Ndërlidhjet

FËMIJËT E RRUGËVE TË BAGADADIT


Valentinas MITE, gazetar i radios Evropa e Lirë


Mijëra fëmijë të pa strehë jetojnë në rrugët e kryeqytetit të Irakut, Bagdad, ku lypin, vjedhin, shesin apo përdorin drogë, kërkojnë nëpër hedhurinat dhe flejnë në trotoar.
Disa prej tyre sapo kanë filluar këtë mënyrë të jetës, ndërsa të tjerët janë nëpër rrugë një vit, që nga kollapsi i regjimit të Saddamit, kur u larguan nga jetimoret.
Është pikëlluese për çdo të huaj në kryeqytetin e Irakut, kur çdo ditë i dëgjon fjalët "Zotëri, më jep ca para".
Lypsit janë fëmijët, disa 5-vjeçarë. Me rroba të ndyra dhe të palarë, ata shesin çamçakiza, lustrojnë këpucët, apo thjesht kërkojnë lëmoshë. Flasin dhe betohen si të mëdhenjtë, dhe duket sikur s'kanë frikë nga askush.
Nuk dihet sa fëmijë të pa strehë ka në Bagdad. Duket sikur janë gjithandej, sidomos në lagjen qendrore, ku kryesisht janë vendosur të huajt, afër hoteleve Sheraton dhe Palestina.
Këta fëmijë të rrugëve shkaktojnë shqetësime jo vetëm te grupet fetare myslimane, por edhe te organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare.
Asmaa Rasheed, një arabe sunite, është drejtuese e një programi për fëmijë, i cili në Irak vepron prej vitit 1991. Ajo thotë se fëmijët e rrugëve kanë dy alternativa. Nëse do të kenë fat, do të gjejnë dikë që do të kujdeset për ta. Por shpesh, për të mbijetuar i kthehen kriminalitetit dhe përdorin drogë.
"Një nga sfidat më të rrezikshme që përballemi është fakti se shumica e tyre janë bërë të varur nga avujt e shumtë helmues që i thithin", thotë ajo.
Rasheed shton se organizata e saj vjeshtën e kaluar, siguroi strehim për 28 fëmijë, 5 nga të cilët nuk arritën ta ndryshojnë mënyrën e dhunshme të jetës.
Ajo thotë se fëmijët e kanë vështirë të heqin dorë nga jeta me me një farë lirie relative, ku nuk ndiqen kurrfarë rregulla apo norma të shoqërisë. Nga ana tjetër, shumë fëmijë detyrohen të dalin në rrugë shkaku i keqtrajtimit të të rriturve, kështu që futen në qarqet kriminale apo bëhen skllevër seksi.
Ahmedi, një 12 vjeçar, i ka thënë radios "Evropa e Lirë" se me vite jeton nëpër rrugët e Bagdadit.
"Jetoja në Baquba, 50 km nga Bagdadi. Babai më braktisi. Nëna mbeti në Baquba, por më vonë erdhi edhe ajo. Isha 9 vjeç kur fillova të jetoj nëpër rrugë", thotë Ahmedi, duke shtuar se vendet më të mira për të fituar para janë pranë hoteleve të mëdha. Ai ngurron të flasë si i siguron paratë për mbijetesë, por thotë se lustron këpucë.
Ngjashëm rrëfen edhe Kutaiba, një djalosh tjetër, i cili e tregoi vetëm mbiemrin.
"Jam 14 vjeçar. Nëna më braktisi dhe shkoi të jetojë me njeri tjetër. Më pas, babai na mori nga nëna dhe filloi të na rrahë. Unë pastaj ika", thotë ai, duke shtuar se që atëherë s'i ka parë prindërit e vet.
Muhamedi është një 18 vjeçar, i cili deri para luftës kishte jetuar në jetimoren e shtetit. Ai thotë se ato ishin vitet më të vështira të jetës së tij.
"Ishte torturë e vërtetë, na linin pa ngrënë deri në vdekje, ndërsa oficerët vinin e i dhunonin femrat", thotë Muhammed.
Kur amerikanët erdhën në Irak, vazhdon ai, fëmijët ikën nga jetimoret dhe filluan të jetojnë nëpër rrugë pranë hoteleve ku qëndrojnë të huajt. Ai thotë se disa nga të huajt janë të mirë, meqë japin para apo rroba. Tani ai dhe i vëllai i tij më i vogël jetojnë në një strehimore dhe janë të lumtur.
Fëmijët e vendosur në strehimoret kanë qasje te lojërat e kompjutorëve dhe mësojnë të shkruajnë, lexojnë apo këndojnë. Ndonjëherë i çojnë në qendrat kulturore ku ka pishina. Shumica e fëmijëve thonë se kjo është jeta, që gjithmonë e kanë dëshiruar.
XS
SM
MD
LG