Ndërlidhjet

logo-print

PAVKOVIÇ:"PARIMI I VETËVENDOSJES - PAQËSON BALLKANIN"


Aleksandar PAVKOVIC, profesor në Universitetin Makwori(Sidnej/Australi)

EVROPA E LIRË
Ju thoni se procesi i formimit të shteteve të reja në Ballkan, që filloi në shekullin 19-të, ende s’ka përfunduar? Si e argumentoni këtë pohim?

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Parimi që dominon dhe ka vazhduar nga shekulli 19 është parimi i vetëvendosjes, sipas të cilit, popujt kanë të drejtën t’i themelojnë shtetet e veta të pavarura. Pas Luftës së Parë Botërore, ky parim u zbatua edhe në hapësirat ballkanike, por ende ka grupe nacionale, të cilat nuk kanë shtete të pavarura dhe i kërkojnë. A do t’i fitojnë apo jo, nuk varet vetëm prej tyre, për këtë do të vendosin tjerët, por është fakt se këto grupe vazhdojnë t’i kërkojnë. Këtu para së gjithash mendoj për shqiptarët në Maqedoni, grupet e myslimanëve në Sanxhak, grupet e ndryshme në Bosnjë e Hercegovinë, dhe grupi malazez.

EVROPA E LIRË
Por, këtu është edhe Kosova.

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Kuptohet se Kosovën nuk e harruam, por ata janë shumë më afër qëllimit të tyre, andaj shtrohet pyetja si do të rrjedhë ky proces në rastin e shqiptarëve. A do të rrjedhë si unifikim dhe bashkim i të gjitha grupeve shqiptare në Ballkan apo jo....

EVROPA E LIRË
Për sa i përket Kosovës, a mendoni se herët apo vonë, Kosova do të pavarësohet?

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Ajo në masë të madhe edhe është e pavarur. Kosova thjesht nuk mund të kthehet nën jurisdikcionin e Serbisë apo ta quajmë të Serbisë e Malit të Zi. Këtë e kanë të qartë të gjithë. Kur dhe në ç’mënyrë fuqitë e mëdha, kryesisht Bashkimi Evropian, do të vendosë formalisht ta njohin Kosovën si shtet i pavarur, mbetet çështje e hapur, sepse ekziston droja nga efekti domino, ekzistojnë probleme të mëdha me sigurinë në Kosovë, sidomos të popullatës serbe, por këtu është edhe një çështje, e cila kryesisht nuk përmendet: mundësia e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo gjithashtu është një nga pengesat për njohjen e pavarësisë. Por ajo që ndodh tani, është pat pozicioni. Kosova nuk mund të kthehet prapë, por as nuk mund t’i jepet pavarësia formale. Pra, çështja shtyhet për një kohë kur vendet për rreth, fqinjët e Kosovës, do të jenë të gatshme ta përkrahin një formë të pavarësisë së saj.

EVROPA E LIRË
Pas trazirave të marsit, si një ndër zgjidhjet për Kosovën u përmend edhe bashkangjitja e pjesës veriore të saj me Serbinë. Cili është komenti juaj?

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Ndarja e Kosovës dhe Bosnjes kërkon ndryshimin e parimeve që bashkësia ndërkombëtare i kishte parasysh kur njohu pavarësinë e këtyre territoreve. Kjo do të ishte njohje e hapur e parimit etnik për vetvendosjen. Është një logjikë e çuditshme, e cila e arsyeton situatën ekzistuese, duke thënë se pas konflikteve, njerëzve u duhet kohë për t’u qetësuar dhe të bëhen të arsyeshëm, që të shohin se mund të jetojnë edhe pa pavarësinë. Mendoj se kjo është logjikë shkurtpamëse. Njerëzit, sidomos politikanët akoma do t’i kenë kërkesat e tilla për pavarësi, prandaj më duket e kotë të supozohet se në një kohë të caktuar, ky parim njerëzve do t’u duket i pakuptimtë.

EVROPA E LIRË
A mendoni se ka gjasa për një paqe të qëndrueshme në Ballkan?

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Sipas meje, paqja e qëndrueshme, e cila mbizotëron në pjesët tjera të Evropës mund të arrihet vetëm me
rregullimin e kufinjve, duke i marrë parasysh kërkesat etnike për vetëvendosje. Në Bosnje tashmë janë vijëzuar hartat e dy entiteteve, harta të ngjashme janë bërë edhe në Kosovë ku janë ndarë enklavat serbe. Ato kanë status special, ashtu si komunat shqiptare në Maqedoni. Më mirë është të ndiqen këto kufinj dhe të bëhet kompromis për t’i kënaqur grupet që kërkojnë të vetëpërcaktohen, se sa kërkesat e tyre të shtyhen në pafundësi.

EVROPA E LIRË
Po, nëse Kosova pavarësohet, ndërsa serbëve në Bosnje u pamundësohet e drejta e vetëvendosjes, a nuk janë këto kërcënime të reja?

ALEKSANDAR PAVKOVIÇ
Shikoni, në rastin e Kosovës, nga popullata shqiptare një kohë të gjatë keni kërkesën për vetëvendosjen e Kosovës. Shpallja e parë e ndarjes në ish Jugosllavinë u bë në Kosovë. Në korrik 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën ndarjen nga Serbia, jo nga Jugosllavia. Pra, kërkesat për vetëvendosjen e Kosovës janë shumë të vjetra, ndërsa në gjithë këtë proces, çështja e Kosovës erdhi në rend dite e fundit, pas bombardimeve të NATO-s dhe konfliktit të ashpër ushtarak. Kjo kërkesë duhej të shqyrtohet atëherë kur u shqyrtuan kërkesat tjera. Por Komisioni i Badinterit vazhdimisht e refuzonte, pjesërisht për të mos i marrë parasysh edhe kërkesat e serbëve në Bosnje dhe Kroaci. Pavarësisht nga arsyet, kërkesat u refuzuan 10 vite, që më pastaj të zgjidhej me çmim të shtrenjtë, me jetëra njerëzish dhe shkatërrime.

Intervistoi: Dragan SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG