Ndërlidhjet

B. POLLOZHANI: NË GJYKATAT E SHKUPIT KA PAK GJYQTARË SHQIPTARË


Isuf Kadriu, Shkup

Maqedonia në shumë raste ka marrë kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të ngecjeve në reformimin e pushtetit gjyqësor, i cili është akuzuar për ngathtësi joprofesionalizëm dhe korrupsion në radhët e gjykatës së vet, të cilët lënë procese të caktuara të zvarriten me vite të tëra.
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese , Bajram Pollozhani, ish zëvendës ministër në qeverinë e mëparshme, pranon kritikat por sipas tij faji nuk qëndron vetëm tek pushteti gjyqësor.
"Shpesh herë pushteti ekzekutiv, por edhe ai legjislativ, duke dashur që vëmendja për një vëmendja e opinionit për një kohë të tërhiqet nga aktiviteti, nga dobësitë e tyre në menaxhimin e pushtetit, ka mundësi që pak a shumë, në mënyrë artificiale, ta bartin një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen në marrëdhëniet shoqërore në një vend në tranzicion me shumë probleme në sistemin gjyqësor", tha zoti Pollozhani, duke shtuar se pushteti gjyqësor nuk i krijon problemet, por aty sipas tij reflektohen problemet e sistemit në përgjithësi.
"Ngecjet zhvillimore, gjendja, papunësia, e kështu me rradhë, vetë pozita e sistemit, rruga e tranzicionit, proceset politike se si zhvillohen, natyrisht që kanë shprehje dhe në sistemin gjyqësor."
Megjithatë anëtari i Gjykatës kushtetuese Bajram Pollozhani, thotë se janë të pranueshme kritikat sa i përket pranisë së korrupsionit në rradhët e gjykatësve në vend.
" E vërtetë është që ka dhe raste të korrupsionit. Kjo gjë u tha dhe në vetë këshillimin në Gjykatën Supreme, por edhe në këshillime të tjera pranohen ato raste dhe janë akoma raste individuale që ndiqen dhe që ndërmerren masa."
Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Maqedonia është e detyruar që të zbatojë reforma të thella në procesin gjyqësor, nëse dëshiron të marrë sinjale për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Një segment i rëndësishëm i reformave është dhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve dhe i komuniteteve të tjera në organet e pushtetit gjyqësor.
"Kjo gjendje disi është zbutur vitet e fundit jo vetëm në gjykata por edhe në institucionet e prokurorisë. Pra edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, mirëpo për dallim nga gjykata kushtetuese, në gjykatat e tjera duhet edhe më tutje të punohet në këtë drejtim. Një gjendje më të pavolitshme e kanë gjykatat themelore të qytetit të Shkupit, Gjykata Themelore 1 dhe 2, ku nga një numër afro 170 gjyqëtarësh, vetëm 2 apo tre janë të përkatësisë etnike shqiptare, domethënë një numër i pamjaftueshëm," tha anëtari i Gjykatës Kushtetuese Bajram Pollozhani.


XS
SM
MD
LG