Ndërlidhjet

logo-print

I.KASTRATI: NËSE PRIVATIZIMI NUK VAZHDON QEVERIA DUHET TË NDËRMARRË MASA


Ismail Kastrati, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, së fundi ka patur paralajmërime për pezullimin e plotë të procesit të privatizimit. Si i vlerësoni ju këto?

ISMAIL KASTRATI
Fatkeqësisht nga Kombet e Bashkuara sinjalet vijnë jo të mira dhe pritet që të pezullohet procesi i privatizimit. Kjo si duket është një dinamikë normale për UNMIK-un meqë UNMIK-u është një administratë, e cila ka qef të ketë kompetenca dhe paga të mira, por nuk do përgjegjësi. Prandaj dhe ngecin këto procese. Gjithnjë sillen rreth imunitetit të AKM-së dhe me një mënyrë ose mënyrën tjetër ka ndikuar dhe ka kontribuar dukshëm në ngecjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në shkatërrimin e pronës shoqërore dhe publike,si me pezullim të procesit të privatizimit ashtu dhe me korrupsion dhe krim ekonomik ku drejt për së drejti janë përfshirë edhe njerëz nga UNMIK-u.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, po si do të ndikojë mbi ekonominë e Kosovës dhe mbi procesin në përgjithësi, pezullimi eventual i plotë i procesit të privatizimit?

ISMAIL KASTRATI
Po ndërmarrjet shoqërore gradualisht do të shkatërrohen, nëpërkëmben, do të kemi tensione sociale, papunësi të rritur, ngecje në zhvillimin ekonomik, sepse një pronë për të cilën është investuar me vite të tëra djersa dhe kapitali i kosovarëve, sot kontestohet nga burokratë të cilëve nuk u intereson problemi i Kosovës, por u interesojnë pagat e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të ndikojë tek investuesit potencialë të huaj ky pezullim?

ISMAIL KASTRATI
Sa i përket pronës shoqërore, sigurisht se investuesit do të hezitojnë të investojnë në Kosovë sepse është krijuar një opinion i keq, është krijuar një paradoks, ku nuk respektohet prona dhe e drejta e pronësisë dhe në aspektin juridik është një pasiguri. Prandaj do të ketë hezitime dhe në investime. Por ne gjithnjë e më tepër duhet të orientohemi të zhvillojmë ekonominë private përmes formës së avancimit të punës në ekonomi, përkatësisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Aty do t'i përqëndrojmë të gjitha kapacitetet dhe të presim momentin kur do të zgjidhet problemi i privatizimit, i cili është shndërruar në një problem politik dhe jo ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër zoti Kastrati, qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se anëtarët vendorë të bordit të AKM-së, do të tërhiqen tërësisht nga bordi i AKM-së. Si e vlerësoni ju këtë paralajmërim të qeverisë?

ISMAIL KASTRATI
Ai bord nuk funksionoi më tepër se 8 muaj. Do të ishte jollogjike që dikush edhe më tutje të pretendojë të thotë se është anëtar i bordit. Nëse një bord nuk funksionon me muaj të tërë pse të jetë anëtari bordit? Mirëpo unë mendoj se nëse UNMIK-u s'do të ketë përgjegjësi për ndonjë kontest eventual mbi pronën shoqërore, atë përgjegjësi duhet ta marrë qeveria e Kosovës, sepse ne jemi ata të cilët sot dhe nesër dhe në perspektivë do të qëndrojmë këtu, do të kemi përgjegjësi për zhvillimin ekonomik para qytetarëve të Kosovës pavarësisht se cilës kombësi i përkasin dhe të marrim edhe përgjegjësi për zhvillimin ekonomik. Nuk duhet të presim që burokratët të cilët nuk kanë interes tjetër përveç pagave, të na zgjidhin problemet ekonomike.

RADIO EVROPA ELIRË
Zoti Kastrati, sipas jush cila është rruga për të dalë nga kjo situatë?

ISMAIL KASTRATI
Mendoj se duhet edhe mëtutje të kemi kërkesa që procesi i privatizimit të rifillojë. Ne shpejt i kemi çuar edhe një kërkesë të tillë si komunitet i biznesit dhe nëse nuk vazhdon për një kohë të caktuar, këtë përgjegjësi duhet ta marrë vetë qeveria e Kosovës. Kjo pasuri është e kosovarëve nuk është e Kombeve të Bashkuara.

Intervistoi Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG