili është një nga aleatët më aktivë në Irak, por njëherësh Bush do përballet në rrugët e Romës dhe me protesta masive kundër luftës në Irak. Në një fjalim të pak ditëve më parë në përurimin e memorialit kushtuar Luftës së Dytë Botërore Bush ritheksoi sakrificat amerikane për të çliruar Evropën dhe Japoninë nga nazizmi dhe fashizmi.
"Memoriali i Luftës së Dytë Botërore do qëndrojë përherë në shenjë respekti për brezat që morrën pjesë në këtë luftë dhe për mbi 400 mijë amerikanë që humbën jetën në këtë luftë. Tiranitë u rrëzuan në sajë të sakrificave të tyre dhe po ashtu fashizmi dhe nazizmi dështuan, derisa paqja triumfoi", tha Bush. Më tej ai theksoi se edhe sot liria kërcënohet dhe se gjenerata të tjera amerikanësh po luftojnë t'i mundin armiqtë e lirisë. Duke iu referuar ndërhyrjeve në Irak dhe Afganistan Bush tha:
"Dy regjime terroriste janë rrëzuar dhe mbi 50 milionë njerëz tani jetojnë në liri. Misioni ynë vazhdon deri në fitoren përfundimtare", theksoi Bush. Por shumica e evropianëve nuk i shohin gjërat nga ky këndvështrim dhe ata besojnë se lufta në Irak ishte gabim, madje ka shtuar rrezikun nga terrorizmi ndërkombëtar. Nga ana tjetër gjatë vizitës në Romë, presidenti amerikan do takohet dhe me Papa Gjon Palin e Dytë, i cili është një nga kritikët më të hapur të luftës në Irak.
Lidhur me këto zhvillime Mark Xhojs nga Instituti Mbretëror në Londër, thotë se Bushi gjatë udhëtimit në Evropë do përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet e përkeqësuara mes dy anëve të Atlantikut.
"Një nga qëllimet kryesore të ardhjes së Bushit në Evropë është të përmirësojë marrëdhëniet, veçanërisht me dy aleatët kryesorë Gjermaninë e Francën", thotë eksperti britanik Xhojs.
Pas Romës presidenti amerikan do takohet me homologun e tij francez Shirak dhe kancelarin gjerman Shrëder, dy nga kundërshtarët më në zë të ndërhyrjes në Irak. Në Normandi Bush e Shirak do përpiqen të shohin në përvojat dhe interesat e përbashkëta. Derisa me Gjermaninë simbolizmi i zbarkimit të aleatëve në Normandi është pak më i ngatërruar. Majkëll Kox nga Instituti për Studime Strategjike në Londër, lidhur me marrëdhëniet amerikano-gjermane thotë:
"Kanë kaluar 60 vjet nga dita e madhe e zbarkimit dhe Gjermania ka qenë mik e aleat i Shteteve të Bashkuara, megjithë ulje-ngritjet e viteve të fundit. Megjithatë në Gjermani është një opinion publik, i cili ka një qëndrim të theksuar kundër Bushit, ndërsa qasja e përgjithshme e gjermanëve ndaj Amerikës është pozitive", thotë eksperti Kox.
Megjithatë përkujtimi i trupave aleate në Normandi nuk është vetëm një ditë për politikanët me kostume të errëta. Para së gjithash aty do jenë gra e burra kurajozë, tashmë të moshuar, por që në rininë e tyre zbarkuan në këto plazhe dhe sot janë gjallë për të na treguar historinë. Në shenjë vlerësimi Franca ka nderuar 100 prej veteranëve amerikanë këtë vit me titullin më të lartë të Legjionit të Nderit.

XS
SM
MD
LG