Ndërlidhjet

logo-print

RREGULLORJA E UNMIK-UT PROBLEM PËR QYTETARËT E KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Për të dëshmuar se është qytetar i Kosovës dhe për t’u pajisur me një dokument udhëtimi të administratës ndërkombëtare, secili qytetar duhet të posedojë një varg dokumentesh nga më të ndryshmet. Në mesin e këtyre dokumenteve kërkohen edhe ato që janë lëshuar para qershorit të vitit 1999 nga autoritetet e atëhershme serbe. Betim Gjoshi, zëdhënës në Ministrinë e Shërbimeve Publike, tha se kjo ka shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët e Kosovës, për faktin se një numër shumë i madh i dokumeteve janë humbur, apo djegur gjatë konfliktit të fundit në Kosovë. Për këtë zoti Gjoshi, tha se ministria në të cilën punon ai, vazhdimisht ka kërkuar nga administrata e Kombeve të Bashkuara për shfuqizimin e kësaj rregulloreje.
“Ministria e Shërbimeve Publike është e angazhuar që më nxjerrjen e këtij udhëzimi ,por edhe më herët që të përmirësojë procedurën për pajisje më dokumente civile, por kjo gjë ka hasur në vesh të shurdhër të UNMIK-ut, i cili ka vazhduar me avazin e vjetër. Dhe ne lirisht mund të themi se pjesa e dokumetacionit civil është lëmia apo pjesa më e errët e veprimtarisë së UNMIK-ut në Kosovë, ku asnjëherë nuk është shikuar interesi i qytetarëve të Kosovës dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje e mirë për qytetarët e Kosovës”.
Christian Lindmeier, zëdhënës në UNMIK, tha se nëse kërkohet shfuqizimi i ndonjë rregulloreje, atëherë duhet të këtë ndonjë zëvendësim të mundshëm.
“Nëse parashtrohen kërkesa për shfuqizimin e një rregulloreje apo dokumenti, në të njëtën kohë duhet të dilni përpara me një propozim apo alternativë, e cila do të zëvendësojë atë rregullore”, tha zoti Lindmeier.
Edhe Bajram Mjeku, zëdhënës në kuvendin komunal të Prishtinës, thotë se kuvendi komunal e ka kundërshtuar këtë rregullore, e cila po paraqet tollovi të mëdha para sporteleve.
“Mijëra qytetarë të Kosovës kanë humbur dokumentet e udhëtimit dhe identifikimit dhe për më keq, forcat e ushtrisë dhe policisë serbe edhe ua kanë konfiskuar atyre. Prandaj kjo është një pengesë e madhe e qytetarëve për të prezentuar identitin e tyre. Dhe pikërisht për këtë gjatë pesë viteve të fundit, jo më pak se 400 mijë qytetarë të Kosovës janë pajisur më dokumente të udhëtimit të regjimit serb pa vullnetin dhe dëshirën e tyre. Ata janë të detyruar vetëm për shkakun se nuk mund të kenë dokumente të ish regjimit serb për t’i nxjerrë sot dokumentet e udhëtimit, të cilat i lëshon administrata e UNMIK-ut”
Në mesin këtyre qytetarëve është edhe Albana Berisha, e cila duke pritur para një sporteli në Kuvendin Komunal të Prishtinë, rrëfen për vështirësitë me të cilat përballet.
“Që një javë kam ardhur për dokumente të udhëtimit këtu në komunë, por po më mungon një çertifikate e Serbisë, e cila po më shkakton shumë probleme. Kërkoj nga UNMIK të shfuqizojë këtë vendim që ne të kemi më lehtë për t’u pajisur më dokumete të udhëtimit.”
Ndryshe zoti Lindmeier, thotë se në administratën ndërkombëtare janë të vetëdijshëm se shumë njerëz nuk kanë dokumente identifikimi për arsye të ndryshme, por sipas tij, UNMIK-u është munduar të gjejë një zgjidhje, duke sjellë disa dokumente nga Serbia.
”Për të aplikuar për leje të udhëtimit të UNMIK-ut duhet të keni një dokument indentifikimi me fotografi, i cili do të mbështesë pohimin se ju jeni ai person”, tha zoti Lindermeir.
Shumë qytetarë janë detyruar që zgjidhjen të kërkojnë tek strukturat e administratës serbe, të cilat vazhdojnë të funksionojnë kryesisht nëpër lokacionet e banuara me shumicë serbe.


XS
SM
MD
LG