Ndërlidhjet

ALI AHMETI: ZGJIDHJE TË DREJTA, KU SHQIPTARËT DHE MAQEDONASIT DO TË JENË TË KËNAQUR


Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, si i vlerësoni negociatat me partnerët e qeverisë rreth ndarjes territoriale dhe përdorimit të gjuhës shqipe?

ALI AHMETI
Çështja është që kohët e fundit është problematizuar mjaft në aspektin medial çështja e decentralizimit dhe më konkretisht sa i përket ndarjes territoriale. Unë mendoj se nuk duhet të bëhet problem mediatik, sepse ne nuk kemi kurrfarë interesi që të rrezikohet i gjithë procesi, për shkak të ambicjeve të ndryshme të njerëzve të ndryshëm. Ne i shohim në parim këto çështje ku nuk rrezikohet asnjëra palë, domethënë asnjë komunitet, me qëllim që të bëhet një zgjidhje në favor të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, ku shqiptarët do të gëzojnë frytet e tyre, maqedonasit gjithashtu do të gëzojnë frytet e tyre dhe asnjë komunitet të mos e shohë me sy të keq komunitetin tjetër. Ne nuk i mohojmë asnjë të drejtë komunitetit maqedonas dhe njëherësh kërkojmë që komuniteti maqedonas të mos shqetësohet se çështja shqiptare e shqiptarëve në Maqedoni do të favorizohet, sepse rrethanat janë të tilla që gjithmonë procesi ecën përpara dhe me zhvillimin e procesit, sigurisht që shqiptarët do të avancojnë. Kështu që ne problemin e ndarjes territoriale nuk e shohim një përplasje etnike, por ne kërkojmë një zgjidhje të drejtë, ku do të jenë të kënaqur të dyja palët, edhe shqiptarët edhe maqedonasit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, a mendoni se mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me kreun e ri të qeverisë dhe ngecjet e fundit mund të çojnë në një krizë më të thellë mes palëve në koalicion?

ALI AHMETI
Unë mendoj që më tepër zhurma është bërë jo në nivel institucional. I kanë paraprirë mediat dhe zhurma është bërë e madhe nga mediat, duke u ushqyer nga njerëz, të cilët mendoj se kanë dashur paksa edhe të promovohen në fushën mediatike. Në vazhdimësi jemi duke punuar në këtë drejtim për zgjidhje të drejtë, ku të gjitha palët do të jenë të kënaqura. Mendoj që një zgjidhje e tillë do të gjendet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit ndërhyrjen e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e kësaj çështjeje?

ALI AHMETI
Unë mendoj që komuniteti ndërkombëtar ka obligim, i cili buron dhe nga Marrëveshja e Ohrit, për arsye se janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Mirëpo për një situatë të tillë, do të thotë sa i takon problemit të fundit, mendoj që autoritetet vendase këtu kanë energji pozitive që të gjejnë zgjidhje adekuate për problemin në fjalë. Sa i përket komunitetit ndërkombëtar, uroj që të mos kemi situata në të cilat duhet të ndërhyjë. Mirëpo aktualisht mendoj që nuk paraqitet ndonjë nevojë të domosdoshme që të implikohet edhe komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e konteksteve, për të cilat tashmë kanë kohë që po bisedohet për zgjidhje të pranueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, ditë më parë deputetë të partisë suaj të Bashkimit Demokratik për Integrim, kanë deklaruar se nuk do të lëshohet pe në qëndrimet rreth përdorimit të shqipes në Strugë, Kërçovë dhe Shkup. I mbështetni ju këto vlerësime?

ALI AHMETI
Çështja është siç e thashë në fillim që ne do të veprojmë dhe do të punojmë në drejtim të zgjidhjes së problemeve, që nga këto zgjidhje të jenë të kënaqur qytetarët dhe që këto zgjidhje të garantojnë një perspektivë më të mirë për komunitetin shqiptar që jeton në Maqedoni. Unë nuk jam idhtar i frazave do lëshojmë pe, apo do të këputim pe. Unë jam për zgjidhje të drejta, zgjidhje, të cilat garantojnë paqen stabilitetin, sigurinë dhe që reflektojnë drejt obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Unë jam konsekuent në këtë drejtim; përfaqësim i drejtë dhe reflektim i drejtë dhe adekuat i Marrëveshjes së Ohrit, sepse decentralizimi është pjesë vitale e kësaj Marrëveshjeje.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG