Ndërlidhjet

logo-print

DHUNA E MARSIT NUK GUXON TË PËRSËRITET- THANË JOHNSON DHE HOLKERI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qytetarët e Kosovës nuk e duan një të ardhme në të cilën njerëzit mund të vrasin pa frikë nga forca e ligjit, ka deklaruar sot në Prishtinë komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Gregory Johnson, pas një takimi lamtumire me shefin në dorëheqje të UNMIK-ut, Harri Holkeri, i cili gjatë ditës së sotme ka mbajtur edhe konferencën e tij të fundit me gazetarë.
"E ardhmja që duam për Kosovën nuk është ajo, në të cilën njerëzit mund të vrasin dhe të hedhin në erë autobusë, pa pasur frikë nga forca e ligjit," tha admirali Johnson, duke iu referuar aksionit të suksesshëm të policisë për kapjen e të dyshuarve për vrasjen e një të riu serb në fund të javës së shkuar në Graçanicë, si dhe arrestimit në Tiranë të tre shqiptarëve nga Kosova të dyshuar për vepra të rënda kriminale, përfshirë disa vrasje.
"Ndihem i lehtësuar për shkak të këtyre arrestimeve," tha admirali Johnson. Këto arrestime sot i ka përshëndetur edhe zyra amerikane në Prishtinë, përmes një kumtese në të cilën ndër të tjera thuhet se arrestimi i këtyre personave është shumë domethënës që sundimi i ligjit të triumfojë. Këto arrestime janë një hap përpara në zhvillimin e Kosovës si shoqëri tolerante, demokratike dhe të qeverisur nga ligji", thuhet në kumtesë. Ndërkohë, admirali Johnson dhe mikpritësi i tij Holkeri, thanë se e ardhmja e Kosovës qëndron në përmbushjen e standardeve dhe në promovimin e ripajtimit ndëretnik:
"Të gjithë ne pajtohemi se nuk duam të shohim kthimin në ngjarjet e marsit,"-tha admirali Gregory Johnson -"por duhet të shohim përparim në përmbushjen e standardeve dhe një dialog të mirëfilltë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në këtë kuadër, dua që së shpejti të mos flasim për dialog ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por për dialog ndërmjet kosovarëve," tha Gregory Johnson.
Ndërkaq, zoti Holkeri tha:
"Dhuna e tmerrshme e marsit nuk guxon të përsëritet dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka folur me një zë për këtë çështje dhe ky mesazh duhet të dëgjohet dhe të kuptohet qartë," tha Harri Holkeri.
Në këtë kuadër, Johnson ka ftuar që rindërtimi i objekteve të dëmtuara të përshpejtohet:
"Unë e di se ka procese dhe ato janë të vështira, mirëpo në fund të ditës nuk maten fjalët, por veprat," tha admirali Johnson, duke bërë thirrje që të rindërtohen shtëpitë e dëmtuara gjatë trazirave të marsit dhe të ndërtohet një proces në shërbim të të drejtave të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Admirali Johnson tha se arsyeja e qëndrimit të KFOR-it në Kosovë nuk është vetëm mbrojtja nga kërcënimet që vijnë nga jashtë, por edhe nga dhuna që mund të ndodhë brenda Kosovës. Këto kërcënime kanë të bëjnë tani me krimin dhe me protestat e dhunshme, për ç’gjë KFOR-i është i vendosur që të veprojë duke u mbështetur mbi parimet e rendit dhe të ligjit, dhe jo në parimet e turmave.

XS
SM
MD
LG