Ndërlidhjet

logo-print

RRËNJËT (JO)FETARE TË TRAZIRAVE TË MARSIT


Autor: Bekim BISLIMI

Trazirat e dhunshme të muajit mars në Kosovë, gjatë të cilave u vranë 19 veta, u plagosën qindra të tjerë dhe u shkaktuan shumë dëme materiale, në raste të caktuara janë kualifikuar më shumë si sulme kundër krishterizmit. Kështu thotë edhe ati Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Orthodokse Serbe në Kosovë, i cili pohon se për një vlerësim të tillë dëshmi është rrënimi i rreth 30 kishave dhe manastireve orthodokse, përdhunimi i ikonave të shenjtorëve dhe thyerja e kryqave. Megjithatë, ati Janjiq thotë se Kisha Orthodokse Serbe mendon se dhuna e shpërthyer kishte më shumë karakter etnik dhe se nuk mund të karakterizohet si konflikt ndërfetar.
“Ekzistojnë mjaft indikacione se në këtë shpërthim të dhunës ka pasur edhe elemente kundërkrishtere, të cilat janë manifestuar mbi simbolet e krishterizmit, e që janë themelet e qytetërimit evropian”, thotë Sava Janjiq. Ai ka shfaqur shpresën se Bashkësia Islame e Kosovës e dënon ashpër këtë dhunë dhe se, siç tha ai, do të bëjë ç’është e mundur që të sqarojë se konfrontimi në mes krishterimit dhe islamit në Kosovë është i panevojshëm dhe se duhet t’u iket konfrontimeve të këtij lloji. Drejtuesit e Bshkësisë Islame të Kosovës, e cila përfaqëson besimtarët mysliman kosovarë, shumica e të cilëve i takojnë komunitetit shqiptar, menjëherë pas trazirave, zyrtarisht i kanë dënuar veprimet vandale ndaj objekteve të kultit të serbëve dhe publikisht kanë ftuar popullatën që të distancohen nga veprimet e tilla. Kryeimami Sabri Bajgora thotë se rrënimi i objekteve të kultit të cilitdo besim, është në kundërshtim me parimet e fesë islame:
“Feja islame nuk lejon nga vetë etika dhe morali i saj, që të rrënohen objektet e të tjerëve, sepse, pa marrë parasyshë, të gjitha objektet shërbejnë për t'u adhuruar Zoti i Madhërishëm. Megjithëse në Kosovë dikush përpiqet që t’i japë kësaj një ngjyrë fetare, unë mendoj se larg është t’i jipet një karakter apo ngjyrim fetar këtij konflikti që ishte në muajin mars të këtij viti. Ishte thjeshtë shprehje e një revolte, e cila, me të vërtetë, na hedhë në pozitë shumë të keqe edhe neve”.
Ngjashëm pohon edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë, Don Shan Zefi, Kancelar Ipeshkvor i Kosovës…
“Nëse mendohet të thuhet se kjo ka qenë, t’i mvishet aspekti fetare, unë mund të them me plotë përgjegjësi se nuk ka të bëjë me çështje fetare, por ky është një konflikt nacional ose kombëtar, fatkeqësisht, në mes shqiptarëve dhe serbëve. T’i ipet epiteti i një konflikti religjioz, unë besoj se kjo është e pamundur. Shqiptarët, siç kam deklaruar sa e sa herë, e dijnë se janë me traditë të krishterë dhe do të ishte absurd që ata të luftonin kundër kishave ose kundër traditës së tyre të krishterë. Konflikti thjesht, është kombëtar, në mes shqiptarëve dhe serbëve”.
Ismail Hasani, ligjërues i sociologjisë për religjionin në Universitetin e Prishtinës mendon se rrënimi i kishave gjatë trazirave të muajit mars më shumë ka të bëjë me tendencën për hakmarrje ndëretnike:
” Unë konsideroj që absolutisht nuk mund të flitet këtu për ngjyrime të tilla ndërfetare. Konsideroj se motivi ndëretnik është mbi të gjitha elementi parësor dhe kyq që ka determinuar, për arsye se ne nuk duhet të harrojmë se entiteti etnik serb në Kosovë , me disa përjashtime, pjesa dërmuese kanë qenë të involvuar në të kaluarën shumë të afërt në ngjarjet tragjike të Kosovës gjatë luftës. Gjithandej në Ballkan ekzistojnë këto mallkime, tendencat për hakmarrje, sepse Ballkani është i tillë, është zonë e trazuar”.
Në raportin që kohë më parë e ka publikuar Grupi Ndërkombëtar i Krizave, është karakterizuar se sulmet mbi objektet fetare orthodokse serbe nuk janë bërë për motive religjioze. Ardian Arifaj, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, shpjegon konceptin thelbësor të këtij raporti:
“Nuk janë sulmuar objektete fetare për shkakt të vetë motiveve religjioze. Ato më tepër janë sulmuar sepse kanë simbolizuar diçka që është serbe e që atë ditë ka qenë në shënjestër të turmës”.
Në anën tjetër, ati Sava Janjiq, këmbëngulë se gjatë trazirave ekstremistët kanë shpërfaqur urrejtjen kundër simboleve të krishtera…
“Për fat të keq, ekzistojnë ekstremistë dhe në shembujt që i ofrova në kisha të ndryshme, në Deviq, ku kemi parë heqjen e syve nga figura e ShënMërisë dhe dëmtimin e figurave të të shenjtëve. Për fat të keq, duhet të themi se krahas urrejtjes etnike ka qenë e pranishme edhe një urrejtje kundër simboleve të krishtera”.
Por, këto pohime i hedhë poshtë kryeimami Bajgora:
“Kjo absolutisht nuk mund të vlerësohet si konflikt fetar dhe janë të pabaza pohimet se mund të ketë konflikt fetar. Ky është më tepër konflikt ndëretnik, frustrimet e ndryshme, për arsye se Bashkësia Islame apo edhe Bashkësia Katolike janë larg asaj që të cilësohen si bashkësi të rrezikshme që rrezikojnë një popullatë të krishterë orthodokse, mirëpo bashkarisht, sa herë që kemi takime të përbashkëta me kishën katolike shqiptare i ftojmë serbët në dialog, në mirëkuptim, në biseda të mirëfillta për të mirën e kësaj popullate. Ndërsa Kisha Orthodokse Serbe, fatkeqësisht, gjithmonë rri larg dhe distancohet nga këto tubime, sepse vërtetë ata e udhëheqin një politikë nacionaliste, ndërsa ne si Bashkësi Islame dhe Krishtere Katolike Shqiptare, këtë punë ua kemi lënë politikanëve dhe do të merremi më shumë me çështje shpirtërore”.
Përfaqësuesit i Kishës Katolike, Don Shan Zefi, thekson se në traditën shqiptare kurrë më parë nuk janë shënuar elemente të urrejtjes ndaj krishterimit:
“Që nga koha e Shën Palit e deri në ditët tona, mund të them se djegie të kishave, qofshin ato edhe ortodokse, historia dhe historiografia shqiptare e kësaj ane dhe e këtij populli nuk e njef. Prandaj, ky është vetëm një aksident dhe duhen të kërkohen arsye të tjera përse ka kjo ka ndodhur”.
Dhunën mbi kishat orthodokse serbe, sociologu Hasani e shpjegon kështu:
“Ju kujtohen ngjarjet që kanë qenë të lidhura me bekimin e ushtarëve që dërgoheshin në front? Ata merrnin paraprakisht bekimin në kishën orthodokse serbe, për të ardhur për të luftuar dhe për të shfarosur njerëzit në Kosovë. Kështu që, ka një alergji të pashpjegueshme lidhur me atë dhe unë do të isha i lumtur që, në një të ardhme të afërt, kisha orthodokse serbe të shërohet prej kësaj barre historike, prej kësaj akuze të rëndë që e mbanë".
Ndërkaq analisti Arifaj, thotë se në bazë të hulumtimeve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave edhe rasti i sulmit mbi Manastirin e Deviqit, nga ku Grup është vlerësuar të ketë pasur prapavijë etnike dhe jo religjioze:
“Është parë si një cak legjitim, si një vend i cili është lidhur me represionin, me vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës, por që lidhet edhe me gjendjen e sotme, me gjithë frustrimin e shqiptarëve të Kosovës sot”.


XS
SM
MD
LG