Ndërlidhjet

NANO: KONSOLIDOHEN PROCESET E INTEGRIMEVE EVRO-ATLANTIKE


Fatos Nano, kryeministër i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, kanë mbetur edhe pak ditë nga samiti i NATO-s. Çfarë mund të presin nga ky samit vendet nënshkruese të Kartës së Adriatikut, me theks të veçantë Shqipëria?

FATOS NANO
Unë besoj se pozicioni perëndimor i Shqipërisë është një favor rajonal. Për shkak të këtij bashkëpunimi rajonal, që zhvillohet mirë midis vendeve të stabilizuara dhe demokratike të Evropës Juglindore, veçanërisht midis Shqipërisë Maqedonisë dhe Kroacisë, po konsolidohen proceset e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, edhe në dobi të vendeve më pak perëndimore të rajonit. Kështu besoj se janë prishur përfundimisht muret dhe barrierat për integrim edhe për këtë pjesë të Evropës. Nuk ka më as enklava fizike, as enklava mendore. Shembulli më i freskët për këtë vjen nga partneriteti, dialogu politik dhe agjenda e njëjtë e reformave, që zhvillojnë dy vendet tona, vendet e tjera të Ballkanit, pavarësisht se me shpejtësi të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria si vendi më perëndimor në Ballkan, mund të presë ndonjë sinjal pozitiv ose afatizim të anëtarësimit të saj në strukturat veriatlantike?

FATOS NANO
Unë besoj se po, për shkak se ky është grupi i vendeve të valës tjetër të zgjerimit të NATO-s. Nuk kemi konkurentë në këtë proces, ose më saktë ne konkurojmë vetveten. Pra duhet më shumë progres dhe dinamikë në shtrirjen e progresit në fushën e sigurisë dhe në fushat e tjera të funksionimit të institucioneve demokratike dhe të zhvillimit të ekonomive të vendeve tona. NATO sigurisht nuk është vetëm një aleancë ushtarake dhe këtë e tregojnë më së miri kontributet tona gjithashtu në misionet paqeruajtëse, paqebërëse, që zgjerojnë gjithashtu hapësirën demokratike globale.

RADIO EVROPA E LIRË
I emëruari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan si përfaqësues i tij special për Kosovën Petersen, duke komentuar kërkesën e kosovarëve për bartjen e kompetencave është shprehur se kjo paraqet një nga çështjet që kërkojnë vëmendje urgjente. Cili është komenti juaj në këtë drejtim?

FATOS NANO
Unë besoj se çdo emërim i ri na jep mundësinë të gjithëve për të shfrytëzuar avantazhet e atij që vjen mbas, eksperiencat e paraardhësve dhe është një stimul për të gjithë përfshirë dhe shqiptarët dhe serbët në Kosovë, që të sillen ndryshe ndaj reformave, standardeve, ndaj detyrimeve për bashkëjetesë dhe për garanci demokratike multi-etnike. Nuk besoj se zoti Petersen me përvojën pozitive që ka patur si përfaqësues i Bashkimit Evropian në vendin tuaj, që është një demokraci funksionuese multietnike, pra në Maqedoni, nuk e ka sensin e nevojës për zgjidhje të reja dhe gjithëpërfshirëse edhe për Kosovën, e cila nuk mund të ketë të ardhme tjetër përveçse ankorimit më të fortë në procesin e Asociimit, Stabilizimit dhe të integrimit evropian si kryeqytetet e tjera të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju theksuat se me autoritetet zyrtare të Maqedonisë, gjithnjë e më shumë po bisedoni në një klimë më të mirë. A ka ardhur atëhere koha që të bisedohet dhe për çështjet e ndjeshme siç është zbardhja e fatit të atyre shqiptarëve, të cilët humbën jetën gjatë kalimit të kufirit ilegalisht?

FATOS NANO
Unë dua t'ju siguroj se nuk ka tema të ndaluara në komunikimin apo dialogun midis dy qeverive apo kryetarëve të shteteve. Aq më pak ka sot rezerva në bashkëpunimin midis policive dhe shërbimeve tona të sigurisë apo të inteligjencës gjithashtu. Besoj se edhe ju në Maqedoni po kërkoni ata që fshihen si ish-funksionarë të shërbimeve të fshehta dhe unë jam i bindur që ky partneritet do të japë përgjigjet e munguara, pa humbur më kohë për gjithshka që mjergullon shpresën apo horizontin e fqinjësisë së mirë, apo të integrimit të përbashkët në botën moderne.

Intervistoi Zërijeta Hajro Jahjaga


XS
SM
MD
LG