Ndërlidhjet

SCHEFFER: SITUATA NË KOSOVË MBETET EKSTREMISHT E BRISHTË


Augustin Palokaj, Bruksel

Kosova dhe misioni i KFOR-it atje do të diskutohet në Samitin e Stambollit, ka thënë sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, duke folur për agjendën e këtij takimi, megjithëse këtë nuk e përmendi ndër prioritetet.
Do të kisha dëshiruar të kem ndonjë lajm të mirë për Kosovën, por nuk kam. Vetëm do doja të thoja se KFOR-i është atje për të mbetur, ndërsa sa i përket procesit politik, NATO-ja nuk është në rolin udhëheqës në Kosovë, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Scheffer. Ai paralajmëroi se në Samitin e Stambollit, me siguri do të merret edhe vendimi për t'i dhënë fund misionit që ai e quajti të suksesshëm të SFOR-it në Bosnje Hercegovinë dhe shtoi se për fat të keq në Kosovë nuk mund të flasim për një situatë të mirë si e kemi tani në Bosnje Hercegovinë dhe se situata në Kosovë vazhdon të jetë ekstremisht e brishtë. Scheffer shtoi që në procesin politik në Kosovë, krahas bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare të fokusohen më shumë edhe vetë kosovarët, si shqiptarët ashtu edhe serbët. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se kjo Aleancë nuk do të tërhiqet tërësisht nga Bosnje Hercegovina, sepse do të mbajë në Sarajevë zyrën për të ndihmuar reformat ushtarake të këtij shteti dhe do t'i japë mbështetje misionit ushtarak ndërkombëtar, që do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian si pasardhës i misionit të tanishëm të SFOR-it që udhëheq NATO-ja.
I pyetur se a është NATO-ja më afër për të arrestuar kriminelin e luftës Radovan Karaxhiç, pasi kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Del Ponte ka përmendur të martën e ardhshme si afat kur kjo mund të ndodhë, shefi i NATO-s tha se nuk mundet as të mohojë, por as të konfirmojë këto shkrime në media. Mundem vetëm të përsërit se përgjegjësinë kryesore për të arrestuar të akuzuarit për krimet e luftës, e kanë autoritetet vendore, por edhe NATO-ja do të vazhdojë të ndihmojë në këtë proces. Ai përsëri porositi të akuzuarit e luftës se ata mund të vazhdojnë të jenë në arrati, por nuk do të mund të fshihen përgjithmonë.

XS
SM
MD
LG