Ndërlidhjet

B. DUGOLLI: MODELI AKTUAL I QEVERISJES NUK DUHET TË NDIQET MË


Bujar Dugolli, deputeti i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, si e vlerësoni propozimin e njërit prej liderëve kosovarë për aplikimin apo zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe në Kosovë, apo më konkretisht për zgjidhjen e disa çështjeve të pakicave duke u zbatuar në këtë marrëveshje?

BUJAR DUGOLLI
Ne i kemi dhënë qëndrimet politike sa i përket atij propozimi. Ai propozim nuk mund të zbatohet në Kosovë. Kosova tanimë ka një angazhim që e ka marrë me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare në këtë rast, të vetë zotit Grossman, kur u hartua platforma "Standardet për Kosovën". Ne jemi futur në këtë projekt së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe jemi duke punuar, jemi në punë e sipër për të përmbushur standardet dhe për të përmbyllur kapitullin e zgjidhjes, apo përcaktimit të statusit politik të Kosovës. Mendoj që ajo që është lejuar tani për tani, në bazë të akteve kushtetuese të Kosovës që faktikisht bashkësia ndërkombëtare u ka ofruar, është e mjaftueshme për minoritetet, por ata ende nuk i kanë shfrytëzuar këto privilegje që ja jep pushteti i ri i Kosovës. Mendoj që ata kur t'i shfrytëzojnë në maksimum, nuk do të ketë nevojë për kurrëfarë marrëveshje tjetër, sepse ne jemi të detyruar që për të gjithë qytetarët ta bëjmë ligjin njëlloj, t'i bëjmë të drejtat njëlloj, pa diskriminime dhe pa paragjykime.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë nëse mund t'u kthehemi proceseve aktuale në Kosovë, flitet shumë për çështjen e reduktimit të misionit të Kombeve të Bashkuara dhe eventualisht të zëvendësimit të tij me një mision nga Bashkimi Evropian. Si i shihni ju të gjitha këto zhvillime?

BUJAR DUGOLLI
Kosova faktikisht është në fazën përmbyllëse të administrimit ndërkombëtar. Ne e shohim të panevojshëm administrimin e mëtejshëm, qoftë nga OKB-ja, apo qoftë ndonjë ndërrim i administrimit, në këtë rast nga Bashkimi Evropian. Ne kërkojmë një prezencë shumë më të madhe dhe një përkrahje shumë më të madhe nga Bashkimi Evropian, nga vendet e BE-së, sepse tek e fundit është obligim dhe për ta se Kosova është pjesë e Evropës dhe Bashkimi Evropian duhet të jetë i përfshirë shumë më fuqimisht sesa ka qenë deri tani, por pa e larguar faktorin amerikan, i cili është vendimtar si në proceset e tashme, por edhe në ato të ardhshmet për Kosovën, sepse siç dihet kosovarët kanë një besim dhe Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si partnerin më të fuqishëm për stabilitet por edhe për paqe për Kosovën dhe për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Liberalët gjermanë këtu në Prishtinë propozuan një model, ku Bashkimi Evropian do të bënte një protektorat mbi Kosovën, ndërkohë që Kosova do të dhuronte, kushtimisht thënë, sovranitetin e vet në Bashkimin Evropian. A është analizuar ndonjëherë kjo çështje në strukturat e partisë suaj?

BUJAR DUGOLLI
Unë mendoj që nuk kanë më nevojë të bëhen eksperimente siç janë bërë deri tani. Mjaft janë bërë eksperimente që 5 vite pas çlirimit të Kosovës dhe tani faktori ndërkombëtar duhet të ballafaqohet me një realitet, i cili është përcaktimi i statusit politik. Qoftë dhënia e pavarësisë së kushtëzuar apo çështje të tjera, që do të shtinin të mendojë popullin dhe institucionet e Kosovës se ka obligime ndaj bashkësisë ndërkombëtare për t'i realizuar, sa i përket minoriteteve, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, etj, janë ato kushte që ne duhet t'i plotësojmë, për t'i treguar botës që jemi në gjendje që të qeverisim vetë dhe jemi në gjendje që të ndërtojmë një shtet të së drejtës. Unë mendoj që gjithë propozimet e tjera janë eksperimente, të cilat nuk duhet t'i bëjmë dhe ne nuk jemi të interesuar si subjekt politik të përkrahim modele të tilla, përveç asaj që jemi deklaruar të përmbushim standardet dhe të përcaktohet sa më shpejt statusi i Kosovës. Edhe ato standarde nuk munden për një kohë kaq të shkurtër të realizohen të gjitha, por ajo më kryesorja për mendimin tim është se ne i kemi thënë po dhe jemi duke punuar në atë drejtim dhe kërkojmë dhe e dimë përkrahjen qoftë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara, që ato të finalizohen me sukses dhe të punohet në proces. Synimi i Kosovës është të jetë e pavarur, por të jetë e integruar në Bashkimin Evropian me vende të tjera të rajonit dhe nuk është synimi ynë të ndërtojmë një Kosovë të pavarur, e cila do të jetë e izoluar dhe jo e integruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht të gjitha partitë politike i kanë filluar përgatitjet e tyre për zgjedhjet e ardhshme. Si e shihni ju qeverinë e ardhshme të Kosovës duke u bazuar në një marrëveshje që sot egziston, apo të një pushteti që do të ndërtohet në bazë të asaj që njihet si pozitë dhe opozitë?

BUJAR DUGOLLI
Kjo qeverisje e deritashme të gjithë e pranojnë që nuk ka qenë e mirë. Unë mendoj që ky model nuk duhet të ndiqet më. Kosova tani po hyn në fazën përfundimtare të përcaktimit të statusit dhe ne duhet të kemi dhe opozitë. Unë shoh që Aleanca do të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, por me cilin subjekt, apo me çfarë koalicioni, kjo mbetet të shihet. Gjithsesi do të presim rezultatin, por ne mendojmë se do të jemi prapë konstruktivë në ndërtimin e institucioneve dhe mendojmë që do të jemi pjesë e qeverisë, qoftë dypalëshe, por ndoshta edhe më shumëpalëshe, por jo në këtë mënyrë siç ka qenë deri tani.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG