Ndërlidhjet

INTENSIFIKOHET DEBATI PËR HAPJEN E DOSJEVE TË SHQIPTARËVE


Alma Çupi, Tiranë

Debati për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve dhe intelektualëve që kanë ushtruar aktivitetin e tyre të letrave edhe në kohën e diktaturës, po bëhet më intensiv kohët e fundit. Shkrimtarët shqiptarë janë ndarë në dy kampe, një pjesë duan që dosjet për të gjithë shkrimtarët të hapen me idenë për të njohur vetveten, ndërsa pjesa tjetër hapjen e dosjeve për shkrimtarët e quan, si një debat që krijohet nga politika për të hequr vëmendjen nga problemet e tjera të shoqërisë.
Shkrimtari i njohur Visar Zhiti, thotë se hapja e dosjeve duhet bërë me qëllim që një shoqëri të ndjehet e shëndoshë moralisht. Sipas shkrimtarit Zhiti, hapja e dosjeve së pari duhet për të mësuar të vërtetën, mbi ata persona që kanë kryer krim në kohën e diktaturës, me qëllim që krimi të ndalet sot.
"Një shoqëri për t'u ndier e shëndoshë moralisht duhet të njohë vetveten. Njohja e vetvetes është dhe hapja e dosjeve."
Ndërsa studiuesi i historisë Enver Lepenica, thotë se dosjet kanë nisur të hapen që pas vitit 90’ në Shqipëri me shkrimet e ish të burgosurve politikë. Antologjia e plagëve nën terrorin komunist, është një nga librat që përmbledh, dëshmi rrënqethëse për atë se çfarë u krye nën tiraninë e diktaturës mbi popullin shqiptar. Historiani i vjetër nuk është dakort me hapjen e dosjeve të personave të thjeshtë, përfshi edhe shkrimtarët që janë mënjanuar nga postet drejtuese, pasi kjo nuk do të kishte efekt.
"Dosjet kanë filluar të hapen mbas vitit 90' në Shqipëri, me shkrimet e shumta të shkruara nga të burgosurit politikë, nga të përndjekurit politikë, nga librat e botuar prej tyre".
Historiani Lepenica, më tej hedh idenë se dosjet duhet të hapen për ata njerëz që drejtojnë sot politikën dhe insitucionet.
Publicisti Tanush Mulleti debatin për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve, e shikon si një mënyrë që përdor politika sot për të kërcënuar shkrimtarët, me qëllim që ata të mos e ngrenë zërin për problemet që po kalon shoqëria shqiptare, probleme siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Edhe historiani Lepenica, nënvizon se dosjet në fillim duhet të hapen për drejtuesit e shtetit.
"Dosjet e para duhen hapur atyre njerëzve që merren me politikë, që kanë fatet e shtetit shqiptar, prandaj manipulohet me dosjet."
Poeti dhe studiuesi Nevruz Shehi e çon më tej mendimin, duke theksuar se loja e dosjes është një lojë politike që bëhet sa herë diskutohen në parlament, çështje që lidhen me privatizimet dhe ndarjen e pronësisë.
"Loja e dosjeve është një lojë e pështirë dhe mund t'ju siguroj që dosjet në Shqipëri nuk do të hapen. Është një mashtrim i madh, mashtrim i rradhës në një moment, kur po bëhet një vjedhje masive e të gjithë pasurisë kombëtare. Në vazhdim jemi në momentin kur do të bëhet pronësimi i pronave më të mëdha kombëtare. Në këtë moment del çështja e dosjeve".
Çështja e hapjes së dosjeve për të gjithë personat që dyshohet të kenë qenë të inkriminuar në kohën e diktaturës, është një çështje e cila është lënë pezull. Disa herë intelektualët kanë kërkuar që dosjet të hapen për ata që drejtojnë shtetin dhe organizata të ndryshme dhe jo për shkrimtarët, të cilët, mbeten aktualisht njerëzit më të varfër dhe më pa pushtet në Shqipëri. Ngritja e zërit për të kryqëzuar shkrimtarët dhe intelektualët në përgjithësi, sipas analistëve të shtypit, bëhet më shumë për të hequr vëmendjen nga problemet reale që po kalon shoqëria shqiptare, probleme të krijuara nga politikanët aktualë, një pjesë e të cilëve kanë patur pushtet edhe në kohën e diktaturës.

XS
SM
MD
LG