Ndërlidhjet

logo-print

NDRYSHIMET NË KORNIZËN KUSHTETUESE NUK JANË PËRPARËSI PËR KOSOVËN – THOTË UNMIK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ndryshimet në Kornizën Kushtetuese nuk janë prioritet për Kosovën, ka thënë sot ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut Charles Brayshaw. Këto komente,Brayshaw i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me
kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, në prag të seancës së nesërme plenare, kur deputetët kosovarë do të votojnë për miratimin e këtyre ndryshimeve. Kjo Kornizë, tha Brayshaw, ka vënë balancë në Kosovë, kështu që për momentin, sipas tij nuk janë të domosdoshme ndryshimet thelbësore që do t’i prishnin këto balancime.
“Nëse shikohet deklarata publike e miratuar nga takimi i Grupit të Kontaktit Plus, shihet se cilat janë ato fusha që ata vlerësojnë se janë prioritete, kurse ndryshimet në Kornizën Kushtetuese nuk bëjnë pjesë në prioritetet e Grupit të Kontaktit Plus”, tha Brayshaw,duke tërhequr vërejtjen se kundërshtimi eventual që do të bënte Kuvendi ndaj Grupit të Kontaktit, nuk do të ishte në interes të Kosovës.
Në anën tjetër, burime vendore kanë theksuar se Kuvendi i Kosovës me gjasë nesër do të shtyjë votimin e amendamenteve për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese.
Si rezultat i takimit Daci – Brayshaw, thuhet se është arritur marrëveshja që ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë më fushat e rezervuara për shefin e UNMIK-ut dhe amendamentet që kanë të bëjnë me balancin lidhur me pakicat të mos kalojnë në Kuvend, pa një harmonizim paraprak me zyrën ligjore të UNMIK-ut.
Në emër të kryeparlamentarit Daci, këshilltari i tij Ramush Tahiri, tha se në këtë takim Daci ka pohuar se Kuvendi do t’i bëjë ndryshimet konform mandatit dhe synimeve që ka:
“Për ndryshimet kushtetuese u ra dakord që të bëhen përpjekje që bashkarisht të ndërtohen dhe aprovohen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë krahas me kohën. Me këto ndryshime nuk do të prishet balanci etnik, kurrësesi dhe nuk do të jetë Kushtetutë e ndërtuar vetëm për shqiptarët. Por nuk mund të pajtohemi më me qëndrimin statik të UNMIK-ut, i cili nuk mundëson lëvizje përpara me këtë mision çfarë është”, tha Tahiri.
Me ndryshimet në Kornizën Kushtetuese nuk pajtohet koalicioni i serbëve “Kthimi”, i përfaqësuar në Kuvend me 22 deputetë, edhe pse siç tha Oliver Ivanoviç, ato nuk do të miratohen fare nga administrata
ndërkombëtare. Rrëfimi për këto ndryshime, sipas Oliver Ivanoviçit, nuk mund të sjellë ndonjë rezultat tjetër, përveç injorimit të kësaj nisme nga ana e Kombeve të Bashkuara dhe UNMIK-ut.
Sidoqoftë, Kuvendi nesër ka në rend dite ndryshimet kushtetuese, kurse u mbetet deputetëve që të vendosin për miratimin e këtyre amendamenteve, apo shtyrjen për harmonizim me UNMIK-un për nje seancë tjetër.


XS
SM
MD
LG