Ndërlidhjet

logo-print

KUSARI: MOSNJOHJA E DOKUMENTAVE TË UNMIK-UT, PASOJË E PRESIONEVE TË BEOGRADIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës i ka përgënjeshtruar pohimet dhe arsyetimet e qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, se vendimi i Sarajevës për mosnjohjen e mëtutjeshme të dokumenteve të udhëtimit nga Kosova, të cilat i lëshon administrata e Kombeve të Bashkuara është e ndërlidhur me mundësinë e falsifikimit të tyre. Në emër të kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepit, zëdhënësja Mimoza Kusari, thotë se ky vendim i Sarajevës më tepër mund të jetë i nxitur nga presionet e Beogradit, sesa që mund të jetë arsye mundësia e falsifikimeve. Këtë qëndrim, Kusari e mbështet në faktin se Sarajeva i ka njohur kohë më parë dokumentet kosovare të udhëtimit, mirëpo këtë vendim e ka shfuqizuar këta katër muajt e fundit.
“Një gjë e tillë ka mundur të aludohet, për shkak të ndikimit të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe për shkak të faktit se Serbia e Mali i Zi nuk i pranojnë këto dokumenta, ndërsa qarkullimi i shtetasve kosovarë me dokumentet të tillë udhëtimi do të vështirësohet edhe më shumë nëse Bosna e Hercegovina nuk i pranon. Megjithatë diçka e tillë aludohet dhe ka pasur dyshimin se ka ndodhur për shkak të presionit të Serbisë e Malit të Zi, ndërsa si e ceka më herët, arsyetimi zyrtar i qeverisë së Bosnje Hercegovinës ka qenë, për shkak të lehtësisë së marrjes së dokumentave të tillë të udhëtimit”, tha Kusari.
Ndërkohë, përkundër insistimeve të shumta, zyrtarët e UNMIK-ut nuk e kanë komentuar këtë problem edhe pse në fakt bëhet fjalë për një dokument që e lëshon administrata ndërkombëtare. Në anën tjetër, zëdhënësja Mimoza Kusari tha se Qeveria e Kosovës i ka vënë kontaktet me autoritetet në Sarajevë, sidomos përfaqësuesin e lartë të BE-së lordin Paddy Ashdown, dhe qendrat me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe që të ushtrojnë presionin e tyre mbi Sarajevën për anulimin e këtij vendimi, ngase ndërkohë janë paraqitur pengesa të mëdha në qarkullimin e lirë të qytetarëve jashtë Kosovës:
“Definitivisht një gjë e tillë nuk është pritur nga Bosna e Hercegovina për shkak të ngjashmërive së situatës së njëjtë të administrimit ndërkombëtar. Megjithatë një gjë e tillë ndodhi dhe do të ketë përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe autoritetet në Kosovë për të mos vazhduar me një procedurë të tillë”, theksoi Kusari.
Nga vendet e rajonit, dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut, nuk njihen vetëm nga ana e Beogradit, përderisa UNMIK-u i ka tejkaluar këto pengesa me Maqedoninë dhe Bullgarinë. Për shkak të statusit të saj të pazgjidhur, Kosova nuk e ka pasaportën e vet, kështu që UNMIK-u ka gjetur si zgjidhje alternative lëshimin e dokumenteve të udhëtimit. Mirëpo, me këto dokumente, qytetarët e Kosovës hasin në probleme të mëdha në ato vende në të cilat duhet marrur dhe visa për kalimet kufitare, kurse edhe procedura e nxjerrjes së këtij dokumenti në Prishtinë, siç tha edhe vetë Mimoza Kusari, është tepër e ndërlikuar.


XS
SM
MD
LG