Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS SHTYN MIRATIMIN E NDRYSHIMEVE NË KORNIZËN KUSHTETUESE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndërkohë që ka shtyrë miratimin e ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës sot ka diskutuar për vazhdimin e privatizimit në Kosovë, me ç’rast shefi i Shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf ka thënë se privatizimi mund të vazhdojë dhe raundi i tretë të shpallet menjëherë.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha se ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut Charles Brayshow, kishte kërkuar nga parlamenti që të mos vazhdojë ose të ndërpresë fare punën e amendamentimit të Kornizës Kushtetuese: “E di që shpeshherë po duhet të konsumohet durimi juaj, por unë mendoj që shprehja e gadishmërisë për partneritet të tillë, e ndihmon cilësinë e amendamentimeve që janë bërë dhe ju lus për mirëkuptim dhe ta heqim nga rendi i ditës, duke ju premtuar që shumë shpejt do të kemi një seancë të veçantë me këtë pikë të rendit të ditës”, tha Daci, duke shfaqur bindjen që UNMIK këtë herë dukej më i gatshëm të përfshihej në punë me komisionin funksional për ndryshimet në Kornizën Kushtetuese.
Ndërkaq, kryetari i komisionit për ndryshime të Kornizës Kushtetuese Arsim Bajrami, tha se që nga fillimi parlamenti dhe qeveria kanë qenë të hapur për partneritet me UNMIK-un, por ata asnjëherë nuk kanë shprehur vullnet dhe gatishmëri për t’u përfshirë në këtë proces. “Unë nuk mendoj që ka arsye që ne ta shtyjmë këtë proces, pasi ky parlament në mënyrë legjitime e ka nisur këtë proces dhe e ka obligim ta përfundojë,” tha Arsim Bajrami.
Kritika të shumta në adresë të deputetëve që kanë munguar në mbledhjen e sotme bëri edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Bujar Dugolli: “Ne e shohim që këtu nuk ka kushte teknike për ta vazhduar këtë punë, dhe nuk ka mundësi teknike për të votuar, pasi nuk do ta arrijmë kuotën e mjaftueshme për t’i kaluar këto amendamente dhe e dimë lojën që po bën UNMIK-u lidhur me këtë çështje, pasi është një kohë e gjatë që i është dhënë mundësia UNMIK-ut të përfshihen në këtë çështje, por ata kanë refuzuar”.
Mirëpo, Sabri Hamiti, shef i grupit parlamentar të LDK-së tha se nuk është koha t’u bëhen vërejtje deputetëve. “Unë pajtohem me kryetarin e Kuvendin që sot në më mënyrë funksionale nuk mund të punojmë si duhet për këtë pikë të rendit të ditës. Unë propozoj që mbledhja tjetër me të gjitha provat e dyta të bashkëpunimit me UNMIK-un të mbahet deri në fund të këtij muaji maksimalisht”,tha zoti Hamiti.
Pas heqjes së kësaj çështjeje nga rendi i ditës, Kuvendit i është drejtuar shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf, i cili ka folur për rezultatet e vizitës së tij në Nju Jork lidhur me privatizimin. Ai tha se shpresonte se kishte sjellë lajme të mira: “Natyrisht se porosia numër një që unë mora ishte se privatizimi duhet të vazhdojë dhe të shkojë përpara”, tha zoti Lambsdorf duke shtuar se në Nju Jork i ishte bërë e qartë se privatizimi nuk guxon të ndërpritet. Prandaj, tha Lambsdorf, porosia e Nju Jorkut është se privatizimi duhet të vazhdojë sipas modelit të deritashëm dhe se Nju Jorku i përkrah disa ndryshime minimale në politikat operacionale, me qëllim që privatizimi të ecë përpara në mënyrë transparente dhe që AKM-ja të mund të zgjedhë kompanitë më të mira ofertuese dhe blerës më cilësorë, të cilët do të investojnë seriozisht. Këto ndryshime, tha Lambsdorf na mundësojnë që menjëherë ta vazhdojmë raundin e tretë të privatizimit.
Mirëpo, Ministri për Tregti dhe Industri në qeverinë e Kosovës Ali Jakupi, tha se ndryshimet e propozuara nuk ndryshojnë gjë esencialisht, por shtojnë ndërkaq mundësitë e keqpërdorimeve nga ana e AKM-së me rastin e përzgjedhjes së blerësve të ndërmarrjeve të tenderuara: “Me këtë do të rritet byrokracia shumë specifike në AKM dhe do të kemi një organizëm që vështirë jep rezultate, por që do të realizojë disa çështje të vetat dhe nën tre mund të vijë deri te keqpërdorimi, që do të thotë se negociatat mund të shfrytëzohen për t’u marrë vesh në mënyrë nëntokësore për korrupsione të ndryshme”, tha ministri Jakupi, duke kundërshtuar ndryshimet e propozuara që kanë të bëjnë me kompetencat e AKM-së të negociojë paraprakisht me blerësit, që të shpallen dy tenderë për një raund ndërmarrjesh dhe që të zgjerohen spin-off-ët specialë. Më pas në Kuvend ka pasur diskutime të shumta për dhe kundër këtyre nryshimeve, por në përgjithësi u kërkua që procesi të vazhdojë.


XS
SM
MD
LG