Ndërlidhjet

logo-print

L. SELL:"KOSOVA DUHET TË BËHET SHTET I PAVARUR"


Louis SELL, ish diplomat i SHBA-ve dhe ligjerues në Universitetin Main


RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni situatën aktuale në Kosovë?

LOUIS SELL
Situata në Kosovë është e përzier. Kosova praktikisht është në gjendjen e një armiqësie të pezulluar. Njerëzit e Kosovës, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit ndërkombëtar, nuk e dijnë cila është e ardhmja e tyre dhe kanë vështirësitë e tyre praktike sepse marrëveshja që përfundoi luftën në Kosovë, ishte akoma më pak e kuptueshme se Marrëveshja e Dejtonit. Ishte thjesht një armëpushim dhe një marrëveshje e përkohshme për një administratë të përkohshme ndërkombëtare të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, e cila supozohej se kur do të vendosej në Kosovë, do të krijonte një marrëveshje përfundimtare. Kjo nuk është bërë. As pushteti dhe përgjegjësitë e plota për çështjet e tyre nuk u është dorëzuar njerëzve në Kosovë. Administrata e UNMIK-ut në Kosovë, vërtet e ka humbur gjithë kredibilitetin. Është e korruptuar, është e pa qëllim dhe duhet të zëvendësohet. Mendoj se kjo ndoshta do të ndryshojë gjatë një ose dy viteve të ardhshme. Por praktikisht, e ardhmja e Kosovës, e ardhmja politike dhe e ardhmja ekonomike e saj, duhet të zgjidhen brenda vitit që vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se përmbushja e standardeve ndërkombëtare do të ndihmojë apo është thjesht duke zhagitur zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

LOUIS SELL
Është sigurisht një taktikë zhagitjeje. Nocioni i standardeve para statusit ishte kuptuar si një taktikë zahgitjeje. Nuk ka të bëjë me realitetin. Në teori sigurisht është gjë e mirë. Standardet janë të shkëlqyeshme dhe të gjitha vendet i plotësojnë vetëm disa prej tyre. Asnjë vend në botë nuk i plotëson të gjitha. Problemi është se ato nuk përbëjnë një udhërrëfyes realist për të ardhmen e Kosovës. Janë krijuar si një taktikë shtyrjeje, e kuptuar në mënyrë të përsosur. Gjithsesi, deri tani janë shënuar arritje drejt realizimit të atyre standardeve. Në Kosovë janë mbajtur zgjedhje, të monitoruara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që kanë qenë të lira dhe të drejta. Kosova e ka qeverinë e vet pavarësisht se ajo ka pushtet të kufizuar. Dëmet fizike të luftës janë riparuar, pra ka patur disa arritje. Por nuk do ketë arritje të mëtejme, por këthim prapa, përderisa njerëzit e këtij vendi të mos e kenë idenë se cila do të jetë e ardhmja e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Serbisë ka propozuar kohët e fundit decentralizimin e Kosovës, propozim i cili është konsideruar në masë të gjerë si një hap drejt ndarjes etnike të Kosovës. Jeni dakord me këtë fakt?

LOUIS SELL
Propozimi është një propozim. Në të vërtetë, është e qartë se minoriteti serb në Kosovë, i cili ndoshta përbën 5-10 % të popullatës, e gëzon të drejtën të jetojë aty nëse dëshiron. Dhe, gjithashtu është e qartë se ky minoritet, nëse don të jetojë aty, duhet të ketë të drejta të konsiderueshme autonome. Pra decentralizimi nuk është një ide e keqe, por problemi është se sipas planit serb, zonat e decentralizuara do t'i raportojnë Beogradit, e jo Prishtinës. Plani i Beogradit është një reçetë për ndarjen, për shpërbërjen e Kosovës, e jo për shërimin e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë shihni si mundësinë më reale për të ardhmen e Kosovës?

LOUIS SELL
Mendoj që Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, por ky shtet i pavarur gjithsesi duhet të përfshihet në shumë procese ekonomike, të sigurisë, dhe të marrëveshjeve politike me fqinjët e tij, për të siguruar që Kosova e pavarur të jetë burim stabiliteti, i cili mendoj se është i mundshëm apo mund të sigurohet nëse ndiqet rruga e duhur. Duhet të ketë decentralizim për minoritetin serb, për pjesëtarët që duan të qëndrojnë, por duhet të ketë edhe një prani të vazhdueshme ndërkombëtare. Egziston nevoja për një prani ndërkombëtare ushtarake, si dhe një prani civile monitoruese ndërkombëtare, që të ndihmojë vendin, i cili ende mbetet një rajon thellësisht i ndarë.

Intervistoi: Vlado AZINOVIC
XS
SM
MD
LG