Ndërlidhjet

KËRKOHET LARGIMI I UNMIK-UT NGA KOSOVA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Disa qindra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë, në pesëvjetorin e miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, përmes së cilës Kombet e Bashkuara vunë nën administrim civil Kosovën. Organizuar nga Rrjeti i Aksionit për Kosovën, kjo protestë u mbajt përreth selisë së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë. Gjatë një ore proteste të qetë, administratës ndërkombëtare iu fishkëllua dhe në fund iu dha kartoni i kuq, që nënkupton kohën për t’u larguar nga Kosova. Kryetari i Rrjetit të Aksionit për Kosovën Albin Kurti, tha se kjo protestë mbështetet mbi parimet e joviolencës dhe se kjo është është koha për ndryshime në Kosovë:
“Është pesë vjetori i Rezolutës 1244 dhe nuk dëshironim të lejojmë që kjo ditë të kalojë duke festuar institucionet tona me UNMIK-un. Kosova është duke shkuar në procese negative në çdo aspekt, social, ekonomik dhe politik. Prandaj, ne simbolikisht filluam lëvizjen tonë joviolente, e cila do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona, statusin e qytetarit dhe në të njëjtën kohë datën sa më të shpejtë kur UNMIK-u do të dalë nga Kosova”, tha Albin Kurti.
Duke u zotuar se protestat do të vazhdojnë në mënyrë të qetë edhe në të ardhmen, protesta përcillej me fishkëllima dhe kartonat e kuq në dorë që drejtoheshin kah administrata e Kombeve të Bashkuara:
“Si qytetarë të Kosovës dhe aktivistë, zotohemi se me përkushtim dhe vendosmëri përmes aksioneve të padhunshme dhe publike, do të synojmë fitimin dhe realizimin e të drejtave tona. Aksioni protestues do të jetë i gjallë, dinamik dhe i padhunshëm. Ai ka për qëllim të dëshmojë pjekurinë tonë qytetare dhe politike dhe të regjistrojë demonstrativisht padrejtësinë që po na bëhet. Gjatë protestës do të jetë i ndaluar çdo konfrontim fizik me pjesëtarët e policisë apo dikë tjetër, qoftë edhe i provokuar”, thuhej në programin e lexuar.
Më pas, në këtë protestë që ishte krejt ndryshe nga të tjerat, u lexua dhe deklarata e këshillit organizues:
“Kërkesat tona janë: njohja e statusit të qytetarit për secilin në Kosovë pa kurrëfarë diskriminimi, si burim i sovranitetit dhe i cili gëzon të gjitha të drejtat njerëzore e qytetare të parapara me konventat ndërkombëtare e evropiane. Caktimi i datës sa më të shpejtë për përfundimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut”, thuhej në deklaratën e lexuar.
Kreshnik Berisha, një qytetar në këtë protestë, thotë se ai ka arsye pse kërkon largimin e UNMIK-ut dhe dhënien e pushtetit vendorëve:
“Pikërisht për atë që të mos bllokohet procesi, pasi që UNMIK-u nuk jep llogari para kosovarëve, por Këshillit të Sigurimit, kurse Këshilli i Sigurimit nuk i përfaqëson interesat e Kosovës”.
Një qytetar tjetër, Adem Shkreta, tha se kishte ardhur nga Kaçaniku të protestonte për shkak të pakënaqësive me punën e administratës së Kombeve të Bashkuara:
“UNMIK-u është i mirëseardhur dhe është mik i ynë, por i ka ardhur koha që ai të ndryshojë dhe të na japë mundësinë që ne të vazhdojmë me punën tonë në Kosovë dhe të qeverisim vetë Kosovën”.
Duke shprehur pakënaqësinë qytetare, Ferka Kastrati thotë se pas pesë viteve të administrimit, misionit të Kombeve të Bashkuara i ka ardhur koha të largohet:
“Moti i ka ardhur koha, e shpresoj se janë zgjuar prej gjumit këta liderët tanë politikë dhe edhe neve, popullin të na pyesin pak”.
Disa orë para se të fillonte kjo protestë si dhe gjatë gjithë kohës sa ajo zgjati, për sigurinë janë kujdesur pjesëtarë të njësive speciale të policisë ndërkombëtare. Rreth orës 13:00 masa është shpërndarë e qetë duke i hedhur kartonin e kuq UNMIK-ut. Ndërkohë që nuk ka pasur brohoritje, por muzikë të zgjedhur nga legjendat e famshme botërore të muzikës Doors, U2, Bob Marley e të tjerë.
Duke u mbështetur në parimet e joviolencës, të shprehura qysh në kohën e Martin Luther Kingut, organizuesit thanë se nuk do të ndalin këtë formë proteste, deri në realizimin e qëllimeve për t’i dhënë fund misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.


XS
SM
MD
LG