Ndërlidhjet

REZOLUTA 1244- E TEJKALUAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekspertë dhe politikanë ndërkombëtarë e vendorë të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme lidhur me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në pesëvjetorin e miratimit të saj.
Fillimisht, eksperti i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se rezoluta 1244 e ka arritur misionin e vet, në atë mënyrë që ka realizuar vendosjen e pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare, e cila ka ndihmuar për ndërtimin e infrastrukturës demokratike në Kosovës, prandaj ajo rezolutë duhet të ndryshohet apo të finalizohet me hapjen e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
"Mendoj se shumë zgjidhje nga kjo rezolutë janë të tejkaluara e disa nga to edhe anakronike dhe është edhe në vetë interesin e UNMIK-ut dhe të KS, që të kuptojnë se ka ardhur koha e ndryshimit të qasjes ndaj Kosovës dhe evoluimit të qëndrimeve në raport me Kosovën, pasi mbajtja e status-quos që krijohet me rezolutën 1244, është edhe një pengesë, jo vetëm për ecjen përpara të progresit të Kosovës dhe për standardet, por është bërë pengesë edhe për vetë UNMIK-un, që duhet të krijojë një strategji dalëse nga misioni i tij."
Mirëpo, eksperti i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se ndryshimi i rezolutës është i vështirë, pasi ajo paraqet raportet e forcës në vetë Këshillin e Sigurimit:
"Rezoluta si tekst edhe atëherë edhe sot, reflekton tërë raportin e forcave, tërë konjukturat ndërkombëtare, vetëm ndryshimi i të cilave, mund të shpjerë në ndryshimin e rezolutës, por unë nuk shoh se ato konjuktura kanë ndryshuar, përkundrazi," tha zoti Hasani, sipas të cilit problemi me këtë rezolutë është jo te teksti, por tek interpretimi i saj, i cili që nga përfundimi i luftës e deri më tash ka qenë mjaft rixhid.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të koalicionit të serbëve "Kthimi" Dragisha Kërstoviç, thotë se për serbët nuk ka ndryshuar asgjë për mirë, pasi nuk është jetësuar rezoluta 1244.
"Ndoshta duhet të ndryshohen disa gjëra në vetë rezolutën, si dhe në misionin ndërkombëtar këtu," tha Dragisha Kërstoviç.
Ndërkohë, Harri Holkeri, shef në dorëheqje i UNMIK-ut, mandati i të cilit mbështetet në këtë rezolutë, thotë se ajo u përgjigjet kërkesave aktuale të Kosovës:
"Aktualisht ky dokument është i mjaftueshëm dhe është një dokument themelor, që është edhe vullnet i Këshillit të Sigurimit," tha zoti Holkeri, duke shtuar se kjo rezolutë do të mbetet bazë për punën e UNMIK-ut përderisa Këshilli i Sigurimit do të vendosë ndryshe.
Por, zoti Arsim Bajrami thotë se realiteti po tregon se Kosova është në një rreth vicioz, i cili është përcaktuar nga formulimet e rezolutës 1244, të cilat pesë vjet më pas nuk mund të kuptohen:
"Ne jemi ende në kufizimet e para pesë vjetësh dhe kjo është bërë pengesë e përgjithshme, edhe në zhvillimin ekonomik dhe legjislativ dhe në funksionimin e institucioneve, por edhe në zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe në vendosjen e shtetit të së drejtës dhe kjo shtron domosdoshmërisht nevojën e përcaktimit të një gjendjeje tjetër juridike, e cila do të bëjë të mundur që vitin e ardhshëm me evaluimin e standardeve të fillojë edhe procesi i finalizimit të statusit të Kosovës", tha Arsim Bajrami, sipas të cilit rezoluta 1244 është plotësisht e harxhuar dhe në një mënyrë është bërë pengesë edhe për vetë UNMIK-un. Mirëpo, zoti Enver Hasani mendon se rezoluta është kornizë e mjaftueshme për t’i hyrë zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës:
"Unë mendoj se po të interpretohet me një vullnet tjetër më të mirë, rezoluta ofron shumë bazë për ristrukturimin e Kosovës sipas standardeve evroatlantike, sikundër që është bazë e mjaftueshme që lejon mundësinë e ndërhyrjes së faktorëve të tjerë për zgjidhjen e statusit, pos atyre që permenden në rezolutë dhe mendoj që është bazë e mirë edhe për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Sidoqoftë,"-mendon zoti Hasani-" vitet e administrimit ndërkombëtar të Kosovës, përjashtuar vitin e fundit, kanë qenë vite të tutelës së rreptë të administrimit ndërkombëtar që ka prodhuar efekte negative, të cilat në masë mjaft tragjike u panë me ngjarjet e marsit."




XS
SM
MD
LG