Ndërlidhjet

logo-print

KAMERHOF: KFOR-i MUND TË MBURRET ME TË ARRITURAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Gjatë pesë viteve të misionit të KFOR-it në Kosovë, kjo forcë ushtarake mund të mburret me të arriturat në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë për të gjithë, ka thënë sot komandanti i forcës shumëkombëshe të KFOR-it në Kosovë, gjenerali gjerman Holger Kamerhof. Ai u ka bërë thirrje me këtë rast të gjitha subjekteve relevante të Kosovës, që të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në Kosovë, në të gjitha fushat, filluar nga pozita e pakicave, zhvillimi ekonomik, e deri te luftimi i krimit, në mënyrë që Kosova të mund t’i realizojë ambicjet e saj për t’iu bashkuar familjes evropiane:
“Nëse Kosova dëshiron që t’i arrijë vlerat perëndimore dhe ato evropiane, që është një rrugë tejet e gjatë, dhe ta shohë veten në kuadër të strukturave evro-atlantike, të gjithë duhet ta kuptojnë se as KFOR-i e as bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pranojnë dhunën, apo diskriminimin etnik”, tha gjenerali Kamerhof. Thirrjet e tij u janë drejtuar liderëve dhe popullit të Kosovës, që të angazhohen sa më tepër që të riparohen të gjitha dëmet e shkaktuara gjatë trazirave të marsit.
"Asnjë ekonomi, shoqëri, nuk mund të mbijetojë apo të ngrejë një ekonomi të qëndrueshme, sikurse që as bashkësia ndërkombëtare nuk do të investojë para të vetat në Kosovë, nëse Kosova nuk e ngre ekonominë e saj mbi bazat e rendit dhe ligjit dhe nëse nuk luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar," tha Kamerhof.
Në vazhdim, gjenerali Kamerhof tha se zgjedhjet e ardhshme dhe kthimi i të zhvendosurve do të jenë sfidat kryesore për Kosovën. KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare, tha ai, dëshirojnë të shohin një Kosovë ku të drejtat e pakicave do të respektohen në tërësi, duke ndjekur dhe rrugën e plotësimit të standardeve që do t’i zhvillonte të gjitha proceset e filluara këtu:
Kamerhof tha se zbatimi i planit për përmbushjen e standardeve është rrugë e vetme që do t’i sjell suksesin Kosovës, duke pasur pas vetes dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in. Ndërsa duke iu përgjigjur disa komenteve se patrollimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës bashkë me ushtarët e KFOR-it mund të ndihmojnë në krijimin e një ambienti më të sigurtë për pakicat, gjenerali Kamerhof tha:
"TMK nuk ka ndonjë rol në zbatimin e rendit dhe ligjit dhe nuk do të përfshihet në kurrëfarë detyre të përbashkët nëpër enklavat serbe apo zonat përreth kishave, të paktën jo për sa unë të jem komandant i KFOR-it”, tha Kamerhof. Në vazhdim ai ka pohuar gjithashtu se Kosovës i duhet një zgjidhje politike që do t’i kënaqte të gjitha palët, ndërsa roli i KFOR-it sipas tij, edhe në këtë rast do t’ishte ai që ka sot, në garantimin e sigurisë në Kosovë. Kamerhof tha se gjatë këtyre pesë viteve të KFOR-it, rreth 250 mijë ushtarë nga 36 kombe të botës kanë shërbyer në Kosovë. Ai do të largohet nga detyra më 1 shtator, kur pritet që komandën e KFOR-it ta marrë gjenerali francez, Yve de Kermabo.
XS
SM
MD
LG