Ndërlidhjet

ÇMIMET E LARTA TË NAFTËS MUND TË RRITIN INFLACIONIN


Marc Baker

Aktualisht çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë të çmimeve në 21 vitet e fundit. Është shpjeguar se kjo ka ndodhur për shkak të shqetësimeve se sulmet terroriste në Lindjen e Mesme mund ta shkatërrojnë furnizimin me naftë. Këto shqetësime janë paraqitur në periudhën kur kërkesat për naftë po rriten, ndërsa furnizimi nuk po i ndjek këto tendenca.
Ka shqetësime se meqë kompanitë janë detyruar të paguajnë më tepër për energji, ato shpenzimet e rritura të furnizimit do t'i përllogarisin në çmimim që e paguan konsumatori i tyre.
Diçka e ngjashme ndodhi para 30 vitesh dhe kjo ndikoi atëhere në paraqitjen e inflacionit të lartë dhe në recesion ekonomik. Nisur nga kjo, politikanët do të bënin çdo gjë të mundur për ta evituar paraqitjen e zhvillimeve të tilla si në periudhën e viteve 1970 – 1980.
Shtefan Shnajder është ekonomist në Bankën gjermane në Frankfurt. Ai e pranon se ka rritje çmimesh në por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se kjo paralajmëron kthim në inflacionin e përgjithshëm të çmimeve.
"Jo. Ajo që keni parë veçanërisht në Gjermani dhe po ashtu edhe vendet e tjera, ishte një rritje e fuqishme në çmimet, që është në masë të madhe një zhvillim i caktuar në një periudhë kohore" – thotë ekonomisti Stefan Shnajder.
Ai më tutje thekson se ka dallime të mëdha ndërmjet gjendjes së tashme dhe të situatës së përmendur të para 30 viteve. Në këtë aspekt, ai shpjegon se ekonomitë kryesore ende janë tejet të buta pasi afro katër vjet kishin pasur një ngritje të ngadalshme.
Në javët e fundit ka pasur dëshmi si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë, që sugjeronin se çmimet po rriteshin, megjithëse ende në mënyrë modeste.
Në Shtetet e Bashkuara, statistikat e publikuara gjatë muajit të fundit, tregojnë ngritjen e çmimeve në një shkallë vjetore prej afro 4.4%, megjithëse është shpjeguar që kjo pasqyron koston e rritjes së energjisë. Kjo shifër gjatë gjithë vitit të kaluar ishte 1.9%. Në Eurozonën evropiane, inflacioni në muajin maj ishte 2.5%. Një muaj më parë ky inflacion ishte 2%.
Ekonomistët thonë se atyre u duhen më tepër të dhëna për të nxjerrë ndonjë konkluzion të qëndrueshëm. Megjithatë, bankat qendrore janë në gjendje gatishmërie. Ato janë të përgatitura edhe për t'i ngritur kamatat. Pritet që më vonë gjatë këtij muaji, banka qendrore amerikane do t'i shtoj kamatat për të parën herë në katër vitet e fundit.
Çfarëdo kthimi në inflacion do të kishte pasoja shkatërruese për ekonominë botërore dhe për ripërtëritjen e ndjeshme globale që është në zhvillim e sipër. Kur bankat qendrore duhet t'i rritin kamatat për ta ndalur presionin e çmimeve, në të njëjtën kohë ato kufizojnë rritjen ekonomike dhe punësimin.
Ekonomisti Shtefan Shnjader thotë se prej viteve 80', në të shumtën e rasteve bankat qendrore kanë pasur sukses në çrrënjosjen e pritjeve të inflacionit.
"Bankat qendrore, në përgjithësi, kanë bërë punë të mirë gjatë dy dekadave të kaluara duke frenuar pritjet e inflacionit", përfundon ekonomisti Shnajder.







XS
SM
MD
LG