Ndërlidhjet

logo-print

SHABANI: QEVERIA ËSHTË PA PROGRAM TË QARTË PËR PRIVATIZIMIN


Bahri Shabani, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK)

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shabani, shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut Nikolaus Lambsdorf, tha dje se privatizimi do të vazhdojë me disa ndryshime të vogla në politikat operacionale. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

BAHRI SHABANI
Po, mendoj se qëndrimi i BSPK-s është pikërisht i lidhur me disa ndryshime që nuk janë aq të mëdha, por që janë të lidhura drejtpërdrejt me të drejtat e punëtorëve dhe kriteret më të qarta për privatizimin. Prandaj, propozimet më të reja nga Nju Jorku janë pak të ngjashme me kërkesat që ne kemi parashtruar para dhjetë muajsh për bordin e AKM-së dhe që janë të lidhura me zgjerimin e spin-off-it special dhe me një rregull më të qartë për blerësit e rinj.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ndryshimet janë të pranueshme dhe me to mund të fillojë procesi i privatizimit?

BAHRI SHABANI
Mendoj se duhet të kemi edhe disa plotësime, pasi tashmë u hymë ndryshimeve operacionale, mirëpo sa i përket anës së punëtorëve, ne parimisht i mbështesim ndryshime të tilla, pasi blerësit e rinj paraprakisht do të tregojnë se çfarë do të bëjnë me ndërmarrjet prodhuese, që ka qenë kërkesë e vazhdueshme e jona.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimin e djeshëm, anëtarët vendorë të Bordit të AKM-së, kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me propozimet e Lambsdorfit, ndërkohë që është thënë se i mbetet qeverisë dhe parlamentit të vendosë për pjesëmarrjen e anëtarëve vendorë në AKM. Cilin qëndrim do ta respektoni ju, pasi nuk jeni pjesë e qeverisë?

BAHRI SHABANI
Të them të drejtën, unë nuk kam qenë shumë i kënaqur as me qëndrimin e qeverisë, pasi nuk kemi një platformë në këtë rast si përfaqësues të qeverisë, apo të punëtorëve, në bordin e AKM-së. Përderisa kërkesa e qeverisë ka qenë njëfarë ultimatumi për të vazhduar privatizimin dhe në bisedat e mëhershme që kemi pasur me qeverinë dhe me kryeministrin drejtpërdrejt, këto ndryshime janë të ngjashme me ato që janë kërkuar dhe tani sipas meje, kjo është një zhagitje e panevojshme nga ana e qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush çfarë do të ndodhë tani me procesin e privatizimit dhe sa besoni në konstruktivitetin e të dyja palëve të përfshira. Ju ndodheni ndërmjet qëndrimeve të qeverisë dhe Shtyllës së katërt të UNMIK-ut?

BAHRI SHABANI
Vërtet është një problem dhe një punë që njëra palë tentohet t’i kundërvihet tjetrës. Duhet thënë hapur që edhe qeveria, edhe AKM-ja dhe ne, nuk shohim ndonjë perspektivë, përderisa në menaxhmentin e AKM-së nuk kemi një ristrukturim të mëtejshëm, ashtu siç duhet të ketë edhe në bordin e AKM-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Që nga maji i vitit 2002 kur është inauguruar procesi i privatizimit, ju keni qenë kundërshtar i procesit fillimisht, pastaj jeni bërë anëtar i bordit, keni dënuar pengesat që i janë bërë privatizimit, ndërsa tani prapë bëni vërejtje. Cili është pozicioni juaj në fakt?

BAHRI SHABANI
Po, ne në fakt e kemi mbështetur privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe të atyre publike. Dhe i vetmi qëllim i yni ka qenë që duke marrë për bazë luftën që ka ndodhur në Kosovë dhe shkatërrimet që janë bërë dhe duke patur parasysh faktin se për shumë vite, ne punëtorët shqiptarë kemi qenë jashtë procesit të punës, ne kemi besuar se me privatizimin përmes spin-off-it special, ku parashihet një plan i biznesit për ndërmarrjet dhe mbetja në punë e mbi 80 për qind të punëtorëve tanë, do të hapeshin vende të reja të punës, sepse momentalisht shumica e punëtorëve në ndërmarrjet shoqërore tashmë edhe pse llogariten punëtorë, marrin në pesë-gjashtë muaj nga 50 euro. Prandaj, kjo është e lidhur drejtpërdrejt me procesin. Për këtë arsye ne e mbështesim privatizimin në ndërmarrjet shoqërore, duke përfshirë spin-off-in special në të gjitha ndërmarrjet që janë prodhuese, apo mund të përgatiten për prodhim në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shabani në këtë situatë të kundërshtimeve të vazhdueshme mes qeverisë dhe Shtyllës së katërt të UNMIK-ut, nga do të orientohet presioni i BSPK-së, si organizatë që mbron interesat e punëtorëve kosovarë?

BAHRI SHABANI
Ne tashmë jemi kufizuar në dy kërkesa që do t'i bëjmë publike dhe do të këmbëngulim deri në fund që ato t’i realizojmë. Çështja e parë është se ne mbështesim procesin e privatizimit në ndërmarrjet shoqërore duke përdorur spin-off-et speciale dhe kërkesa e dytë është e lidhur direkt me qeverinë e Kosovës, ku ne kërkojmë që të ngrihet një program social për të gjithë punëtorët e Kosovës dhe askund në botë nuk ka ndodhur që një proces i privatizimit të ketë vazhduar pa një mbështetje sociale. Kur ne e kemi mbështetur para dy vjetësh, ka qenë një çështje politike se Kosova ka patur nevojë për procesin e privatizimit, por tani pas dy vjetësh kemi të drejtë të kërkojmë ndryshime dhe për një mbështetje sociale nuk na pengon askush. Ne i bëjmë thirrje edhe qeverinë edhe AKM-së, që të merren vesh lidhur me qëndimet e tyre, pasi ata që po pësojnë janë punëtorët dhe kjo situatë një ditë do të bëhet e padurueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë situatë si e shihni ju fatin e mëtejshëm të procesit të privatizimit?

BAHRI SHABANI
Pa pjesëmarrjen e qeverisë ne nuk shohim një perspektivë dhe qeveria është pa një program të qartë dhe nëse kundërshton një opcion, duhet ta ketë një opcion tjetër të qartë se si mund të vazhdojë ky proces. Por, ne nuk kemi një program të shkruar nga qeveria se si ata mendojnë ta vazhdojnë procesin e privatizimit. Përndryshe ata do të jenë përgjegjës, pasi është institucion që do ta vazhdojë procesin jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen.

Intervistoi Rrahman PAÇARIZI




XS
SM
MD
LG