Ndërlidhjet

REXHEPI: PAKICAT NUK PRANOJNË TË PUNËSOHEN NË ADMINISTRATËN PUBLIKE TË KOSOVËS


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe zyra e kryeministrit të Kosovës, kanë paraqitur sot një dokument përfundimtar mbi siç thuhet formalizimin e vendbanimeve joformale, në të cilat jeton komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë. Vendbanimet joformale janë vendbanime ku njerëzit jetojnë në qendra kolektive dhe strehimore të përkohshme. Në dokument thuhet se banorët e vendbanimeve joformale, veçanërisht ata që u përkasin grupeve të rrezikuara, janë të margjinalizuar nga komuniteti shumicë, në të shumtën e rasteve nuk gëzojnë të drejta për qasje dhe shfrytëzim të pronës, dhe shpesh herë rrezikohen nga dëbimi i dhunshëm pa vendim gjyqësor. Shefi i OSBE-së ambasadori Paskal Fieski, tha se ky problem nuk e ka përfshirë vetëm Kosovën, por edhe një pjesë të Evropës.
" Natyrisht është një problem i të drejtave të njeriut, meqë edhe ata janë qënie njerëzore, por gjithashtu është një problem ekonomik dhe stimulator i problemeve të këtij lloji," tha zoti Fieski. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se kjo kategori e njerëzve, jo vetëm gjatë këtyre pesë vjetëve, por edhe në të kaluarën, asnjëherë nuk kanë qenë të trajtuar në mënyrë adekuate. Zoti Rexhepi ka thënë se këto vendbanime duhet të formalizohen, por jo edhe të politizohen.
"Ky është një proces që do të zgjatë dhe nuk mund të priten rezultate të shpejta, mirëpo mjafton për fillim angazhimi, përkushtimi që këto kategori të njerëzve të trajtohen në mënyrë adekuate. Këtu duhet të ketë vetëm një kujdes që mos bëhet formalizimi i të gjitha këtyre vendbanimeve në mënyrë të përgjithshme, sepse mund të ketë ndoshta dhe implikime politike ose keqpërdorime të situatës". Kryeministri Rexhepi tha se sipas ligjit për shërbimet civile, komunitetet minoritare kanë mundësi që deri në 19 % të punësohen në qeveri, edhe pse kjo shifër deri më tani ka arritur vetëm shifrën 10 %.
"Nëpërmjet zyrës për komunitete ne kemi qenë të angazhuar vazhdimisht që t'i inkurajojmë të aplikojnë për vende të punës dhe suksesi është i pjesërishëm sepse ka patur shumë herë raste që edhe kur janë pranuar, për arsye të tyre kanë refuzuar që të punojnë. Ndoshta kanë patur presion se mund t'i humbin përfitimet që kanë patur nga strukturat paralele. Ne kemi shumë raste të tilla, prandaj dhe jemi të përkushtuar që të arrihet kjo si pjesë e standardit, mirëpo sa do të jemi të suksesshëm nuk varet vetëm nga strukturat tona qeveritare, por edhe nga gadishmëria e tyre që të integrohen në shoqërinë kosovare."
Në rekomandimet e dokumentit thuhet se organet qëndrore dhe lokale duhet t'i përmbahen dhe të angazhohen sa më shumë në parimet e qeverisjes së mirë siç është mosdikskriminimi dhe barazia. Rekomandimi tjetër ndërkaq flet për ndërmarrjen e hapave përkatës për përmirësimin e dialogut dhe ndërtimin e mirëbesimit në mes të banorëve të margjinalizuar nëpër vendbanime joformale dhe hartuesve të politikave.

XS
SM
MD
LG