Ndërlidhjet

SOLANA: QEVERIA E NGADALTË NË ELEMINIMIN E PASOJAVE TË MARSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nuk mund të jetë e shëndoshë një shoqëri në të cilën vriten të rinjtë 16 vjeç, ka thënë sot në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, duke dënuar vrasjen e të riut serb të shtunën në Graçanicë. Këto deklarata zoti Solana i ka bërë sot në Prishtinë pas takimeve që ka pasur me drejtuesit më të lartë të pranisë ndërkombëatre dhe të institucioneve vendore të Kosovës:
"Shoqeria në të cilën vriten fëmijët 16 vjeç nuk është shoqëri e shëndoshë dhe nuk i takon Evropës," tha Solana, duke shtuar se as që e dinte ç’lloj shoqërie mund t’i takonte një ngjarje e tillë. Ai tha se vrasje të tilla nuk mund të tolerohen.
Vrasjen e ka dënuar edhe një herë edhe shefi në dorëheqje i UNMIK-ut, Harri Holkeri, i cili ka qenë mikpritësi i parë i sotëm i zotit Solana:
"Duhet të them se përparimi në rrugën për t’u bërë pjesë e familjes evropiane nuk mund të arrihet përmes dhunës. Vrasja e të riut Dimitrie është tragjedi për Kosovën," tha zoti Holkeri, për të shtuar se ndërkohë që së shpejti do të largohej nga Kosova, ndihej i kënaqur që miqtë e Kosovës si zoti Solana janë të vendosur të vazhdojnë për ta ndihmuar Kosovën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.
Ndërkohë, zyrtari i lartë i BE-së, Javier Solana ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për ritmin e ngadalshëm të eliminimit të pasojave të ngjarjeve të marsit:
"Shpejtësia me të cilën po shkon rindërtimi nuk është korrekt, pasi dimri po afrohet dhe nëse shtëpitë nuk rindërtohen, ato nuk do të riparohen kurrë," tha Solana, duke ftuar qeverinë e Kosovës që të përmbushë premtimet e dhëna menjëherë pas trazirave të marsit për të rindërtuar shtëpitë dhe objektet e tjera të djegura të serbëve gjatë dy ditëve të marsit.
Ndërkohë që ai pritet të takohet pasdite edhe me kryeministrin Rexhepi për ta diskutuar këtë çështje, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se pajtohej me zotin Solana se rindërtimi duhet të jetë më i shpejtë:
"Njoftova për rindërtimet që po bëjmë dhe në këtë plan duhet të jemi më të shpejtë dhe duhet të marrim masa të mos ndodhin masa që të mos ndodhin vrasje të të rinjve në Kosovë dhe të grupet etnike duhet të tregojnë një vullnet për bashkëpunim që duhet ta ofrojmë ne si institucione të Kosovës".
Presidenti Rugova tha se Kosova pret ndihmën e vazhdueshme të zotit Solana dhe të Bashkimit Evropian që Kosovës t’i njihet pavarësia formale, siç tha ai, dhe ajo të jetë pjesë e institucioneve evroatlantike.
Mirëpo, zoti Solana tha se në rrugën drejt zgjidhjes së statusit, standardet janë thelbësore:
"Standardet janë thelbësore. Nuk do të ketë fillim të përcaktimit të statusit, përderi sa nuk do të përmbushen standardet," tha Solana, duke shtuar se standardet duhet të përmbushen në mënyrën që bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’i pranojë.
Shefi i Politikës së Jashtme i Bashkimit Evropian takohet gjatë ditës edhe me drejtuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike të shqiptarëve dhe të serbëve.



XS
SM
MD
LG